Lajmet

Si vendosin kur keni shumë zgjedhje në dispozicion?

Published

on

Është një gjë të vendosësh midis 2 ose 3 ushqimeve të gatshme në shtëpinë e një shoku. Por çfarë bëjnë njerëzit kur përballen me një makinetë që u ofron 36 mundësi të ndryshme?

Nga Jeff Grabmeier

Një studim i ri që përdor teknologjinë e vëzhgimit të syve, sugjeron se sasia e kohës që kalojnë njerëzit duke parë sende të veçanta, mund t’i ndihmojë në të vërtet ata që të vendosin.

Gjetjet e studimit treguan se njerëzit kishin tendencën të zgjidhnin ushqimet të cilat i kishin parë më gjatë, ndonjëherë edhe mbi ushqimet që zakonisht i vlerësojnë më shumë. “Ne mund të kryenim një studim të mirë duke parashikuar atë që do të zgjidhnin njerëzit,bazuar vetëm në vlerësimet e tyre për ushqimet në dispozicion të tyre. Por ne mund të bënim një studim edhe më më të mirë duke llogaritur kohën që ata shihnin secilin nga ushqimet”- thotë Jan Krajbish, bashkëautor i studimit dhe profesor i asociuar i psikologjisë dhe ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos, SHBA.

Por sasia e kohës që kaluan njerëzit duke parë ushqime të veçanta,nuk është e gjithë historia se si vendosin njerëzit kur kanë shumë alternativa, thekson Krajbish. “Është pak më e komplikuar se kaq”-tha ai. Krajbish e kreu studimin me autorin kryesor Armin Tomas nga Universiteti Teknik iBerlinit dhe Feliks Molter nga Universiteti i Berlinit.

Kërkimi u botua këtë javë në revistën “eLife”. Studimi përfshiu 49 njerëz që thanë se ishin adhurues të ushqimeve të gatshme dhe që ranë dakord të agjëronin të paktën 4 orë para studimit, për t’u siguruar që detyra të ishte e rëndësishme për ta.

Në një ekran kompjuteri pjesëmarrësve iu treguan grupe me 9, 16, 25 ose 36 ushqime të ndryshme,duke iu kërkuar që të zgjidhnin se çfarë do të donin të hanin më shumë në fund të eksperimentit. Ata e bënë këtë shumë herë gjatë eksperimentit.

Një gjurmues i syve, regjistroi saktësisht se si silleshin ata ndërsa bënin këto zgjedhje. Pas eksperimenteve, pjesëmarrësit vlerësuan se sa u pëlqyen të gjitha 80 ushqimet që ishin pjesë e studimit. Rezultatet treguan se njerëzit nuk i shihnin me kujdes të gjitha artikujt përpara se të bënin një zgjedhje, apo edhe të shihnin secilin ushqim derisa të gjenin një nga të preferuarit e tyre.

Përkundrazi, ata shihnin përreth në një mënyrë që në shikim të parë dukej e rastësishme, por varej nga vendndodhja fizike e sendeve, si dhe nga sa u pëlqente.“Ekziston procesi i skanimit periferik ku njerëzit mësojnë të shmangin edhe shikimin e drejtpërdrejtë të ushqimeve që nuk u pëlqejnë vërtet”- thotë Krajbish.

“Kjo nuk është diçka që ne e shohim në studime ku pjesëmarrësit kanë vetëm dy alternativa. Kjo ndodh vetëm kur ata kanë shumë mundësi”-shton ai. Një nga teoritë kryesore midis studiuesve është se kur njerëzve u paraqiten shumë zgjedhje, ata skanojnë alternativat derisa të gjejnë diçka që është “mjaft e mirë”, në këtë rast një ushqim që do t’ju shijojë, pavarësisht nëse është apo jo i preferuari i tyre.

Por kjo nuk është ajo që ndodhi, thotë Krajbish. Nëse ky model do të ishte i vërtetë, njerëzit do të hiqnin dorë nga kërkimi sapo të gjenin një ushqim mjaftueshëm të mirë. Por rezultatet treguan se pjesëmarrësit zgjodhën ushqimin e fundit që panë vetëm në rreth 45 për qind të kohës.

Në vend të kësaj, ajo që ndodhte më shpesh ishte se njerëzit shikonin shpesh artikujt, duke shkuar para dhe prapa ndërmjet tyre, derisa një artikull të dallohej nga të tjerët – shpesh ishin ushqimet e gatshme ato që njerëzit shikonin më shumë.“Njerëzit bënë një zgjedhje kur arritën në përfundimin se opsioni më i mirë, ishte mjaftueshëm më i mirë se sa opsioni tjetër shumë më i mirë”- tha ai.

Vendi ku ushqimet shfaqeshin në ekran – majtas apo djathtas, lart apo poshtë – nuk luante shumë rol në vendimmarrjen e njerëzve. Pjesëmarrësit filluan shpesh të shihnin në pjesën e sipërme dhe në të majtë të ekranit, dhe pastaj shihnin nga e majta në të djathtë, nga lart poshtë – por vetëm në një masë të kufizuar. / “Medical Xpress” – Bota.al

Continue Reading

lajme

Profesionet me rritjen më të shpejtë në botë janë pjesë e ofertës akademike të UBT-së

Published

on

By

Në një kohë kur teknologjia po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë ekonomitë, bizneset dhe institucionet publike, një pyetje bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për të rinjtë: cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme?

Përgjigjja vjen nga Future of Jobs Report 2025, raporti i World Economic Forum, i cili analizon transformimin e tregut global të punës përmes të dhënave të mbledhura nga mijëra punëdhënës në mbarë botën. Sipas raportit, deri në vitin 2030 do të krijohen rreth 170 milionë vende të reja pune, ndërsa miliona role tradicionale do të transformohen ose do të zëvendësohen si rezultat i inteligjencës artificiale, automatizimit, tranzicionit të gjelbër dhe transformimit digjital.

Në krye të listës së profesioneve me rritjen më të shpejtë renditen Big Data Specialists, FinTech Engineers, Artificial Intelligence and Machine Learning Specialists, Software and Applications Developers, Security Management Specialists, Information Security Analysts, Data Scientists, UI/UX Designers, Internet of Things Specialists, Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers, si dhe specialistët e automjeteve autonome dhe elektrike.

Në këtë kontekst, një analizë e ofertës akademike të UBT-së tregon një përputhje të qartë me prioritetet që identifikon World Economic Forum. Institucioni ka ndërtuar një ekosistem të arsimit të lartë që i përgjigjet transformimit të tregut të punës, duke ofruar programe studimi në fusha që lidhen drejtpërdrejt me profesionet me rritjen më të shpejtë në nivel global.

Në fushën e teknologjisë, UBT ofron programe si Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, Inxhinieri e Mekatronikës, si dhe specializime në Inteligjencë Artificiale, Data Science, Cyber Security, Cloud Computing, Machine Learning, Internet of Things (IoT) dhe Robotikë, duke përgatitur profesionistë për rolet që raporti i World Economic Forum i rendit ndër më të kërkuarat në botë.

Një nga profesionet me rritjen më të shpejtë sipas raportit është FinTech Engineer, një profil që po transformon sektorin financiar përmes teknologjisë. Duke e parë këtë zhvillim, UBT ka zhvilluar programin FinTech, i cili kombinon financën, teknologjinë, analizën e të dhënave dhe inovacionin digjital, duke përgatitur specialistë për industrinë financiare të së ardhmes.

Transformimi global nuk kufizohet vetëm në sektorin e teknologjisë. Raporti evidenton se tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër po krijon një kërkesë të jashtëzakonshme për Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers dhe specialistë të sistemeve energjetike. Për këtë arsye, programet e Inxhinierisë së Mjedisit, Inxhinierisë së Energjisë dhe Inxhinierisë Mekanike në UBT marrin një rëndësi strategjike, duke përgatitur profesionistë që do të kontribuojnë në zhvillimin e energjisë së pastër, teknologjive të qëndrueshme, efikasitetit energjetik dhe infrastrukturës moderne.

Në të njëjtën kohë, zhvillimi i industrisë automobilistike drejt automjeteve elektrike dhe autonome po krijon mundësi të reja për inxhinierët mekanikë dhe ekspertët e sistemeve inteligjente, fusha në të cilat UBT ka investuar në laboratorë modernë dhe mjedise praktike të të nxënit.

Raporti i World Economic Forum evidenton gjithashtu rritjen e vazhdueshme të kërkesës për profesionet që lidhen me sigurinë. Përveç Information Security Analysts, të cilët mbrojnë infrastrukturat digjitale nga sulmet kibernetike, raporti rendit edhe Security Management Specialists, si rezultat i sfidave të reja gjeopolitike dhe rritjes së nevojës për menaxhimin e rreziqeve. Në këtë drejtim, UBT ofron programe në Studime të Sigurisë, krahas programeve në Cyber Security, duke kombinuar sigurinë fizike, sigurinë kombëtare dhe atë digjitale në një qasje multidisiplinare.

Ndërkohë, transformimi i industrisë ushqimore dhe rritja e fokusit global në sigurinë ushqimore, teknologjitë e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm kanë rritur rëndësinë e profesionistëve të Shkencave të Ushqimit. Përmes këtij programi, UBT përgatit ekspertë që kontribuojnë në kontrollin e cilësisë, nutricionin, inovacionin ushqimor, teknologjinë e përpunimit dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.

Përtej programeve akademike, UBT ka ndërtuar zhvillimin mbi një ekosistem të plotë inovacioni. Institucioni ofron mbi 50 programe studimi, mbi 150 fusha specializimi, më shumë se 200 laboratorë modernë, bibliotekën më të madhe akademike në Kosovë. UBT Smart City, është kthyer në rol model dhe ka tërhequr interesin e institucioneve dhe studiuesve ndërkombëtarë për t’u analizuar si praktikë e zhvillimit universitar, ndërsa së fundmi USA Today e ka përshkruar UBT-në si “Silicon Valley of the Balkans”, duke theksuar rolin në ndërtimin e një ekosistemi të avancuar të teknologjisë, laboratorëve, parqeve teknologjike dhe inovacionit që përgatit profesionistë për tregun global.

Përmes laboratorëve të specializuar dhe qendrave kërkimore, studentët angazhohen në projekte që lidhen me Artificial Intelligence, Big Data, Cyber Security, Internet of Things, Cloud Computing, Virtual Reality, Extended Reality, Smart Cities, 5G, automatizimin industrial dhe transformimin digjital. Kjo qasje i afron ata me teknologjitë që sot po udhëheqin ekonominë globale dhe që sipas World Economic Forum do të përcaktojnë profesionet e dekadës së ardhshme.

Raporti vlerëson se deri në vitin 2030, rreth 39% e aftësive aktuale të fuqisë punëtore do të transformohen, ndërsa punëdhënësit do të kërkojnë gjithnjë e më shumë profesionistë me kompetenca në analizën e të dhënave, inteligjencën artificiale, zhvillimin e softuerit, sigurinë, inxhinierinë, energjinë, qëndrueshmërinë, kreativitetin dhe komunikimin.

Nëse dekada e kaluar u karakterizua nga revolucioni i internetit, dekada që po jetojmë po karakterizohet nga inteligjenca artificiale, ekonomia e të dhënave, tranzicioni i gjelbër dhe transformimi digjital. Treguesit globalë dëshmojnë se profesionet me rritjen më të shpejtë janë pikërisht ato që ndërthurin teknologjinë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Përmes programeve në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, FinTech, Studime të Sigurisë, Inxhinieri të Mjedisit, Inxhinieri të Energjisë, Inxhinieri Mekanike, Shkenca të Ushqimit, Media dhe Komunikim, si dhe dhjetëra programeve të tjera të orientuara drejt inovacionit, UBT po kontribuon në përgatitjen e profesionistëve që do të jenë pjesë e transformimit të ekonomisë globale dhe e tregut të punës të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi

Published

on

Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt qytetit autonom spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut. Ndërkohë, rreth 60 mijë migrantë raportohet se kanë hyrë në territorin e Ceutës brenda 24 orëve të fundit, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në Ceutë, pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fluksi i madh i migrantëve.

“Qeveria spanjolle qëndron me qytetin e Ceutës. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pasigurinë që qytetarët po përjetojnë në orët e fundit,” u shpreh Sánchez.

Ai theksoi se shteti do të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur rendin dhe bashkëjetesën në këtë territor spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut.

“Qeveria do të përdorë çdo burim të shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” shtoi ai, duke nënvizuar se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka investuar aq shumë burime në këtë territor sa administrata aktuale.

Sánchez njoftoi gjithashtu se autoritetet do të vendosin barriera lundruese në zonën e molit si masë e përkohshme, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime ligjore për menaxhimin e situatës.

Ceuta, e vendosur në bregun verior të Afrikës dhe e rrethuar nga territori maroken, mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve drejt Bashkimit Evropian. Fluksi i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në këtë zonë kufitare, duke shtuar presionin mbi autoritetet spanjolle./A.K/

Continue Reading

Magazinë

Dua Lipa promovon Prishtinën në Google Street View: “Vendlindja ime tani mund të eksplorohet virtualisht”

Published

on

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar një video në llogarinë e saj në Instagram, përmes së cilës promovon Prishtinën dhe njofton se kryeqyteti i Kosovës tashmë mund të eksplorohet edhe përmes shërbimit Google Maps Street View.

Në përshkrimin e videos, artistja shkruan: “Mirë se vini në Prishtinë! Sot është dita e parë e Sunny Hill Festival dhe, për ta festuar këtë, të gjitha restorantet, arkitektura dhe kultura që unë i dua tani mund të eksplorohen në Google Maps Street View.”

Në video, Dua Lipa flet për lidhjen e saj të veçantë me qytetin ku u rrit dhe i fton ndjekësit ta zbulojnë Prishtinën përmes syve të saj.

“Asnjëherë nuk mund ta njohësh një vend derisa ta shohësh me sytë e tu. Vendlindja ime, Prishtina, është tani në Google Maps Street View,” thotë ajo.

Artistja prezanton disa prej vendeve të saj të preferuara në kryeqytet, duke nisur me një librari që, sipas saj, e viziton sa herë kthehet në Prishtinë, ku gjithmonë gjen një libër në gjuhën shqipe që nuk e ka lexuar më parë.

Ajo ndalet gjithashtu në disa restorante dhe bare, të cilat, sipas saj, pasqyrojnë kulturën shqiptare, energjinë dhe atmosferën unike të Prishtinës.

Në fund të videos, Dua Lipa i kushton rëndësi edhe Sunny Hill Festival, të cilin e cilëson si një ëndërr të bërë realitet dhe një ngjarje që mishëron frymën e qytetit, duke mbledhur çdo vit mijëra vizitorë dhe artistë nga e gjithë bota.

Publikimi i videos përkon me nisjen e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, duke promovuar njëkohësisht Prishtinën, kulturën e saj dhe mundësinë që tashmë qyteti të eksplorohet virtualisht përmes Google Maps Street View./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Një person me pesë identitete, arrestohet i dyshuari në Prishtinë – del të jetë shtetas i Shqipërisë, i dënuar për vrasje

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), si dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Sipas Prokurorisë, rasti ka nisur më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. ishte paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të rinovuar dokumentet e identifikimit. Gjatë verifikimeve, zyrtarët kanë konstatuar se identiteti i paraqitur i përkiste një personi të ndjerë prej vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit.

I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, ndërsa ka shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit.

Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë iniciuar bashkëpunim ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat dhe gjurmët e gishtërinjve.

Nga informacionet e siguruara përmes autoriteteve të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, është konfirmuar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, të lidhura kryesisht me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe udhëtuar në disa shtete evropiane.

Hetimet e mëtejshme, në bashkëpunim me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, kanë bërë të mundur identifikimin e identitetit të tij të vërtetë. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për shtetasin e Shqipërisë me inicialet E.K., i cili kërkohej ndërkombëtarisht me njoftim të kuq (Red Notice) nga Interpoli.

Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se E.K. është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për sjelljen para drejtësisë të personave që kërkohen nga ligji./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara