Lajmet

Sistemet e Informacionit në UBT: Nga analist i sistemeve te specialist i të dhënave

Published

on

Rreth 170 milionë vende të reja pune pritet të krijohen në mbarë botën deri në vitin 2030, ndërsa teknologjia, inteligjenca artificiale, të dhënat dhe transformimi digjital po ndryshojnë me shpejtësi kërkesat e tregut të punës. Kështu vlerëson World Economic Forum në raportin “Future of Jobs Report 2025”, ku profesionet e lidhura me teknologjinë, të dhënat dhe inteligjencën artificiale renditen ndër ato me rritjen më të shpejtë të kërkesës.

Pikërisht në këtë realitet të ri profesional pozicionohet edhe programi Bachelor në Sistemet e Informacionit në UBT, i cili synon të përgatisë profesionistë që dinë ta lidhin teknologjinë me të dhënat, biznesin dhe nevojat e organizatave.

Programi – Sistemet e Informacionit është ndërtuar mbi një qasje që e sheh teknologjinë jo vetëm si mjet teknik, por si pjesë të rëndësishme të funksionimit dhe zhvillimit të një organizate. Sot, sistemet e informacionit janë pjesë e produkteve, shërbimeve, operacioneve dhe proceseve të menaxhimit. Ato ndihmojnë kompanitë dhe institucionet të organizojnë informacionin, të analizojnë të dhënat, të përmirësojnë proceset dhe të marrin vendime më të informuara.

Për këtë arsye, kurrikula e Sistemeve të Informacionit në UBT ndërthur disa fusha të rëndësishme. Krahas njohurive në informatikë, studentët marrin bazë në matematikë, statistika, komunikim dhe funksionet e biznesit. Kështu duke i mundësuar studentit të kuptojë jo vetëm mënyrën se si ndërtohet një sistem, por edhe problemin që ai sistem duhet të zgjidhë.

Gjatë studimeve, studentët zhvillojnë aftësi për të analizuar probleme, për të identifikuar kërkesat e nevojshme teknologjike dhe për të hartuar, zbatuar dhe vlerësuar sisteme, procese dhe programe kompjuterike. Një pjesë e rëndësishme e formimit lidhet edhe me aftësinë për të punuar në grup, për të komunikuar në mënyrë efektive dhe për të përdorur teknikat dhe mjetet që kërkohen në praktikën profesionale.

Kjo qasje lidhet drejtpërdrejt me objektivat e programit, të cilat synojnë që të diplomuarit të jenë në gjendje të aplikojnë njohuritë e informatikës dhe matematikës, të analizojnë probleme dhe të ndërtojnë zgjidhje që përmbushin objektivat e përcaktuara. Po ashtu, programi synon të zhvillojë te studentët aftësinë për të kuptuar ndikimin e teknologjisë në individë, organizata dhe shoqëri, në nivel lokal dhe global.

Një element i rëndësishëm është edhe orientimi drejt nevojave të industrisë. Kurrikula është konceptuar për të përgatitur të diplomuar që mund të hyjnë në pozitat fillestare në fushën e Sistemeve të Informacionit, por që njëkohësisht të kenë bazën e nevojshme për të ndërtuar një karrierë afatgjatë.

I diplomuari në Sisteme të Informacionit nuk kufizohet vetëm në një rol teknik. Formimi i tij e vendos në pikën ku takohen teknologjia, biznesi, të dhënat dhe menaxhimi.

Në tregun e punës, kjo mund të përkthehet në mundësi për të punuar si analist i sistemeve të informacionit, analist biznesi, specialist i teknologjisë së informacionit, administrator i sistemeve, specialist i të dhënave, koordinator i projekteve teknologjike dhe në role të tjera që kërkojnë aftësi për të analizuar dhe përmirësuar mënyrën se si organizatat përdorin teknologjinë dhe informacionin.

Kërkesa për këto aftësi po rritet edhe në tregjet ndërkombëtare. Profesionet e lidhura me sistemet, të dhënat, sigurinë e informacionit dhe zhvillimin teknologjik janë ndër ato që pritet të kenë rritje të ndjeshme gjatë viteve të ardhshme. Kjo e bën një formim të gjerë dhe të përshtatshëm me zhvillimet teknologjike veçanërisht të rëndësishëm për të rinjtë që synojnë një karrierë në këtë sektor.

Programi Bachelor në Sistemet e Informacionit në UBT është ndërtuar pikërisht për këtë realitet. Në vend të një përgatitjeje të kufizuar në një teknologji të caktuar, studentët marrin një bazë të gjerë që u mundëson të përshtaten me ndryshimet e tregut dhe të vazhdojnë zhvillimin profesional edhe pas përfundimit të studimeve.

Kurrikula përfshin edhe komponentë që forcojnë aftësitë analitike dhe sasiore, përmes matematikës dhe statistikave, ndërsa kurset e komunikimit synojnë të zhvillojnë aftësinë për të komunikuar qartë dhe profesionalisht. Njohuritë nga fusha e biznesit u japin studentëve mundësinë të kuptojnë proceset, ekonominë dhe funksionet që qëndrojnë pas organizatave ku teknologjia zbatohet.

Kështu, studenti nuk përgatitet vetëm për të punuar me një sistem, por për të kuptuar të gjithë mjedisin në të cilin ai sistem funksionon.

Në një treg pune ku ndryshimi teknologjik është bërë pjesë e përditshmërisë, një nga aftësitë më të rëndësishme është edhe gatishmëria për të mësuar vazhdimisht. Programi synon pikërisht këtë: të krijojë profesionistë me bazë të fortë akademike dhe praktike, por edhe me aftësi për t’u zhvilluar më tej gjatë karrierës.

Sistemet e Informacionit, në këtë kuptim, ofrojnë një profil që shkon përtej idesë tradicionale të një profesioni vetëm në teknologji. Është një fushë ku njohuritë teknike kombinohen me analizën, komunikimin dhe kuptimin e biznesit.

Për studentët që duan të hyjnë në botën e teknologjisë, por dëshirojnë një profil më të gjerë dhe më fleksibil, Bachelor-i në Sistemet e Informacionit në UBT ofron një rrugë që mund t’i çojë nga auditorët drejt roleve ku teknologjia përdoret për të zgjidhur probleme reale dhe për të krijuar vlerë në organizata.

lajme

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

lajme

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Lajmet

Rama fajëson “duart e huaja” për trazirat në Shqipëri

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për qetësi të premten, dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore, ndërsa protestuesit u mblodhën sërish në kryeqytet dhe në qytete të tjera.

Që nga e marta, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku mijëra protestues kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës për shkak të kushteve të këqija në universitete dhe tarifave të larta të studimit.

Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera, ndërsa studentët iu bashkuan bojkotit të universiteteve, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm pas muajsh protestash kundër qeverisë në vend.

Përleshjet gjatë natës mes policisë dhe grupeve të protestuesve, shumica e të cilëve të maskuar, vazhduan deri në orët e para të së premtes.

Hyrja e Ministrisë së Financave u përfshi nga flakët, ndërsa xhamat e një kompleksi universitar u thyen.

Sipas një deklarate të Policisë, 160 protestues u ndaluan të enjten në mbrëmje për kryerjen e akteve të dhunshme.

Protestuesit grumbulluan dhe dogjën kontejnerë mbeturinash për të bllokuar rrugët, si dhe hodhën gurë drejt Policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë.

Një gazetar i AFP-së pa, gjithashtu, grupe të maskuara duke thyer vitrina dhe duke plaçkitur dyqane. Të njëjtat incidente u raportuan edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Të premten në mëngjes, qindra protestues marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, e cila mbetet një nga pikat kryesore të protestave.

Përleshjet kanë lënë pas ndërtesa qeveritare me dëme të mëdha, vitrina të thyera dyqanesh dhe dhjetëra persona të arrestuar.

Përshkallëzimi i protestave këtë javë vjen pas muajsh të tërë demonstratash kundër qeverisë, të cilat fillimisht u nxitën nga një projekt i diskutueshëm për zhvillimin e një resorti, i lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një deklaratë të premten, Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.

“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.

Ai akuzoi “duar të huaja”, pa i identifikuar ato, se po nxisin trazirat dhe synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Që nga e marta, dhjetëra persona, kryesisht zyrtarë policorë, janë plagosur në përleshje, sipas autoriteteve.

Burimi: AFP / REL

Continue Reading

Lajmet

127 të arrestuar pas protestave në Shqipëri, hetohen thirrjet për akte terroriste

Published

on

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.

Sipas tij, janë lënduar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit.

Ziu bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.

“Deri në këto momente në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike”, ka thënë ai.

Ziu ka treguar edhe për rastet në qytetet e tjera. Në Durrës, ka thënë se janë arrestuar 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, në Korçë janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, në Vlorë janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas.

Gjatë protestës në Shkodër Ziu ka deklaruar se është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Ai theksoi se autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.

Kurse, në Elbasan janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas dhe në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, shtoi ai.

“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”.

Sa i përket rasteve të dyshuara për akte ekstreme, Ziu ka theksuar po bashkëpunojnë me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.

“Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, potencoi ai.

Ziu u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.

Ndërkohë Ziu ka theksuar se po udhëzojnë punonjësit e policisë që “pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet”.

Gjatë katër ditëve është raportuar për ushtrim dhune nga policët drejt qytetarëve./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara