Lajmet
S’ndryshon gjendja, në Gjermani vazhdon mungesa e ilaçeve
Farmacistët kritkojnë projektligjin e ri të qeverisë.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiLista po bëhet gjithnjë e më e gjatë. Në farmacitë gjermane ka mungesa si të shurupit për kollë, edhe ilaçeve kundër tensionit apo kancerit. Farmacistët kritkojnë projektligjin e ri të qeverisë.
Gati përditë ndodh që farmacisti Sebastian Berges i le të dalin nga dera pa ilaçin e duhur klientët e tij.
“Në recetë shkruhet një ilaç për hollimin e gjakut, por për momentin ky ilaç nuk ofrohet për furnizim”, i thotë Berges, pensionistes Ingrid Klüppel. Zhgënjimi i 67-vjeçares është i madh. Ajo e do ilaçin për bashkëshortin të sëmurë rëndë.
“Kjo është katastrofike dhe situata po bëhet gjithnjë e më keq”, thotë Ingrid. “Si është e mundur, që ilaçe të tilla, që bashkëshorti im i merr prej vitesh nuk gjenden më?”
Gjendja ashpërsohet
Edhe farmacisti me përvojë konstaton keqësimin e situatës. Në dimër mungonin ilaçe si shurupi i kollës dhe ato kundër dhimbjeve, tani mungojnë medikamente në të gjitha spektrin e ilaçeve, thotë ai. Gati 470 lloj ilaçesh nuk janë të ofrueshme.
“Momentalisht nuk marrim antibiotikë. Disa ilaçe hormonesh dhe kortizoni edhe ato kundër astmës po ashtu nuk gjenden”, kritikon Berges.
Fajin për këtë nuk e kanë vetëm zinxhirët e furnizimit, por edhe marrëveshjet e uljes së çmimit që shoqëritë e sigurimit shëndetësor bëjnë me ofruesit më të lirë të preparateve imituese, të njohura si ilaçe “generika”, që përmbajnë të njëjtën lëndë si preparati origjinal.
Shumë prodhues farmaceutikë nuk kanë leverdi të prodhojnë për tregun gjerman, dhe janë tërhequr nga Gjermania. Në mënyrë që për këta prodhues të jetë sërish atraktiv prodhimi për Gjermaninë, ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, do që me një projektligj të ri të reduktojë presionin e kostove. Projektligji lehtëson rregulloret e çmimit për medikamentet për fëmijët. Marrëveshjet e uljes së çmimit në këtë sektor shfuqizohen.
“Por kjo nuk ka për t’i penguar ngushticat”, thotë Bork Bretthaues, drejtor ekzekutiv i Shoqatës “Pro Generika”. Sepse ky projektligj është i fokusuar vetëm tek ilaçet për fëmijët dhe antibiotikët.
“Tek ilaçet e tjera gjendja e furnizimit mbetet si është – e pastabilizuar dhe pjesërisht madje kritike.”
Sistemi duhet të ndryshohet
Më tej ky projektligj parashikon që veçanërisht tek tenderat për antibiotikët në të ardhmen të kihet kujdes që substancat të prodhohen në Europë dhe BE. Qëllimi, sipas Lauterbach, është që të rritet numri i ofruesve dhe të reduktohet varësia nga prodhues të caktuar në Kinë apo Indi. Por kjo nuk ka për të ndodhur kaq shpejt sa e dëshiron ministri Lauterbach. Shoqata e Mjekëve “Marburger Bund” i ka cilësuar masat si hap në drejtimin e duhur. Problemi është se Gjermania është e varur nga disa qendra prodhimi dhe kjo duhet të ndryshojë, por ashtu duhet të bëhen teste stresi për zinxhirë të caktuar të furnizimit.
Përqëndrimi në tregun botëror të substancave farmaceutike është efekti i drejtpërdrejtë i një presioni të pamëshirshëm ekonomik me drejtim uljen e çmimit, ka deklaruar “Pro Generika”. Ndërkohë që dihet, sa më shumë leje për ilaçe dhe sa më të shpëndara qendrat e prodhimit, aq më i stabilizuar është furnizimi, sepse kompensohen më mirë rëniet e prodhimit diku tjetër.
“Vërtet që gjatë pandemisë u kuptua, se sa problematike është varësia e madhe e Europës nga prodhuesit aziatikë të ilaçeve, por do duhet një kohë e gjatë derisa kjo gjendje të ndryshojë”, thotë farmacisti, Sebastian Berges.
68% e prodhuesve të shumicës së përbërësve të ilaçeve për Europën gjenden në Azi, thuhet në një studim të Shoqatës Farmaceutike, VFA. Gati dy të tretat e 3500 përbërësve të ilaçeve të ofruar në tregun botëror prodhohen në Kinë dhe Indi.
Gjermania dikur farmacia e botës
Shumë farmacistë janë të mendimit se projektligji aktual gjerman nuk i zgjidh problemet. Me të nuk ndryshohet gjendja – që farmacistët në raste ngushtice në furnizim të shesin vetëm preparatet alternative të të njëjti prodhues. Sepse vetëm këto janë të pranuara për pagesë nga shoqëritë e sigurimit.
“Sipas qëndrimit tonë duhet të krijohen stimuj që t’ia vlejë sërish prodhimí i ilaçeve në Gjermani”, kërkon Berges.
Në fund të fundit Gjermania në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të kishte imazhin e “farmacisë së botës”, dhe për dekada konsiderohej si prodhuesja dhe furnizuesja më e rëndësishme me ilaçe. Shumë çmime Nobel u morën atëherë nga shkencëtarët gjermanë. Por kjo kohë i përket së shkuarës./DW/
Rajoni
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
Published
6 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.
I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.
Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.
Lajmet
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Published
6 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.
ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.
Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.
Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.
Vendi
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
Published
7 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.
Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.
Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.
Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.
Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.
Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.
Lajmet
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Published
7 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.
Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.
Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.
Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.
Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë
Dua Lipa i bashkohet filmit “Peaked”, zgjeron karrierën në Hollywood
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”
17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
