Lajmet

​“S’kemi besim më në fjalë të thata”, familjarët të zhgënjyer me zbardhjen e fatit të të pagjeturve

“Nuk kemi besim më në fjalë të thata”, thotë Bajram Qerkinaj nga shoqata “Zëri i Prindërve”.

Published

on

Mbi 1 mijë e 600 varre të zbrazëta kanë mbetur që nga lufta e fundit në Kosovë. Nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre, ndërkohë që familjarët jetojnë me shpresën për zbardhjen e fatit e të më të dashurve të tyre. Vitin e kaluar është gërmuar në 15 lokacione të Kosovës, por jo edhe në Serbi. As në 2023-tën nuk është dërguar në Kuvend, Ligji për Personat e Pagjetur. Familjarët kritikojnë institucionet për mos përmbushjen e premtimeve. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shprehet optimiste se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë vitit.

“Nuk kemi besim më në fjalë të thata”, thotë Bajram Qerkinaj nga shoqata “Zëri i Prindërve”.

Ai shprehet i zhgënjyer me institucionet dhe punën që është bërë vitin e kaluar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Viti që po kalon mjerisht ka stagnuar, atë që e kanë premtuar aspak nuk është punuar. Janë bërë disa nëngrupe, disa grupe bajagi të ekspertëve kanë bërë disa vlerësimeve të gërmimeve, të cilat ato që është dashur të bëhen nuk janë bërë dhe ne familjarët nuk jemi aspak të kënaqur plot që një vit e gjysmë. A thua pse po them kështu? Sepse grupi punues për shkak të Velko Odalloviq që është shpallur kriminel nuk është ka funksionuar. Mirëpo, brenda për brenda kur të ndalim të bisedojmë se çfarë kanë pritur dhe çfarë është bërë me plan-program që ne familjarët kemi pritur, sidomos të parashtrohet Instituti i Mjekësisë Ligjore ku thuhet që ka 300 mbetje mortore, gjithçka flitet, e asgjë nuk është bërë. Ne nuk jemi të kënaqur se si po përmbyllet një vit”, shprehet ai.

Teksa flet për premtimet e pushtetit aktual, ai thotë se të njëjtit janë zotuar se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet.

“Është fol shumë se do të bëhet një ligj për personat e pagjetur. Merreni me mend, flitet qe pesë vjet për strategji, merreni me mend që flitet shumë për një ligj, as këtë nuk e kanë kryer. Çka pret familjari? Me ekzistencë të jetës janë ngushtë. Më së shumti jemi ngushtë të zbardhim fatin e personave të pagjetur. Edhe 1607 ende të pagjetur në Republikën e Kosovës. Nuk ka asnjë varrezë masive që nuk dihet, nuk ka asnjë kriminal i Serbisë që nuk dihet me emër dhe mbiemër ku i ka marrë edhe ku i ka dërguar”, tha ai.

Ligji për Personat e Pagjetur ka qenë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ndërkaq tashmë në kompetencë të Zyrës së Kryeministrit. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se ka pasur shumë diskutime e takime me familjarët e personave të zhdukur.

“Konsideroj që i njëjti duhet të miratohet gjatë këtij viti. Tashmë do të vendoset edhe në agjendë legjislative kur është koha kur do të procedohet, por duke qenë që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, nuk mund ta dimë me siguri, se cila do të jetë periudha kur do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sigurisht që është i rëndësishëm si ligj, por ndërlidhet edhe me dy ligje të tjera, të cilat janë në kuadër të Ministrisë së Financave, që kanë të bëjnë edhe me pensionet dhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me kompensimin financiar të familjeve. Prandaj, sapo të ketë një koordinim të mënyrës se si të procedohet tutje jam e bindur që do të procedohet në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

Në 15 lokacione është gërmuar gjatë vitit të kaluar, thotë kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti. Ai tregon se ka pasur aktivitete të shumta të punimeve në terren, për shkak të informatave që kanë arritur të sigurojnë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

“Gjatë vitit 2023, ne në 15 lokacione kemi qenë deri në fund të vitit, pa i përfshirë edhe disa lokacione që nuk kanë përfunduar. Ato do të vazhdojnë edhe tash në vitin 2024. Nuk mund të themi një numër të saktë të viktimave apo të personave të zhdukur që janë gjetur, për shkak se nuk kemi pranuar analizat e ADN-së nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Megjithatë, kur flasim me numra, duhet të jenë mbi 17 viktima apo persona të zhdukur që përmes gërmimeve, mbi 17 persona që shpresojmë të identifikohen përmes analizave të ADN-së. Këto 15 lokacione thuajse në tërë territorin e Kosovës, Gjakovë, Prizren, Kamenicë, Podujevë, Prishtinë, Skenderaj, Mitrovicë janë të gjitha këto komuna ku kemi pasur gërmime”, deklaron Hoti.

