Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së ka thirrur një protestë gjithëpopullore për sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar vendimin dënues të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka bërë të ditur se protesta do të jetë plotësisht paqësore dhe pa persona të maskuar, duke u distancuar nga incidentet e dhunshme që ndodhën pas shpalljes së verdiktit. Ai ka theksuar se ky vendim tenton të barazojë krimet serbe me luftën çlirimtare, por se asnjë gjykatë nuk mund ta tjetërsojë të vërtetën e luftës për liri.
Përveç protestës, përfaqësuesit e OVL-UÇK-së kanë shpalosur një platformë me hapa konkretë deri në përfundimin e procesit në Apel për rastin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Siç njoftoi nënkryetari Fatmir Sopi, kjo platformë kërkon debat parlamentar për amendamentimin ose shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, rivlerësim institucional të mandatit të gjykatës në raport me pretendimet fillestare të raportit të Këshillit të Evropës, si dhe mbështetje të plotë juridike e financiare për procesin e ankesave.
Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim për krime lufte, ndërsa të gjithë janë shpallur të pafajshëm për akuzat që lidheshin me krime kundër njerëzimit. /E.A/