Sport

Sonte luhet derbi i Londrës mes Evertonit dhe Tottenham Hotspur

Published

on

Pas ndeshjeve në Ligën e Kampionëve dhe në atë të Evropës, sot do të zhvillohet një derbi tejet interesant në Premier Ligën angleze, ku Evertoni pret në shtëpi skuadrën e Tottenham Hotspur.

Ky derbi është ndeshja hapëse e xhiros së 32-të në Premier Ligë, ku të dy skuadrat do të luftojnë që të sigurojnë fitore, për t’i mbajtur shpresat për një vend në Top 4.

Pas 31 ndeshjeve, Tottenham zë vendin e shtatë, me 14 fitore, shtatë barazime dhe 10 humbje, duke arkëtuar 49 pikë, gjashtë sosh më pak se vendi i katërt, West Ham.

Në anën tjetër, skuadra e Evertonit pas 30 xhirosh ka regjistruar 14 fitore, gjashtë barazime dhe 10 humbje, kështu duke u pozicionuar në vendin e tetë, me gjithsej 48 pikë.

Jose Mourinho pritet të ketë të një skuadër të kompletuar, me shumë pak mungesa, ku në këtë ndeshje do të mungojnë vetëm Davies e Doherty.

Kurse, për trajnerin Carlo Ancelotti do të ketë më shumë probleme, ku nuk do të paraqiten Bernard, Delph, Doucoure, Gbamin dhe Mina, kurse në dyshim janë, Calwert-Lewin, Gomes, dhe King.

Sport

Lajme pozitive për Christian Eriksen, mjeku i Danimarkës konfirmon se është mirë

Published

on

By

Pas momenteve të frikshme të përjetuara në ndeshjen miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës, kanë ardhur lajme inkurajuese për gjendjen e Christian Eriksenit.

Mesfushori danez u rrëzua në fushë në minutën e 65-të të takimit të zhvilluar të dielën në Odense, duke shkaktuar shqetësim të madh te bashkëlojtarët, stafi teknik dhe tifozët. Para se të binte në tokë, 34-vjeçari vendosi duart në gjoks, ndërsa menjëherë mori ndihmën e stafit mjekësor.

Megjithatë, pas trajtimit të marrë në fushë, Eriksen arriti të largohej me këmbët e tij, ndërsa më pas u dërgua në Spitalin Universitar të Odenses për ekzaminime të mëtejshme.

Mjeku i përfaqësueses daneze, Morten Boesen, ka bërë të ditur se futbollisti është në gjendje të mirë dhe pritet të largohet së shpejti nga spitali.

“Fola me Christianin këtë mëngjes dhe ai është mirë. Ai ndodhet pranë familjes së tij dhe është në humor të mirë. Presim që së shpejti të dalë nga spitali dhe të kthehet në shtëpi”, deklaroi Boesen.

Ai shtoi se Federata Daneze e Futbollit po kujdeset vazhdimisht për lojtarët dhe stafin, duke mbajtur kontakte të rregullta me të gjithë të përfshirët pas incidentit që tronditi opinionin sportiv.

Ngjarja riktheu kujtimet e Euro 2021, kur Eriksen pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës. Pas asaj ngjarjeje dramatike, futbollisti u pajis me një defibrilator kardioverter të implantueshëm dhe, pas një periudhe rikuperimi, u rikthye me sukses në futbollin profesionist.

Sot, Eriksen vazhdon karrierën e tij në Gjermani me Wolfsburgun, duke mbetur një nga shembujt më frymëzues të forcës, vendosmërisë dhe rikthimit në sportin elitar.

Lajmet e fundit për gjendjen e tij kanë sjellë lehtësim të madh në botën e futbollit, e cila vazhdon të ndjekë me vëmendje zhvillimet rreth yllit danez.

Continue Reading

Sport

Yjet që do t’i mungojnë Botërorit 2026, lista e emrave të mëdhenj që mbeten jashtë turneut

Published

on

By

Kupa e Botës 2026 pritet të mbledhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Megjithatë, turneu më prestigjioz i futbollit do të zhvillohet pa praninë e disa prej yjeve më të spikatur të momentit.

Sipas një renditjeje të publikuar nga Score 90, në mesin e 25 futbollistëve më të mirë që nuk do të marrin pjesë në Botërorin e ardhshëm gjenden emra të njohur si Khvicha Kvaratskhelia, Dominik Szoboszlai, Victor Osimhen, Gianluigi Donnarumma, Alessandro Bastoni, Rodrygo Goes, Sandro Tonali, Robert Lewandowski dhe Jan Oblak.

Arsyeja kryesore e mungesës së tyre lidhet me dështimin e kombëtareve përkatëse për të siguruar kualifikimin në turneun më të madh të futbollit. Kombëtare me traditë dhe cilësi si Italia, Polonia, Sllovenia, Nigeria, Gjeorgjia, Hungaria dhe Serbia nuk arritën të prenotojnë një vend në Botërorin 2026, duke lënë jashtë skenës më të madhe futbollistë që prej vitesh janë protagonistë në arenën ndërkombëtare.

Lista përfshin edhe disa prej talenteve më premtuese të futbollit aktual. Emra si Hugo Ekitike, Dean Huijsen, Estevao Willian dhe Joao Pedro po kalojnë një periudhë të shkëlqyer në nivel klubesh, por do të duhet të presin një tjetër mundësi për të realizuar ëndrrën e pjesëmarrjes në një Kupë Bote.

Mungesa e këtyre futbollistëve dëshmon edhe një herë se talenti individual nuk garanton gjithmonë praninë në një Botëror. Në futbollin e kombëtareve, suksesi varet nga performanca kolektive dhe rruga e gjatë e kualifikimeve, ku edhe yjet më të mëdhenj mund të mbeten jashtë nëse përfaqësueset e tyre nuk arrijnë objektivin.

Pavarësisht mungesës së tyre, emrat e përfshirë në këtë listë vazhdojnë të konsiderohen ndër futbollistët më të mirë në botë dhe pritet të mbeten protagonistë në arenën evropiane dhe ndërkombëtare edhe gjatë viteve në vazhdim.

Continue Reading

Sport

Xhaka dhe Rodriguez bëjnë shqiponjën në San Diego, mediat zvicerane i kushtojnë vëmendje gjestit

Published

on

By

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, dhe bashkëlojtari i tij Ricardo Rodriguez kanë tërhequr vëmendjen e mediave zvicerane pas një momenti interesant gjatë qëndrimit të Kombëtares helvetike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Futbollistët zviceranë ndoqën një ndeshje bejsbolli në San Diego, ku në një moment u shfaqën në ekranin gjigant të stadiumit. Pikërisht atëherë, Xhaka dhe Rodriguez realizuan gjestin e shqiponjës dykrenare, simbol që lidhet ngushtë me shqiptarët.

Ky veprim nuk kaloi pa u vënë re nga mediat zvicerane. Mediumi Bluewin i kushtoi vëmendje të veçantë momentit, duke e lidhur gjestin me prejardhjen shqiptare të disa futbollistëve të përfaqësueses së Zvicrës dhe me rastet e mëparshme kur simboli i shqiponjës ka qenë në qendër të diskutimeve.

Lidhur me këtë situatë reagoi edhe Federata Zvicerane e Futbollit, e cila sqaroi rrethanat e gjestit dhe theksoi lidhjen e fortë që disa prej lojtarëve kanë me komunitetin shqiptar.

“Edhe në ndeshjen ndaj Australisë, një numër i madh tifozësh me rrënjë shqiptare ishin të pranishëm në stadium dhe mbështetën me entuziazëm Granit Xhakën dhe Kombëtaren e Zvicrës. Pas ndeshjes, Xhaka dhe disa lojtarë të tjerë ndanë autografe dhe realizuan fotografi me tifozët”, thuhet në komunikatën e federatës.

Federata shtoi se kapiteni zviceran shfrytëzoi rastin edhe më vonë për të përshëndetur komunitetin shqiptar.

“Në mbrëmje ai shfrytëzoi mundësinë për të përshëndetur sërish komunitetin shqiptar. Kjo nuk ndodhi në fushë dhe nuk ishte pjesë e ngjarjes sportive”, theksohet në reagimin e Federatës Zvicerane.

Xhaka, i cili prej vitesh mbetet një nga figurat më të rëndësishme të futbollit zviceran dhe një nga sportistët shqiptarë më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, vazhdon të gëzojë mbështetje të madhe nga komuniteti shqiptar kudo që luan.

Continue Reading

Sport

Kosova e mbyll turneun e parë në Bosnje e Hercegovinë

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll për vajza ka përfunduar paraqitjen në turneun e parë të CEV Volleyball European League 2026, i cili u zhvillua në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në ndeshjen e dytë të turneut, vashat e Kosovës u përballën me nikoqirin Bosnjën dhe Hercegovinën, duke treguar një paraqitje solide dhe një ngritje të vazhdueshme të nivelit të lojës gjatë gjithë takimit.

Pavarësisht humbjes me rezultat 3:0 në sete, volejbollistet kosovare rivalizuan denjësisht me kundërshtaret, veçanërisht në setin e tretë, ku luftuan deri në pikët e fundit.

Bosnja dhe Hercegovina – Kosova 3:0
(25:18, 25:22, 25:23)

Nën drejtimin e përzgjedhësit Lorik Ilazi dhe stafit teknik, Përfaqësuesja e Kosovës dëshmoi karakter, përkushtim dhe shpirt garues, duke lënë përshtypje pozitive me paraqitjen e saj në këtë turne.

Pas përfundimit të garave në Bosnje dhe Hercegovinë, “Dardanet” tashmë do ta përqendrojnë vëmendjen te turneu i dytë i CEV Volleyball European League 2026, i cili do të zhvillohet në Greqi.

Kosovën e presin edhe dy sfida të rëndësishme:

Kosova – Greqia
12 qershor 2026, ora 20:00

Portugalia – Kosova
14 qershor 2026, ora 20:00

Federata e Volejbollit e Kosovës ka shprehur mbështetjen e plotë për Përfaqësuesen e vajzave dhe shtabin teknik, duke u uruar suksese në vazhdim të garës dhe një përfaqësim sa më dinjitoz të Kosovës në CEV Volleyball European League 2026.

Continue Reading

Të kërkuara