Në Kosovë është gërmuar në çdo katër kilometër katror, shton Hoti teksa shprehet se fokusi është në varrezat masive në Serbi. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur thekson se vitin e kaluar janë rikthyer edhe në Shtavall të Serbisë.

“Në Serbi është goxha më e vështirë, as nuk shkon të bëhet më e lehtë, nuk them që duhet të ndodhë mrekulli, sepse mrekullia në këtë rast nuk na ndihmon, por ajo çka duhet të ndodhë në këtë rast, Kosova është e pafuqishme. Bashkësia ndërkombëtare, miqtë tanë ndërkombëtarë, duhet ta marrin më seriozisht çështjen e personave të zhdukur. Pavarësisht se si del në media dhe si thuhet në media dhe me këtë seriozisht, mendoj se duhet ta kushtëzojnë Serbinë dhe nuk ka formë tjetër, nuk ka formë të bisedimeve me Serbinë. Ne jemi në bisedime, vazhdojmë të bisedojmë, sepse fundja, ne vazhdojmë të kërkojmë çfarëdo cope të informatave që kemi”, shprehet ai.

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për të zhdukurit, Andin Hoti flet edhe për deklaratën për personat e zhdukur në maj të vitit të kaluar.

“Çfarë ka ndodhur prej 2 majit të vitit 2023 që është miratuar deklarata e personave të zhdukur, më 1 qershor kemi dërguar menjëherë një kërkesë në zbatim të deklaratës. Në korrik apo në gusht, i jemi drejtuar edhe (Josep) Borrelit në lidhje me këtë zbatim e deklaratës. Në korrik, në të njëjtën kohë, kam dërguar edhe komentet e grupit të përbashkët dhe është e vërtetë që prapë ka ndodhur një zvarritje. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar për të filluar punën, sepse nëse e sheh realisht puna ka mund të fillojë menjëherë në qershor. Ka pasur të formohet një grup i përbashkët, ka pasur të formohet të emërohen disa persona dhe të fillojë puna. Por, prapë ndodhën këta termat e referencës, disa çështje shumë teknike filluan të bëhen problem. Ne i kemi dërguar Lajçakut, ai e ka dërguar në Serbi dhe sipas Lajçakut, Serbia e ka ndryshuar, ka bërë kërkesa tjera, apo edhe komente të tjera të referencës”, përfundon ai.

Ani pse Serbia nuk jep informacione për varrezat masive, familjarët kërkojnë nga institucionet vendore zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Porosia e neve familjarëve është që në plan-program të vitit të ardhshëm t’i lënë fjalët, le ta qesin realitetin në letër dhe le të fillojnë të punojnë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, kur dihen varrezat masive, si këtu, si në Serbi, kjo është porosia numër një. Nën dy, mos të shkohet edhe një muaj pas Vitit të Ri dhe nuk aprovohet ligji për personat e pagjetur. Është e tepërt, është turp ta përmendim ose ta lënë krejt”, tha ai.

Kosova vazhdon t’i kërkojë edhe mbi 1.600 persona të zhdukur me forcë nga policia e ushtria gjenocidiale serbe gjatë luftës së fundit në vendin tonë.

Lajmet

Ndalohet një person në Prishtinë për keqpërdorim detyre, ryshfet dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet N.A., i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i ndaluari dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim tjetërsimin e tyre.

Nga organet e ndjekjes bëjnë të ditur se pronat e përfshira në këtë skemë dyshohet se kapin vlera mjaft të mëdha financiare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikaten e Prokuroris Speciale

Continue Reading

Lajmet

Tensione dhe përplasje me policinë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Published

on

By

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.

Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.

Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.

Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Bekim Marmullaku takohet me profesorin nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore, Glenn Agung Hole, për mundësitë e bashkëpunimit akademik

Published

on

By

Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, priti në takim profesorin Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore (University of South-Eastern Norway – USN), me të cilin diskutoi mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për potencialin e bashkëpunimit në fushat e sipërmarrësisë, ekonomisë institucionale, zhvillimit rajonal dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Tregut mbyll një biznes në Zubin Potok dhe shqipton gjobë 6,000 euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara