Në Shqipëri zjarret janë përhapur pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Kapacitetet e vendit për përballimin e situatës janë modeste, autoritetet shqiptare janë në bisedime për ardhjen e ndihmës nga BE.
Prej disa ditësh Shqipëria ndodhet e përfshirë nga zjarret, pothuajse në të gjithë territorin e saj. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Emergjencave Civile zjarret janë përhapur nga veriu në jug duke përfshirë pyje, kullota dhe prona private në 13 rrethe: Shkodër, Lezhë, Pukë, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë ku 9 vatra zjarri janë aktive.
Dëmet e deritanishme janë të mëdha. Zjarret shkaktuan të martën (03.08) edhe një viktimë: Andrea Haxhiaj, 64 vjeꞔ, banor në një fshat në Njësinë Administrative të Lunxhërisë, (qarku i Gjirokastrës) u gjend i pajetë në kopshtin pranë banesës, nga asfiksia në përpjekje për të shuar flakët që kishin përfshirë vreshtin e tij. Bashkëshortja e tij është plagosur rëndë dhe ndodhet në spital; i plagosur është edhe një efektiv i Forcave të Armatosura bëjnë me dije burime nga Komiteti i Emergjencave Civile. Në Vlorë dhe Fier janë shkatërruar qindra hektarë me pyje, kullota e mijëra rrënjë ullinj. Banorët e 3 fshatrave në luginën e lumit Drino në Gjirokastër, janë evakuar nga forcat e Policisë dhe të Ushtrisë.
Peleshi: Situata serioze në Karaburun
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një deklaratë publike e quajti situatën serioze sidomos në gadishullin e Karaburunit, (qarku i Vlorës) ku vatra e zjarrit vazhdon të mbetet aktive që prej tri ditësh dhe “ka marrë përmasa të rrezikshme, e ndihmuar nga era”, ka theksuar ai të marten.
Edhe në malet e fshatrave Tragjas dhe Dukat, po në qarkun e Vlorës, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll. Mbi 500 forca ushtarake dhe zjarrfikës ndodhen në gadishull dhe në këto dy fshatra, ku po përdoren edhe helikopterë për të shuar zjarret nga ajri. Por situata është vënë nën kontroll në pyjet me pisha të Parkut Kombëtar të Llogarisë dhe është evituar arritja e zjarrit në bazën ushtarake të Pashalimanit, bëjnë me dije burime zyrtare nga Agjencia e Mbrojtjes Civile. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme një zjarr i madh ka përfshirë edhe pyjet e FushëArrëzit, në Pukë.
Kapacitetet e Shqipërisë në mjete për të përballuar një përhapje të tillë zjarresh pothuajse në të gjithë territorin e saj janë modeste. Përfshirja e të gjithë rajonit nga zjarret si pasojë e tempetaturave të larta të fundkorrikut dhe fillim gushtit vështirëson ardhjen e mbështetjes nga vendet fqinjë dhe partnere.
Mbështeje nga BE, SHBA dhe rajoni
Burime zyrtare thanë për DW se autoritetet në Shqipëri kanë biseduar ndërkohë për të marrë mbështetje nga Mekanizmi i BE për Mbrojtjen Civile, i cili e mbështeti fuqimisht Shqipërinë në përballimin e zjarreve të verës 2017 me avionë zjarrfikës dhe harta satelitore Kopernikus, që ndihmojnë në identifikimin e vatrave të zjarrit dhe efikasitetin për t’i shuar ato. Presidenti Meta u bëri thirrje të martën autoriteteve “për t’i drejtur sa më parë kërkesën për ndihmë këtij mekanizmi dhe ꞔdo vendi partner që ka mundësi të ndihmojë”
Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes deri tani janë bërë bisedime me qeveritë e Kosovës, Italisë dhe Kroacisë për mbështetje me mjete në vartësi nga zhvillimi i situatave të tyre, lidhur me zjarret.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,(SHBA) në Tiranë, në një reagim në median sociale për situatën e rëndë nga zjarret, vë në dukje se “SHBA kanë qenë dhe do të qëndrojnë gjithmonë krah Shqiperisë në kohë nevoje. Pajisjet e Forcave të Armatosura për shuarjen e zjarrit janë pjesë e një dhurate prej 360 mijë dollarësh nga Komanda Europine e SHBA.”
Zjarre të qëllimshme, zjarrvënës të arrestuar
Situata e vështirë, që i duhet të përballojë Shqipërtisë, në një përhapje kaq të gjerë të zjarreve nuk është shkaktuar vetëm nga temperaturat e larta mbi 40 gradë Celsius. Policia në një njoftim zyrtar, bëri me dije se arrestoi të martën tre persona, në qarkun e Vlorës dhe një në qarkun e Përmetit të dyshuar për zjarrvënie. Zv.Kryeministri, Erion Braꞔe në median sociale i quan madje të gjitha zjarret në territorin e Shqipërisë, “të qëllimshme dhe gjithë autorët e tyre ,kanë kryer krim dhe duhet të përgjigjen para ligjit.”
Finlanda hodhi poshtë të martën çdo koncesion territorial ndaj Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje diplomatike për Ukrainën dhe paralajmëroi se veprime të tilla nuk do të sjellin paqe, por përkundrazi do të inkurajojnë “agresionin” e mëtejshëm rus në rajon, shkruan Anadolu.
Ministrja finlandeze e Jashtme, Elina Valtonen, tha në një konferencë vjetore të ambasadorëve në Berlin se sulmet ajrore të fundit të Rusisë mbi Ukrainën – më të ashpra që nga fillimi i luftës – tregojnë qartë se Rusia nuk është gati për një armëpushim, e lëre më për negociata.
“Nëse gjatë negociatave do të sakrifikoheshin pjesë të territorit ukrainas ose elemente të sovranitetit të saj, nuk do të zgjidhnim problemin thelbësor, por përkundrazi potencialisht do të thellonim agresionin e Rusisë”, paralajmëroi ministrja.
“Presidenti rus Putin po zhvillon luftë hibride në të gjithë Evropën – duke ndikuar në zgjedhje, duke ndërprerë sistemet GPS për trafikun ajror, dhe duke vendosur një flotë të errët në rajonin e Detit Baltik. Problemi me Putin nuk mund të zgjidhet në kurriz të Ukrainës”, shtoi ajo.
Valtonen argumentoi se shtetet perëndimore duhet të ruajnë mbështetjen e fortë për Ukrainën, të kufizojnë strategjikisht ambiciet e Rusisë dhe të ngushtojnë opsionet e Moskës duke vendosur sanksione më të rrepta tregtare dhe ekonomike dhe duke aplikuar takse mbi të gjitha eksportet ruse në tregun e brendshëm të BE-së./D.B/KP
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar lidhur me akuzat e fundit të zyrtarëve shtetëror mbi Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese së fundmi reagoi përmes një reagimi publik duke thënë se përpjekjet për ndërhyrje në këtë gjykatë cënojnë ndarjen e pushtetit duke potencuar se pavarësia e këtij institucioni është gurthemel i shtetit të Kosovës.
Ambasada e Gjermanisë thotë se pavarësia e drejtësisë është gurthemel i sundimit të ligjit, duke i bërë thirrje akterëve politikë dhe institucional të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit gjyqësor.
“Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, Ambasada e Gjermanisë dëshiron të bëjë këtë deklaratë:Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë së drejtësisë si gurthemel i sundimit të ligjit. Ne i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë sistemit gjyqësor dhe të heqin dorë nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet personale“, ka shkruar Ambasada e Gjermanisë.
Kujtojmë se këto reagime erdhën pas vendosjes së masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Masa e përkohshme u vendos nga Gjykata Kushtetuese deri me 30 shtator pas ankesës së Listës Serbe pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur nënkryetarin e pestë të legjislativit nga ana e komunitetit serb./D.B/KP
Në pikën kufitare në Merdare, autoritetet serbe kanë arrestuar një shtetas të Kosovës, H. H. (i lindur në vitin 1948), mbi pretendimet e tyre se ka kryer krime lufte ndaj civilëve.
Sipas MPB-së serbe, ai dyshohet se në qershor të vitit 1999, në qytetin e Podujevës, në bashkëkryerje me disa persona të tjerë të armatosur, ka privuar nga jeta civilë të nacionalitetit serb, gjatë periudhës së pasluftës në Kosovë.
Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe pritet që me kallëzim penal të dërgohet në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd./D.B/EO
Në kuadër të Festivalit tradicional “Hardh Fest”, që është kthyer në një ndër ngjarjet e rëndësishme kulturore në vend, u mbajt aktiviteti Hardh Talk, ku këtë vit ligjwroi profesori i UBT-së, Prof. Ass. Dr. Hamëz Rama.
Ligjërata e tij, me temën “A mund të jetë vera pasaporta e re për zhvillimin ekonomik dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës?”, ngjalli interesim të madh tek publiku i pranishëm. Rama theksoi se vera, dhe në veçanti ajo e Rahovecit, mund të shërbejë si një element identitar dhe si një instrument i fuqishëm ekonomik, duke promovuar vendin në tregjet ndërkombëtare.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi. Ngjarja, e cila u zhvillua në ambientet tradicionale të Bodrumit të Vjetër në Rahovec, mblodhi së bashku ekspertë të industrisë, akademikë dhe përfaqësues institucionesh, duke hapur një debat të gjerë mbi rolin e industrisë së verës në zhvillimin ekonomik dhe turizmin në Kosovë.