Lajmet

S’ka buxhet për paga e mëditje për 600 specializantë të mjekësisë

Deputeti Eman Rrahmani ka thënë se specializantët e mjekësisë është e pamundur të hyjnë në kategorinë e pagave dhe mëditjeve.

Published

on

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) për mbulimin e pagave dhe mëditjeve të 600 specializantëve të mjekësisë, me arsyetimin se mundësitë buxhetore nuk ekzistojnë.

Kësisoj ky komision gjatë shqyrtimit të Projektbuxhetit 2022 në lexim të dytë, ka refuzuar edhe kërkesën e KOSTT-it për 33 milionë euro sa i përket rrymës në veri të Kosovës.

Kryesuesi i grupit punues për buxhetin 2022, deputeti Eman Rrahmani ka thënë se specializantët e mjekësisë është e pamundur të hyjnë në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, pasi siç tha ai tavanet buxhetore nuk mund ta lejojnë një gjë të tillë.

“Arsyeja e refuzimit të kërkesës të specializantëve është për shkak edhe të një diskutimi të përbashkët me Ministrinë e Financave, mundësitë buxhetore nuk ekzistojnë, janë tavanet buxhetore të cilat nuk e përballojnë një numër kaq të madh prej 600 specializantëve[…]Kërkesa e tyre është që të hyjnë në kategorinë e pagave dhe mëditjeve”, theksoi deputeti Rrahmani.

Ndërsa, për mjetet e kërkuara nga KOSTT-i për rrymën e shpenzuar në veri për vitin 2022, Komisioni vendosi pas shqyrtimit të Grupit punues ta refuzon këtë kërkesë prej 33 milionë eurove.

“Është edhe KOSTT-i që ka bërë një kërkesë, e cila ka të bëjë me mbulimin e shpenzimeve për humbjet e energjisë elektrike në vlerë prej 33 milionë euro, e cila është refuzuar nga grupi punues”, theksoi Rrahmani.

Komisioni ka shqyrtuar një nga një kërkesat e institucioneve për mjete shtesë buxhetore. Megjithatë shumicën prej tyre i ka refuzuar.

Zëvendës kryetari i këtij Komisioni nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar mungesën e ministrit të Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati në mbledhjet e këtij Komisioni kur po diskutohen ndarjet buxhetore.

“Prej fillimit të mbledhjes së Komisionit ne po e shohim që nuk është prezent ministri(Murati). Ne e di as arsyetimin pse nuk është këtu, prezent. Zakonisht çdo ministër I qeverive të kaluara ka qenë prezent në çdo pjesë të arsyetimit. Për këtë arsye vlerësoj që është mirë ftuar ministrin dhe me qenë prezent gjatë vendimmarrjes”, theksoi ai.

Mungesën e ministrit Murati e ka arsyetuar bashkëpartiaku i tij, kryetari i Komisionit, Armend Muja, derisa tha se deputeti Lushtaku qëllimisht po i keqinterpreton gjërat.

“Dua të jap një sqarim, tash po e shoh që je duke keq interpretuar gjërat qëllimisht. Ka qenë ministri në Grup punues së bashku gjatë gjithë ditë, ku ka qenë prezent edhe deputeti që është nga partia e juaj(deputeti Ferat Shala). Pra, këto konkluzione i kanë nxjerrë bashkë me ministrin. Këtë herë po I trajtojmë vetëm kërkesat buxhetore siç ka propozuar Grupi i specializuar punues”, tha ai.

Derisa deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti pati kritika për mënyrën e refuzimit dhe miratimit të kërkesave, është penguar nga stafi i Komisionit, për çka kryetari i Komisionit, Armend Muja kërkojë nga stafi ta dëgjojnë Hotin.

“Ne e miratuam kërkesën e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ne e miratuam këtë kërkesë prej 80 mijë euro mjete shtesë, por ne faktikisht s’kemi bërë asgjë lidhur me këtë, sepse amendamenti nuk është i plotë. Ku i marrim këto 80 mijë euro, cilës organizatë buxhetore ia zvogëlojmë buxhetin? Kërkesat që refuzohen, por ne po supozojmë që kërkesat që po i refuzojmë ne t’i refuzon edhe seanca. Çka nëse kërkesat të cilat Komisioni po i refuzon, në seancë marrin shumicën e votave. Edhe atëherë amendamentet nuk janë të plota, duhet të kthehet buxheti në leximin e tretë pastaj”, theksoi Hoti.

Komisioni pas shqyrtimit të grupit punues ka vendosur po ashtu që mos të aprovohen 31 kërkesat e komunave në vend, sikurse ajo për ARKP-in dhe Këshillit Gjyqësor.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfer gjatë shqyrtimit të Projektbuxhetit për vitin 2022 ka miratuar vetëm tri kërkesa nga institucionet për mjete shtesë buxhetore për 2022, atë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe pjesërisht Universitetit të Mitrovicës.

Derisa me propozim të kryetarit të komisionit, Armend Muja është vendosur që kërkesat e RTK-së dhe AKI-së për rritje të buxhetit të shqyrtohen në mbledhjen e nesërme të Komisionit.

lajme

Shawn Mendes reagon ashpër për situatën në Gaza: “Po ndodh një gjenocid para syve tanë, artistët të flasin”

Published

on

By

Këngëtari i njohur kanadez, Shawn Mendes, ka publikuar një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale në mbështetje të Palestinës, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të vrasjeve në Gaza dhe duke u kërkuar kolegëve të tij artistë që të mos heshtin.

Përmes një deklarate të shkruar, artisti 28-vjeçar e ka cilësuar situatën aktuale si gjenocid, duke theksuar se fëmijët dhe familjet palestineze kanë vuajtur tepër gjatë dhe kanë nevojë urgjente për ndihmë. Mendes ka bërë të ditur se është duke u informuar vazhdimisht për të kuptuar se si mund të kontribuojë dhe se tashmë ka dhuruar donacione për disa organizata humanitare, duke ftuar edhe ndjekësit e tij të veprojnë njëjtë.

“Miqtë e mi dhe kolegë artistë, e di që mund të duket e frikshme të flasësh hapur; e ndiej edhe unë tani teksa e shkruaj këtë… Por ndiej nevojën të bëj diçka për të ndihmuar. Sa më shumë prej nesh ta përdorin zërin, aq më afër ndryshimit jemi. Këta fëmijë në Palestinë janë detyruar të jenë trima për një kohë të gjatë. Tani është radha jonë të bëjmë të njëjtën gjë”, ka shkruar Mendes.

Në mbyllje të reagimit të tij, këngëtari ka bërë thirrje që të normalizohet ngritja e zërit në mbrojtje të atyre që vuajnë nga shtypja, duke listuar gjashtë hapa konkretë veprimi: dhuroni, edukohuni, inkurajoni, sfidoni, mbani përgjegjës ata që janë në pushtet dhe votoni. /E.A/

Continue Reading

Kulturë

Rrëfimi për luftën e UÇK-së mbush sallat me filmin “Sakrifica”

Published

on

By

Filmi vendor “Sakrifica”, me regji të Halil dhe Merita Budakovës, po vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe dhe fluks të lartë shikuesish në Cineplexx Prishtina, pas premierës së tij të mbajtur dy ditë më parë.

Duke trajtuar një temë të ndjeshme të historisë së Kosovës, realizimi kinematografik ka arritur të prekë publikun që nga nata e parë e shfaqjes, ku biletat u shitën me ritme të jashtëzakonshme.

“Sakrifica” sjell në ekranin e madh historinë e pesë vëllezërve, të cilët gjatë viteve 1997–1999 marrin vendimin t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas familjen dhe gjithçka që kanë për të luftuar për lirinë e vendit.

Për shkak të kërkesave të vazhdueshme dhe interesimit të lartë për ta parë këtë histori të guximit dhe atdhedashurisë, adhuruesit e filmit ftohen t’i sigurojnë me kohë biletat përmes platformës zyrtare të Cineplexx-it ose në arkat e kinemasë në Albi Mall. /E.A/

Continue Reading

lajme

Spanja mposht Çekinë dhe mbetet e pamposhtur në krye të grupit

Published

on

By

Spanja ka vazhduar rrugëtimin e shkëlqyer në Ligën e Kombeve, duke shënuar fitore minimale 1-0 ndaj Republikës së Çekisë në kuadër të Grupit 3 të Ligës A.

Kampionia e Evropës kaloi në epërsi në minutën e 39-të përmes Alex Baenës, i cili realizoi një gol të saktë. S

panja rrezikoi sërish me Fabian Ruiz, ndërsa një gol i Yeremy Pinos në fillim të pjesës së dytë u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Çekët e patën edhe më të vështirë nga minuta e 72-të, kur Ladislav Krejci u ndëshkua me karton të kuq pas rishikimit të një ndërhyrjeje në sistemin VAR.

Me këtë triumf, Spanja forcon pozitat në vendin e parë të grupit me 15 pikë të tubuara, pa pësuar asnjë humbje deri më tani. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Italia përmbys Francën 3-1 dhe merr kreun e grupit

Published

on

By

Kombëtarja e Italisë ka regjistruar fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur Francën me rezultat 3-1 pas një përmbysjeje dhe duke u ngjitur në vendin e parë të grupit me 10 pikë, aq sa kanë edhe “Gjelat”.

Ndeshja nisi më mirë për francezët, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 10-të me golin e Michael Olise, i cili përfitoi nga një gabim i portierit Gianluigi Donnarumma. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Roberto Mancini reagoi shpejt dhe barazoi shifrat në minutën e 26-të përmes Francesco Pio Espositos, pas asistimit nga Nicolo Cambiaghi.

Në pjesën e dytë, italianët shpërdoruan një rast të artë për të kaluar në epërsi, pasi Sebastiano Esposito humbi penalltinë në minutën e 60-të. Por vetëm tri minuta më vonë, Davide Frattesi realizoi për 2-1 pas një asistimi të Federico Dimarcos.

Fitoren e Italisë e vulosi sërish Francesco Pio Esposito në minutën e 75-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë pas një penalltie të shkaktuar nga Dayot Upamecano, për rezultatin përfundimtar 3-1. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara