Lajmet

Sipas Berishës, situata në veri është shumë e tensionuar

Ai ka thënë se siguria e shtetit po cenohet nga forcat e xhandarmërisë serbe përmes pikave të tjera kufitare.

Published

on

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha ka thënë se situata në veri të vendit është shumë e tensionuar, por sipas tij Qeveria e Kosovës po mundohet të mbajë situatën e relaksuar.

Berisha në një konferencë për media ka thënë se siguria e shtetit po cenohet nga forcat e xhandarmërisë serbe përmes pikave të tjera kufitare.

“Qeveria e Kosovës po e mban situatën kinse të relaksuar sikur të mos kishte ndodhur asgjë. U siguroj dhe e di saktë çka po flas, situata në veri është shumë e tensionuar por jo vetëm në veri, pro nuk i përmenda pahiri edhe 360 kilometra që na ndajnë me Serbinë e që sovraniteti, integriteti i vendit tonë shkelet për çdo ditë, nga forcat e xhandarmërisë serbe”, ka thënë Berisha.

Ai ka përmendur raportimet në media ditë më parë ku është përfolur se forcat serbe kanë hyrë në rajonin e Istogut, që sipas Berishës kjo tregon që qeveria është e dobët dhe e ka mendjen vetëm në veri të vendit duke lënë anash pikat e tjera kufitare me Serbinë.

“Brenda territorit të Kosovës para disa ditësh kanë cenuar dhe po cenojnë sigurinë e shtetit tonë (forcat serbe). Kjo tregon të vërtetën që kemi një qeveri të dobët në ruajtjen e sigurisë së vendit pasi vëmendja politike dhe qeveritare është shpërngulur vetëm në pikat kufitare në veri dhe në marrëveshjen finale me Serbinë, ndërsa kjo ka bërë që forcat serbe të hyjnë brenda territorit të Kosovës në shumë pika të tjera. Dhe kjo është shkelje e drejtpërdrejt e sovranitetit tonë shtetëror. Nga këtu ftoj organet e rendit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet përkatëse që të zbardhin rastin dhe detajet e kësaj ngjarje. Urgjentisht të shtrohen patrullimet rreth vijës kufitare me Serbinë e cila është diku 360 kilometra vijë ndarëse në mes dy vendeve”, ka thënë ai.

lajme

UBT dhe MIDAS IT nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për inxhinierinë e ndërtimit

Published

on

By

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi (MoU) me kompaninë ndërkombëtare MIDAS IT, një ndër kompanitë lidere në zhvillimin e softuerëve të avancuar për analizën dhe projektimin inxhinierik, me fokus në avancimin e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të kompetencave profesionale të studentëve.

Marrëveshja është nënshkruar nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Visar Krelani, dhe përfaqësuesi i MIDAS IT, Michal Lesny, në cilësinë e Academic Business Manager.

Ky bashkëpunim dhe vizita e përfaqësuesve të MIDAS IT në UBT u realizuan me iniciativën dhe koordinimin e Prof. Bledian Nela.

Në kuadër të vizitës, për studentët e nivelit Bachelor është organizuar një prezantim i platformave softuerike të MIDAS IT, ku janë trajtuar mundësitë e aplikimit të teknologjive të avancuara kompjuterike në analizën, modelimin dhe projektimin e strukturave inxhinierike.

MIDAS IT është një kompani me origjinë nga Koreja e Jugut, e njohur ndërkombëtarisht për zhvillimin e zgjidhjeve softuerike në fushën e inxhinierisë strukturore, gjeoteknikës dhe infrastrukturës duke përfshirë një domenë të gjerë standardesh ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe Eurocode-t. Produktet e saj përdoren nga profesionistë, institucione akademike dhe qendra kërkimore në mbarë botën për projektimin dhe analizën e veprave komplekse inxhinierike.

Në mesin e platformave të prezantuara, vëmendje e veçantë u është kushtuar softuerëve:

  • MIDAS GEN NX – platformë për analizën dhe projektimin e ndërtesave dhe strukturave të përgjithshme inxhinierike, duke mundësuar analiza të avancuara statike, dinamike dhe jolineare.
  • MIDAS CIVIL NX – softuer i specializuar për analizën dhe projektimin e urave dhe strukturave infrastrukturore, duke përfshirë analizën e ngarkesave lëvizëse, analizën sipas fazave të ndërtimit, vlerësimin sizmik dhe simulimet jolineare.
  • MIDAS GTS NX – platformë për analiza gjeoteknike dydimensionale dhe tridimensionale, e aplikueshme në projektimin dhe analizën e tuneleve, themeleve, shpateve, gërmimeve dhe ndërveprimit ndërmjet truallit dhe strukturës

Një nga përfitimet kryesore të kësaj marrëveshjeje është sigurimi nga MIDAS IT i një numri të konsiderueshëm licencash të versioneve të plota të këtyre softuerëve, të cilat do të vihen në dispozicion të studentëve dhe stafit akademik të UBT-së për realizimin e detyrave dhe projekteve akademike, zhvillimin e punimeve të diplomës dhe realizimin e hulumtimeve shkencore.

