Me rastin e shënimit të Ditës së Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari në Prekaz”, që siç e quajti kryetari i OVL- UÇK’së, Hysni Gucati vendi i shkëndijave të para të luftës.

Por Gucati ka thënë se në këtë ditë nuk ndihen edhe aq të lirë, mbi arsyen se institucionet e Republikës së Kosovës nuk e kanë miratuar ligjin për vlerat e luftës.
“Mu në këtë vend para 34 viteve, kanë qenë shkëndijat e para të lirisë dhe mund të them luftës së parë frontale të bacës Shaban me dy djemtë me Hamzën dhe Adem dhe rrethi i gjithë Jasharit u përballen me forcat çetnike parlamentare serbe që luftuan për ditën e sotit. Dhe ne sot si veteranë nuk e ndjejmë vetën aq të lirë për arsye se ende kemi problem me institucionet tona ku ligji për vlerat e luftë nuk është bërë ende”, tha Gucati.
Kjo festë u konsiderua e mangët edhe mbi faktin se ish-krerët e UÇK’së Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen padrejtësisht në paraburgimin në Hagë tash e më shumë se pesë vjet.
“Këtë festë që festojmë sot e kemi të mangët sepse njerëzit që e kanë udhëhequr luftën, paqen, janë në qendër të paraburgimit në Hage. Kjo festë është e mangët për ne, pa atë njerëz që luftuan për vendin tonë. Unë në emër ttim dhe shokëve tonë, ia uroj Ditë e Veteranit familjeve të dëshmoreve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, deklaroi Gucati.
Homazhe përkujtimore do të organizohen edhe në lokacione të tjera anembanë Kosovës, nga degët e OVL UÇK-së në secilin qytet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Veteranit, duke thënë se përulet me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr.

“Sot, në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr. Ata u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në kohën më të errët”, shkruhet në urimin e Presidentes.
Osmani thekson se veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim.
“Veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë. Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim i përhershëm veteranëve të UÇK-së”, përfundon urimi i Presidentes.
Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.

Më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së.
Shënimi i kësaj dite është rregulluar sipas ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së.