Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka miratuar një sërë vendimesh për proceset e privatizimit dhe forcimin e funksionimit të brendshëm institucional.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj mbledhjeje, Bordi ka miratuar dy rregullore të brendshme: për procedurat e parcelimit të ngastrave kadastrale në pronësi të Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh), e cila synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e parcelimit, si fazë e domosdoshme për transformimin e pronave dhe përmbylljen e likuidimit të NSh-ve, dhe Rregulloren për Ofruesit e Shërbimeve në procesin e likuidimit të NSh-ve, që përcakton kategoritë dhe profilin e ofruesve të shërbimeve si dhe nivelin e kompensimit të tyre.
“Lidhur me procesin e shitjes së aseteve me tender publik, Bordi shqyrtoi shitjen e Aseteve përmes Likuidimit nr. 72 (SHAL 72) që kishte 79 asete të publikuara, prej të cilave aprovoi 24 asete për shitje. Po ashtu, Bordi miratoi listën e aseteve të parapara për shitje përmes tenderit publik në kuadër të ShAL 74, që përfshin gjithsej 139 njësi. Publikimi i kësaj liste parashihet të bëhet me date 03 korrik 2025”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sa i përket procesit të shitjtes direkte të aseteve, Bordi ka aprovuar 23 raporte rekomanduese për fillimin e procedurave të shitjes, refuzoj 33 kërkesa për shitje për mungesë të kushteve ligjore, si dhe aprovoi 7 raporte përfundimtare të shitjes sipas kërkesave të palëve të miratuara më herët.
“Ndër të tjera, Bordi ka aprovuar kërkesën e Komunës së Vitisë për rrënimin e një objekti të dëmtuar të NSH “Agromorava” në Viti, i cili përbënte rrezik për sigurinë publike”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se Bordi ka miratuar edhe projektbuxhetin e AKP-së për vitin fiskal 2026, rritjen e buxhetit për dy ndërmarrje në likuidim, si dhe ka shqyrtuar mundësitë për ristrukturim të brendshëm të AKP-së, në përputhje me Planin Strategjik dhe volumin e mbetur të punëve.
Po ashtu në përfundim të mbledhjes, Bordi i AKP-së ka vendos që, në bazë të propozimit të Bordit të Ndërmarrjes Shoqërore “Inex Sharr Planina”, të emërojë Sladan Nikolcevic si ushtrues detyre i Drejtorit Menaxhues të kësaj ndërmarrjeje në Brezovicë, deri në përfundimin e procedurës së konkursit zyrtar për këtë pozitë.