Lajmet

Sot, në ditën e lindjes së Nënë Terezës, kujtohet rrugëtimi i Gonxhe Bojaxhiut

Published

on

Më 26 gusht 1910, në Shkup, lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, gruaja që bota do ta njihte si Nënë Tereza e Kalkutës, një nga figurat më të njohura humanitare të shekullit XX.

E lindur në një familje shqiptare, Gonxhja ishte vajza e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut. Babai i saj kishte origjinë nga Prizreni dhe prejardhje familjare nga Fani i Mirditës, ndërsa nëna nga rrethina e Gjakovës.

Në moshën 18-vjeçare, Gonxhja u largua nga Shkupi dhe iu bashkua Motrave të Loretos në Irlandë. Një vit më vonë udhëtoi drejt Indisë, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës.

Fillimisht punoi si mësuese, por përballja me varfërinë e madhe në Kalkutë e shtyu drejt një misioni të ri. Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren, ajo përjetoi atë që e përshkroi si një “thirrje brenda thirrjes”, duke vendosur t’ua kushtonte jetën njerëzve më të varfër.

Në vitin 1948 nisi veprimtarinë e saj në lagjet e varfra të Kalkutës, ndërsa më 7 tetor 1950 mori lejen e Vatikanit për themelimin e Misionarëve të Bamirësisë.

Ajo krijoi qendra për të sëmurët, jetimët, njerëzit pa strehë dhe ata në ditët e fundit të jetës. Veprimtaria e saj më pas u shtri në shumë vende të botës.

Për kontributin humanitar, Nënë Tereza mori çmime të shumta, ndërsa kulmi i vlerësimeve ishte Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1979.

Përkatësia e saj shqiptare ishte pjesë e rëndësishme e identitetit. Ajo është cituar të ketë thënë: “Me anë të gjakut, unë jam shqiptare. Nga nënshtetësia, një indiane. Me anë të besimit, unë jam një murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës.”

Në vitin 1991, Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë për herë të parë dhe hapi një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Në Prishtinë, emrin e saj e mban Katedralja Katolike Shën Tereza.

Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Shën Terezë të Kalkutës.

Pavarësisht admirimit global, figura e saj është shoqëruar edhe me debate dhe kritika lidhur me kushtet në disa prej institucioneve të Misionarëve të Bamirësisë, menaxhimin e donacioneve dhe qëndrimet e saj për disa çështje shoqërore.

Megjithatë, ndikimi i saj në humanizëm dhe bamirësi mbetet i madh. Nga Gonxhe Bojaxhiu e lindur në Shkup te Shën Tereza e Kalkutës, rrugëtimi i saj u shndërrua në një prej historive më të njohura të shekullit XX./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aksident me fatalitet në Lluzhan, arrestohet shoferi

Published

on

By

Një aksident trafiku me pasojë fatale ka ndodhur në fshatin Lluzhan të Podujevës, ku si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë një person.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, kur viktima u godit nga një veturë, drejtuesi i së cilës u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes pa iu ofruar ndihmë.

Viktima u dërgua me urgjencë në Qendrën Kliniake Universitare të Kosovës (QKUK), mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai ka ndërruar jetë të martën, më 25 gusht.

Ndërkaq, po më 25 gusht, organet e rendit kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin që po ngaste automjetin. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Prezanton patentë shoferi të dyshuar si të falsifikuar në Aeroportin e Prishtinës

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një person është ndaluar në ANP “Adem Jashari” pasi gjatë kontrollit të dokumenteve personale dhe të automjetit ka prezantuar një patentë shoferi të lëshuar nga një shtet tjetër, e cila dyshohet se ishte e falsifikuar.

Me urdhër të prokurorit, dokumenti është konfiskuar, ndërsa i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Digjen tri vetura dhe një pjesë e shtëpisë në Prishtinë, nuk ka të lënduar

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, tri vetura dhe një pjesë e një shtëpie janë përfshirë nga zjarri në rrugën “Selman Lokaj” në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës 01:10, ndërsa rrethanat e përhapjes së zjarrit ende nuk dihen.

Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk është raportuar për persona të lënduar.

Rasti është duke u hetuar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mosmarrëveshje në Podujevë, nxirret arma dhe konfiskohen 36 fishekë

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, pas një mosmarrëveshjeje verbale në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, një person dyshohet se ka kanosur një tjetër, i cili më pas dyshohet se ka nxjerrë armën në praninë e tij.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 36 fishekë, një kuti përcjellëse me pajisje, si dhe lejen e armës.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara