Lajmet

Sot mblidhen ministrat e BE-së në Bruksel: Serbisë i përcillet mesazh i qartë për sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Published

on

Ministrat për çështje evropiane të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sot në Bruksel do të diskutojnë, në kuadër të takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme (GAC), përfundimet mbi politikën e zgjerimit të BE-së.

Fokus i veçantë i diskutimeve do të jetë Serbia, së cilës i përcillet mesazhi i qartë se ritmi i afrimit me Bashkimin Evropian varet drejtpërdrejt nga përparimi në sundimin e ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Në këtë takim pritet të miratohen përfundimet e përgatitura mbi bazën e raportit vjetor të Komisionit Evropian, i cili vlerëson progresin e secilit vend kandidat. Këto përfundime më pas do të konfirmohen zyrtarisht në Samitin e BE-së më 18 dhe 19 dhjetor.

Në draft-dokumentin, të cilin Radio Evropa e Lirë (RSE) e ka siguruar, vendet kandidate ftohen të shfrytëzojnë mundësinë dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar rrugën drejt BE-së. Theksohet se procesi i zgjerimit duhet të udhëhiqet nga kriteret e Kopenhagës, parimet e vendosura dhe metodologjia ekzistuese, ndërsa përparimi i vendeve do të vlerësohet sipas meritave individuale.

Këshilli pret që të gjitha vendet kandidate ta harmonizojnë plotësisht politikën e tyre me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë edhe masat kufizuese.

Nga Serbia kërkohet që të përshpejtojë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të zbatojë në mënyrë konsekuente ligjet për mediat dhe Listën e Unifikuar të Zgjedhësve. Komisioni Evropian ka vlerësuar se Serbia është teknikisht e gatshme për hapjen e klasterit negociues 3 për konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, por Këshilli i BE-së do t’i rikthehet kësaj çështjeje varësisht nga progresi i mëtejshëm i Serbisë, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Në draft-dokument, BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve dhe tejkalimin e polarizimit të thellë në shoqërinë serbe. Shprehet keqardhje për prapakthimin në lirinë e shprehjes dhe të mediave dhe kërkohen reforma konkrete dhe të prekshme në sundimin e ligjit. Nga Beogradi dhe Prishtina pritet zbatim i plotë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit nga Ohri i vitit 2023.

Këshilli shpreh shqetësim për përshpejtimin e lëshimit të pasaportave serbe për shtetas rusë, duke e vlerësuar këtë si një kërcënim potencial për sigurinë e BE-së. Megjithatë, BE-ja mirëpret faktin që integrimi evropian mbetet interes strategjik i Serbisë, por pret që kjo të dëshmohet përmes veprimeve konkrete dhe reformave reale.

Theksohet se liria e tubimit duhet të mbrohet, siguria e gazetarëve të garantohet dhe çdo dhunë apo përdorim i tepruar i forcës gjatë protestave të hetohet në mënyrë të plotë dhe të paanshme. Serbia ftohet të deeskalojë tensionet dhe të kapërcejë polarizimin përmes dialogut gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, përfshirë shoqërinë civile.

Në dokument shprehet keqardhje për regresin në lirinë e mediave dhe nënvizohet rëndësia e mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pakicave. Edhe pse përshëndetet miratimi i ligjeve për media, theksohet nevoja për zbatim të plotë të tyre, përfshirë përfundimin e shpejtë të emërimit të anëtarëve të Këshillit të REM-it.

Këshilli vlerëson se në gjyqësor nuk është shënuar përparim i dukshëm, ndërsa në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është arritur progres i kufizuar. Serbia ftohet të përshpejtojë reformat dhe të arrijë rezultate konkrete, veçanërisht në kapitujt 23 dhe 24.

Sa i përket dialogut Beograd–Prishtinë, Këshilli i BE-së thekson se përparimi në integrimet evropiane varet nga zbatimi i plotë dhe pa vonesa i të gjitha obligimeve të marra. Serbia ftohet të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2023 dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, theksohet nevoja për reintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë gjyqësorin dhe policinë.

Në përfundim, Këshilli i BE-së shpreh shqetësim të thellë që Serbia nuk i ka përmbushur pritshmëritë lidhur me përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator 2023, duke kërkuar reagim të plotë, hetim serioz dhe respektim të procedurave në kuadër të dialogut për drejtësinë.

Vendi

Tre të vdekur në Malishevë, në mesin e tyre dy fëmijë

Published

on

By

Një burrë dhe dy fëmijë kanë vdekur në lagjen “Mirdita”, në Malishevë, pas një zjarri në një banesë.

Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot, rreth orës 12:55, jemi njoftuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete. Zjarri është lokalizuar dhe nuk është raportuar për pasoja të tjera”, ka thënë ai.

Sipas Elezajt, lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje./ Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja bart mjetet e para: Kosova përfiton 61.8 milionë euro për reforma ekonomike

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka nisur sot transferimin e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën, si pjesë e Planit për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

Ky hap vjen pas ratifikimit të marrëveshjeve në Kuvend dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria e Kosovës.

Kjo shumë përfaqëson 7% të totalit prej mbi 882 milionë eurosh që Kosova ka në dispozicion deri në fund të vitit 2027. Nga mjetet e bartura sot, rreth 29 milionë euro janë kredi direkte në buxhet, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet përmes granteve dhe kredive për projekte kyçe në infrastrukturë.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e 111 hapave të reformave të dakorduara, duke pranuar se edhe pse është humbur pak kohë, Qeveria do të bëjë çmos për të përshpejtuar procesin.

“Kjo është detyrë e vështirë, por e arritshme,” deklaroi Kurti.

Në anën tjetër, shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi se ky plan ofron mundësi konkrete për afrimin e ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët evropian.

Alokimi i mjeteve në të ardhmen do të jetë i kushtëzuar me rezultate konkrete.

Deri më 30 qershor, Kosova pritet t’i përmbushë 13 hapat e parë të reformave që kapin vlerën e rreth 91 milionë eurove, ndërsa deri në fund të vitit synohen edhe 166 milionë euro të tjera.

Reformat mbulojnë fusha kritike si sundimi i ligjit, tranzicioni i gjelbër dhe zhvillimi ekonomik.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga rënia në Maznik: Nderohet sakrifica e Shkëlzen Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij

Published

on

By

Sot mbushen 27 vite nga rënia heroike e dëshmorëve të kombit, Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj dhe Hasim Halilaj. Për të nderuar veprën e tyre, në Kompleksin Memorial në Gllogjan janë zhvilluar homazhe dhe nderime pranë përmendoreve të heronjve, ku morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.

Pas ceremonisë zyrtare, ka nisur aktiviteti tradicional i ecjes në këmbë, i njohur si “Shtegu i lirisë”. Kjo marshatë nis nga Gllogjani dhe ndjek itinerarin drejt Maznikut, pikërisht në vendin ku dëshmorët ranë heroikisht 27 vite më parë.

Shkëlzen Haradinaj me bashkëluftëtarë ranë në mbrojtje të popullatës civile në Duboçakë të Maznikut, duke u bërë mburojë e pathyeshme për lirinë e Kosovës.

“Shtegu i lirisë” shërben si një kujtesë e gjallë për sakrificën e tyre sublime dhe rrugën e vështirë që kaloi Ushtria Çlirimtare e Kosovës deri në çlirimin e vendit.

Foto: RTK

Continue Reading

Lajmet

Nisin inspektimet në Prishtinë, Fushë Kosovë e Ferizaj: Siguria në punë nën “lupën” e shtetit

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka nisur sot një aksion të gjerë inspektimesh në të gjithë Kosovën, me fokus të veçantë në respektimin e kushteve të sigurisë në punë. Ky aksion, i cili po cilësohet si i pari i këtij lloji për nga shtrirja territoriale, ka nisur intensivisht në rajonet e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Ferizajt.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit Qendror, Kastriot Jashari, ka bërë të ditur se ky hap synon ndryshimin e praktikave të deritanishme dhe vendosjen e rregullave të qarta për mbrojtjen e punëtorëve.

“Ne po përpiqemi që të ndryshojmë disa praktika në mënyrë që të dihet rregulli i qartë në respektimin e kushteve të sigurisë së punës për qytetarët,” deklaroi Jashari para mediave, duke njoftuar nisjen e kontrolleve në terren.

Ky mobilizim i shtuar i autoriteteve vjen menjëherë Një punëtor në Shtime humbi jetën tragjikisht në vendin e tij të punës në rrugën “Industria”, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore.

Për këtë rast, policia tashmë ka arrestuar një person i cili dyshohet për veprën penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Continue Reading

Të kërkuara