Kulturë

Sonte nis edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK

Published

on

Sonte, në orën 21:00, në Prishtinë, do të ngrihet perdja për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK, një ngjarje që do të zgjasë tri net dhe do të sjellë në skenë artistë të njohur e talente të reja.

Në garë do të jenë 20 këngë, nga artistë brenda e jashtë Kosovës, duke dëshmuar interesimin e madh për këtë ngjarje të rëndësishme.

Drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla, ka bërë të ditur se përgatitjet janë realizuar nga punëtorët e RTK-së, nga dizajni dhe grafika, te skenografia e ndriçimi. Ai tha se skenografia ndërthur elemente tradicionale me moderne, duke reflektuar frymën e bashkimit të brezave.

“Sivjet kemi zbatuar një qasje të re organizuese: gjithçka që do të shfaqet në skenë është prodhim i drejtpërdrejtë i RTK-së. Në tri netët festive do të dëgjojmë zërat e të rinjve, që lindin nga tradita por shkojnë drejt së ardhmes”, deklaroi Gërvalla.

Ai shtoi se Organizata Evropiane e Transmetuesve po ndjek përgatitjet, duke vlerësuar përpjekjet e Kosovës për pjesëmarrjen e saj të ardhshme në garën evropiane të këngës, Euro Song.

“E kemi dëshmuar se Kosova është gati për ‘Euro Song’. Pavarësisht sfidave rajonale, EBU na ka ndjekur me interes dhe e ka vlerësuar progresin tonë, sidomos duke pasur parasysh kushtet e kufizuara financiare me të cilat punon televizioni publik”, shtoi ai.

Ndërkohë, drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, u shpreh se ky festival është shndërruar në platformë të fortë artistike dhe teknike për artistët vendorë.

“Festivali i Këngës është bërë institucion dhe përbën një arritje të jashtëzakonshme për vendin tonë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij rrugëtimi”, tha Boshnjaku.

Skenaristi i edicionit të tretë, Genc Salihu, bëri të ditur se fokusi do të jetë më shumë te muzika, duke reduktuar elementet dramaturgjike.

Ai paralajmëroi edhe një retrospektivë për historinë e këngës në Kosovë, si dhe ndarjen për herë të parë të Çmimit për Vepër Jetësore “Okarina e Artë”, që do t’i jepet një artisti me kontribut të gjatë në muzikë.

Festivali do të moderohet nga Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj, ndërsa do të zhvillohet më 6, 7 dhe 8 nëntor në Prishtinë.

Gjatë këtyre netëve, 20 artistë do të garojnë për pesë çmimet kryesore, ndërsa publiku do të ketë mundësi ta ndjekë spektaklin drejtpërdrejt në RTK dhe nga salla, pasi rezervimet për biletat tashmë kanë nisur.

Këngët dhe artistët garues në ‘Fest 3’:

Almir Kraba – “Nuk ka si ti”

Arjeta Palushaj – “Andrra”

Arsi Bako – “Rreze Zjarr”

Art Lokaj – “Ty”

Bledi Kaso – “S’do të doja dy jetë”

Dea Berisha – “Afër”

Egzon Pireci – “Kënga Jonë”

Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”

Florent Abrashi – “Unë dhe ti”

Kiara Juba – “Nirvana”

Klea Dina – “At”

Laorjan Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”

Nita Latifi & Algert Sala – “Pija”

Santino de Bartolo – “Naze Naze”

Semi Tafaj – “Vazhdoj”

Teutë Halili – “Amin”

Vlera Kastrati – “Nanë”

Vjosa Shehu – “Alo”

Xuxi – “Identitet”

Zergjina Hasanaj – “Pres”

Lajmet

Podujeva mirëpret për të tretin vit Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”

Published

on

Podujeva ka mirëpritur për të tretin vit me radhë Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”, i cili edhe këtë vit e nisi rrugëtimin nga ky qytet, duke sjellë një atmosferë të veçantë kulturore.

Në Sheshin “Katër Dëshmorët”, qytetarët shijuan një mbrëmje të pasur me art, traditë dhe folklor, ku ansamble nga Bullgaria, Holanda, Kosta Rika dhe Greqia prezantuan vallet tradicionale, muzikën dhe veshjet karakteristike të vendeve të tyre.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se është kënaqësi që qyteti vazhdon të jetë nikoqir i një festivali me karakter ndërkombëtar, i cili promovon shkëmbimin kulturor, miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve.

Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit, organizatorët i ndanë një mirënjohje kryetarit Bulliqi. Nga ana e tij, ai u dorëzoi mirënjohje ansambleve pjesëmarrëse, duke i falënderuar për kontributin në promovimin e kulturave të tyre përmes muzikës dhe vallëzimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Americana” sjell sonte magjinë e muzikës amerikane në Sheshin “Skënderbeu”

Published

on

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë sonte, më 9 korrik 2026, koncertin “Americana” në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke filluar nga ora 20:30, publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë kryevepra të muzikës amerikane, nga kompozitorë të njohur si George Gershwin dhe Leonard Bernstein.

Koncerti do të interpretohet nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Toshio Yanagisawa, duke sjellë një mbrëmje të veçantë me energji dhe emocione muzikore.

Hyrja në koncert bëhet me rezervim online./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Libri i ditës | Pse ia vlen ta lexoni “Njeriu në kërkim të kuptimit”

Published

on

Nëse jeni në kërkim të një libri që ju bën të reflektoni mbi jetën, sfidat dhe forcën e njeriut për të ecur përpara, zgjedhja e sotme është “Njeriu në kërkim të kuptimit” nga Viktor E. Frankl.

Ky libër rrëfen përvojën personale të autorit në kampet naziste të përqendrimit dhe mënyrën se si, edhe në rrethanat më të vështira, njeriu mund të gjejë një arsye për të jetuar. Përmes një rrëfimi të fuqishëm dhe analizës psikologjike, Frankl sjell mesazhin se kuptimi i jetës mund të gjendet edhe në momentet më të errëta.

I konsideruar si një nga librat më me ndikim në fushën e psikologjisë dhe zhvillimit personal, ky botim vazhdon të frymëzojë miliona lexues në mbarë botën.

Nëse nuk e keni lexuar ende, “Njeriu në kërkim të kuptimit” është një titull që meriton të jetë pjesë e bibliotekës suaj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arianit Lakna hap ekspozitën personale “anGjelus Novus” në Open Art Gallery

Published

on

Artisti Arianit Lakna hap sonte ekspozitën personale “anGjelus Novus”, të kuruar nga Artrit Bytyçi, në Open Art Gallery. Hapja e ekspozitës do të mbahet duke filluar nga ora 19:30.

Ekspozita sjell një cikël veprash ku lajtmotivi i gjelit zë vend qendror, duke krijuar një dialog artistik me veprën “Angelus Novus” të Paul Klee dhe interpretimin filozofik të Walter Benjamin.

Sipas konceptit kuratorial, “anGjeli i Ri” i Laknës shkon përtej referencës klasike, duke ndërtuar një figurë simbolike që mishëron përditshmërinë, punën dhe përballjen me sfidat e jetës.

Një nga veprat qendrore të ekspozitës, “Zgjohu me Gjela”, paraqet figurën e gjelit përballë detyrimeve të përditshme, duke simbolizuar gatishmërinë për t’u përballur me sfidat pa pritur zgjidhje nga të tjerët.

Përmes këtij cikli punimesh, Arianit Lakna ndërton figurën e “anGjelit” si një simbol të ri që përfaqëson vlera dhe ideale të një utopie bashkëkohore. Ekspozita fton vizitorët të reflektojnë mbi jetën e përditshme, përgjegjësinë dhe mënyrën se si individi ndërton raportin e tij me realitetin përmes artit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara