Lajmet

S’ka kuorum për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore

Kjo pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votim.

Published

on

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar që do t’i hetojë kontratat njëburimore të Qeverisë Kurti. Kjo pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votim.

Gjatë diskutimit që ka zgjatur rreth tri orë, deputetët e opozitës e kanë akuzuar pushtetin për numër të madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë kësaj qeverisje.

Në sallë ishin të pranishëm 63 deputetë, ndërsa në votim morën pjesë 26 përfshirë edhe Konjufcën që votoi pro themelimit të këtij komisioni. Ata kanë kërkuar që Prokuroria të merret me hetimin e tyre. Por deputetët e pushtetit kanë thënë se themelimi i komisionit është ia panevojshëm dhe ka mohuar akuzat e opozitës se në këtë qeveri janë lidhur më shumë kontrata njëburimore se në qeveritë e kalaruar.

Shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka refuzuar t’i paraqesë në Kuvend pesë emrat e grupit të saj për komisionin hetimor, me arsyetimin se duhet të binden se opozita po kërkon zgjedhje fillimisht e pastaj i dërgojnë emrat.

“Shumë lartë e vlerësojmë ofertën për pesë anëtarë, ne frikësohemi se komisioni po i shtyn zgjedhjet e shumëkërkuara nga opozita dhe nuk po dimë a janë më me prioritet komisionet apo zgjedhjet. Derisa ta marrin vendimin dhe derisa të jemi të bindur se këta vërtetë po kërkojnë zgjedhje ne nuk i kemi këta 5 emra”, ka thënë ajo.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka propozuar një datë për zgjedhje.

“Marrë parasysh josinqeritetin e këtyre dhe frikën për të shkuar ne e dimë që ajo ka qenë vetëm një lojë fjalësh sepse këta nuk guxojnë ta shpërndajnë kuvendin më 9 qershor. Nuk mundet me kaq lehtësi dhe me këtë sportivitet kaq të madh me anashkalu votimin e një komisioni hetimor”, ka thënë Tahiri.

Kurse Driton Selmanaj nga LDK-ja ka thënë se komisioni hetimor duhet të themelohet, ndërkohë ka treguar pozicionin e partisë për zgjedhje.

“Atë që mund të them në emër të LDK, ne kemi filluar me u dashuruar në postulatin hajnat në burg, por jo hajnat në zgjedhje. Ne po duam hajnat vërtetë të përfundojnë në burg. Mesa po e shohim VV po do me shku me postulatin hajnat në zgjedhje sepse po i duhen paratë për të bërë fushatë edhe një herë. Ne insistojmë në themelimin e komisionin hetimor”, deklaroi Selmanaj.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se VV-ja po i ik temës së komisionit hetimor sepse ka frikë.

“Është një ikje nga tema nga komisioni hetimor që në fakt është frika e qeverisë me u ballafaqu me të vërtetën dhe mos emërimi i kandidatëve e vërteton pohimin tonë se tenderët njëburimorë janë vatra korruptive e kësaj qeverie”, deklaroi Tahiri.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara