Policia Rajonale e Ferizajt ka kaluar në fazën e zbatimit të masave ndëshkuese ndaj shoferëve që përdorin telefonin gjatë ngasjes së automjetit, sidomos pas përfundimit të fushatës sensibilizuese që filloi më 6 tetor me moton “Një sekond në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”.
Si rezultat i veprimeve policore pas përfundimit të kësaj fushate, vetëm gjatë muajit tetor 2025 janë shqiptuar 329 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të automjetit, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Policia thekson se përdorimi i telefonit gjatë ngasjes mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, prandaj apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të përqendrohen plotësisht në vozitje dhe të shmangin çdo shpërqendrim.
“Edhe një sekond pakujdesie mund të ketë pasoja fatale,” – thuhet në apelin e Policisë Rajonale të Ferizajt.
Gjatë periudhës sensibilizuese, nga data 13 tetor 2025, policia ka zhvilluar ligjërata në shkolla, takime me qytetarë, si dhe ka shpërndarë fletëpalosje informuese me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.
Kontrollet dhe masat ndëshkuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Policia fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo shkelje në trafik përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat e telefonit: 192, 0290/326-250, 0290/322-406. Të gjitha informacionet e pranuara trajtohen me konfidencialitet të plotë./S.K/EO/