Ky bashkëpunim krijon mundësi të reja për integrimin e metodave të avancuara numerike dhe teknologjive bashkëkohore në procesin mësimor, duke u mundësuar studentëve të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike në përdorimin e instrumenteve profesionale të aplikuara në industrinë ndërkombëtare të ndërtimit.

Përmes kësaj marrëveshjeje, UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin në ndërkombëtarizimin e arsimit, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë, avancimin e infrastrukturës teknologjike dhe përgatitjen e gjeneratave të reja të inxhinierëve në përputhje me kërkesat dhe standardet bashkëkohore të profesionit.

 

Continue Reading

Lajmet

Samiti BE–Ballkani Perëndimor mbahet sot në Bruksel, në fokus zgjerimi dhe Plani i Rritjes

Published

on

By

Liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor;  Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, mblidhen sot në Bruksel për Samitin e nivelit të lartë BE–Ballkani Perëndimor. Takimi synon të avancojë dialogun politik, perspektivën evropiane të rajonit dhe hapat konkretë drejt integrimit në institucionet e BE-së.

Punimet e ketij Samiti do të drejtohen nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në rendin e ditës janë procesi i zgjerimit, reformat politike, ekonomike e institucionale, sundimi i ligjit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe qëndrueshmërisë përballë sfidave gjeopolitike. Një vend të rëndësishëm në diskutime do të zërë integrimi gradual në tregun e përbashkët evropian dhe zbatimi i Planit të Rritjes prej gjashtë miliardë eurosh, të prezantuar nga Komisioni Evropian në vitin 2023.

Sipas programit zyrtar, takimi nis në orën 17:00 me mbërritjen e delegacioneve dhe deklaratat për media, vijon me pritjen zyrtare në orën 17:40 dhe seancën plenare në orën 18:00. Pas fotografisë së përbashkët në orën 19:05 dhe konferencës për shtyp në ndërtesën “Europa” në orën 19:15, samiti përmbyllet me darkën e punës në orën 20:00.

Ky format takimesh organizohet rregullisht që nga viti 2018, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend i rajonit pa statusin e kandidatit për anëtarësim eurosh, i prezantuar nga Komisioni Evropian në vitin 2023 për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik të rajonit.

Sipas agjendës zyrtare, punimet nisin në orën 17:00 me mbërritjen e delegacioneve, vijojnë me seancën plenare në orën 18:00 dhe konferencën për media në orën 19:15, për t’u mbyllur me darkën e punës në orën 20:00. Ky samit zhvillohet në një kohë kur Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

“Familja moderne” rikthehet në RTK, kësaj radhe në formatin HD

Published

on

By

Seriali humoristik “Familja moderne”, një ndër prodhimet më të ndjekura të publikut në Kosovë, rikthehet në ekranin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) me cilësi të lartë të figurës, në formatin HD. Njoftimi u dha nga televizioni publik përmes rrjeteve sociale, duke ftuar shikuesit të rijetojnë momentet komike që kanë shoqëruar breza të tërë.
Për vite me radhë, seriali mblodhi familjet para ekranit me batutat, personazhet e veçantë dhe situatat e përditshme që mbeten të paharrueshme në historinë televizive vendore. Rikthimi i tij pritet të sjellë nostalgji për shikuesit e hershëm, por edhe t’u japë mundësi brezave të rinj ta zbulojnë për herë të parë.
“Ju mungonte? Edhe neve. ‘Familja moderne’ kthehet në RTK, tani në HD. Të njëjtat qeshje, më shumë pikselë”, thuhet në njoftimin e RTK-së. Sipas televizionit publik, transmetimi do të nisë çdo të diel nga ora 20:05. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Sulmohet me thikë një person në Pejë, i dyshuari në arrati

Published

on

By

Një burrë është sulmuar me thikë në rrugën “Vrana Konti” në Pejë, në një rast që policia po e heton si vrasje në tentativë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima ka raportuar se një person i panjohur ka dalë nga një veturë, e ka sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur.

I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po mbahet në repartin e kirurgjisë.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara