Lajmet

Si të ruani një stil të shëndetshëm jete?

Nëse doni të keni jetë të shëndetshme, duhet të bëni disa ndryshime.

Published

on

Ne japim më të mirën kur jemi të shëndetshëm. Por a është kaq e thjeshtë të ruajmë një gjendje të shkëlqyer shëndeti?

Shpesh përballemi me tundime që na e bëjnë të pamundur të mbajmë një stil të shëndetshëm jetese. Nëse doni të keni jetë të shëndetshme, duhet të bëni disa ndryshime. Si fillim, mund ta keni të vështirë të përshtateni, por me të parë ndryshimet do të bindeni se ia ka vlejtur.

1. JINI AKTIVË

Jeta jonë moderne nënkupton se kalojmë shumë kohë jashtë shtëpisë, shpesh të ulur me orë të tëra në tryezën e punës. Një nga hapat e parë drejt shëndetit kërkon që të çoheni dhe të jeni më aktivë. Nuk ka rëndësi lloji i aktivitetit. Ajo që ka rëndësi është që të lëvizni trupin, të tonifikoni muskujt dhe të lëvizni kyçet.

Aktiviteti fizik mund të jetë i dobishëm në përmirësimin e simptomave të ndryshme shëndetësore. Mund të bëni masazhe, pasi produktet që përdoren për to relaksojnë muskujt e tendosur dhe ju qetësojnë nga dhimbjet.

2. PINI SHUMË UJË

Dehidratimi është një nga faktorët kryesorë që mund të kenë ndikim negativ në shëndetin tonë. Kur nuk pimë sasinë e duhur të ujit, praktikisht po e pengojmë organizmin nga funksionimi i duhur i tij.

Sasia minimale e rekomanduar e ujit që duhet të pimë në ditë është tetë gota. Ajo që ka rëndësi është që të pini ujë dhe të shmangni sasinë e tepruar të çajit, kafes apo pijeve me gaz. Disa nga këto pijë panë cilësi diuretike, gjë që e përkeqëson edhe më shumë dehidratimin. Të tjerat janë me sheqer dhe kanë kalori, duke shtuar kështu rrezikun e hiperglicemisë dhe të diabetit. Ndërsa uji na heq etjen dhe na mban të hidratuar. Dhe kur jemi të hidratuar në mënyrën e duhur, edhe trupi ynë funksionon në mënyrën e duhur

3. FLINI 7-8 ORË GJUMË

Trupi ynë funksionon sipas ritmit cirkadian. Jemi bërë për të qenë aktivë gjatë ditës dhe për të fjetur gjatë natës. Në kohët moderne, kemi tendencën të punojmë gjatë dhe të heqim dorë nga gjumi; kalojmë orë pa fund duke parë ekranet e telefonit dhe më pas ankohemi nga pagjumësia. Mungesa e gjumit na pengon të kemi një jetë të shëndetshme, duke shtuar rrezikun e problemeve kronike të shëndetit.

Zgjidhja e duhur është të flini orët e rekomanduara të gjumit, mes 7 dhe 8 orë në natë. Po ashtu është thelbësore që t’i kushtoni rëndësi higjienës së gjumit. Për shembull, asnjëherë nuk duhet ta teproni me ushqimin para se të flini. Trupi do të jetë i ngarkuar duke tretur gjithë atë ushqim dhe do ta keni të vështirë që t’ju zërë gjumi. Mos kaloni shumë kohë me telefon apo duke parë televizor, pasi kjo gjë ngacmon qelizat dhe ju largon përgjumjen. Po ashtu, sigurohuni që dhoma të mos jetë shumë e ngrohtë dhe ajri të mos jetë shumë i thatë.

4. THUAJINI “LAMTUMIRË” NGARKESËS SË PUNËS

Kjo është, ndoshta, një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikon në problemet kronike të shëndetit. Jemi mësuar të punojmë gjithë kohën, pavarësisht pasojave. Kalojmë më pak orë jashtë shtëpisë dhe jemi gjithë kohën të lidhur me ndonjë aparat elektronik. Ndërkohë që duhet ta vlerësojmë teknologjinë për vlerën e saj, përdorimi i moderuar i saj është çelësi për të pasur një jetë të shëndetshme.

Kur shkoni në shtëpi, në vend që të rrini në rrjetet sociale dilni nga shtëpia dhe bëni diçka. Dilni për vrap, luani me fëmijët, shëtisni. Argëtimi është një mënyrë e mirë për të qenë të shëndetshëm. Të qenit të ngarkuar me punë nuk është edhe aq e bukur nga sa duket, për të mos përmendur më pas se në fund të ditës vetëm të shëndetshëm nuk ndiheni.

Në përfundim, synoni të ushqeheni shëndetshëm, pini sa më shumë ujë dhe flini mjaftueshëm gjumi, punoni në mënyrë produktive dhe pa u ngarkuar, mbani nën kontroll stresin dhe jini aktivë. Dhe mos harroni të argëtoheni, sepse është gjithmonë një mënyrë e mirë për të larguar stresin dhe për t’u çlodhur./revistapsikologji/

Continue Reading

Lajmet

Spiropali: Prekazi na kujton se liria ka çmim

Published

on

By

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, vizitoi sot Prekazin, ku u përul në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, së bashku me Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Ajo u prit në Kullën e Jasharajve nga Rifat Jashari.

Gjatë vizitës, Spiropali theksoi rëndësinë e vendimit të familjes Jashari për të mos u dorëzuar dhe reflektimin mbi çmimin e lirisë.

“Është dëshmi se liria ka pasur çmim – dhe ai çmim është paguar me jetë. Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon të jemi të denjë.”

Kjo vizita thekson lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe respektin për sakrificën që bëri të mundur lirinë e vendit.

Continue Reading

Lajmet

Elisa Spiropali për vizitë zyrtare në Kosovë, takime me krerët e shtetit

Published

on

By

Ministrja për Evropë dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.

Sipas njoftimit të Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ajo fillimisht do të pritet në takim nga homologu i saj, Glauk Konjufca, i cili njëherësh mban edhe postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës. Takimi do të zhvillohet në orën 10:00, në objektin e MPJD-së.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Spiropali do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Albin Kurtin në orën 12:35 dhe me pas me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe me presidenten Vjosa Osmani.

Në agjendën e saj janë paraparë gjithashtu takime me kryetarë të partive parlamentare në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

Rreth 1 milion euro të padeklaruara zbulohen në Merdare

Published

on

By

Rreth një milion euro të padeklaruara janë zbuluar në pikëkalimin kufitar Merdare, gjatë hyrjes në Kosovë.

Sipas Doganës se Kosovës, automjeti u përzgjodh për kontroll të detajuar pas analizës së riskut. Gjatë skanimit me rreze X u identifikuan dyshime për një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e veturës.

Në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kontrolli u thellua dhe u konfirmua se në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit ishin fshehur mjete monetare të padeklaruara.

Vlera e dyshuar e shumës arrin rreth 1,000,000 euro. Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar dhe po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu pret ambasadorin italian, diskutojnë për zhvillimet e fundit politike

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot ne takim Ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.

Pjesë e diskutimeve në këtë takim ishin zhvillimet aktuale në vend.

Gjithashtu, Kryetarja Haxhiu ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës, në cdo fazë të zhvillimit të shtetësisë.

“Kryetarja Haxhiu nënvizoi ecurinë pozitive në funksionimin e Kuvendit të Kosovës dhe rritjen e angazhimit për realizimin e agjendës së punës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe fuqizim të partneritetit mes  Kosovës dhe Italisë, duke përfshirë zgjerimin e kontakteve dhe shkëmbimeve në nivel parlamentar.

 

Continue Reading

Të kërkuara