Lajmet

Si të merrni vendime të drejta?

Zgjedhjet që bëni si një ndërmarrës mund të kenë ndikim të fuqishëm.

Published

on

Marrja e vendimeve mund të jetë peshë e madhe në shpatullat tuaja nëse nuk dini se si të menaxhoni stresin ose nëse pasojat nuk janë ideale.

Poshtë gjeni disa karakteristika të vendimeve të mira.

Vendimet e mira në mënyrë pozitive ndikojnë tek të tjerët

Kjo deklaratë mund të jetë e dukshme, por nëse do të ishte, vendimet e këqija nuk do të ekzistonin. Pas të gjithash, secili i cili ndikohet negativisht nga një vendim menjëherë klasifikon atë vendim si të keq. Sigurisht, tani ju duhet të gjeni një vendim ‘’pozitiv’’.

Vendimet e mira janë të kopjueshme

Njerëzit dëshirojnë të imitojnë një vendim të mirë dhe anasjelltas.

Vendimet e mira krijojnë mundësinë

Një vendim efikas fuqizon të tjerët të veprojnë.

Vendimet e mira përfshijnë të tjerët

Arritja në një përfundim i cili i shërben kompanisë është një proces. Ka kuti të cilat duhet t’i kontrolloni për t’u siguruar se përgjegjësitë janë të vendosura.

Vendimet e mira janë të ekzekutueshme

E rëndësishme për çdo vendim është qartësia rreth atij vendimi. Nëse ka paqartësi se çfarë duhet të bëni pastaj, atëherë ai vendim nuk është mjaftueshëm i qartë. Qartësia minimizon pasigurinë, dhe edhe pse kjo mund të tingëllojë si një deklaratë e dukshme, kujtoni se ajo që është e dukshme për ju mund të jetë diçka e re për të tjerët.

Një vendim i mirë është sistematik

Dallimi i kritereve të mira nga të këqijat kërkon kohë, burime dhe kërkesa të qarta se çfarë është qëllimi dhe gjykimi për të vlerësuar mundësitë e suksesit.

Vendimet e mira janë të përgjegjshme

Me qartësinë vjen përgjegjësia. Nuk është e lehtë të fshiheni prapa roleve, përgjegjësive ose pritshmërive të lidhura me një vendim të mirë. Vlerësoni gjërat e nevojshme dhe kushtet të cilat definojnë suksesin dhe ju me siguri do ta ekzekutoni shumë mirë.

Vendimet e mira janë praktike

Njerëzit janë krijesa të emocioneve, e cila do të thotë se eliminimi i emocioneve nga një vendim nuk është i lehtë. Mirëpo, ajo që mund të eliminohet janë paragjykimet emocionale vetë-shërbyese. Në SEAL Teams, p.sh., kishte tri kritere përmes të cilave vendimet merreshin: Misioni, ekipi, individi. Pra, kujt i shërben vendimi? Individi vjen i fundit.

Kur përballeni me një tjetër vendim të vështirë, pyesni veten: “Kujt i shërben’’?

Vendimet e mira përfshijnë vetëdijesimin

Nëse keni për detyrë të vendosni se si të krijoni strategjinë e kompanisë tuaj për 10 vitet e ardhshme por kurrë nuk keni bërë një plan strategjik, gjasat janë se ju duhet të drejtoheni tek një ekspert. Qëllimi është që një vendim të ndikojë pozitivisht të tjerët, të nxisë mundësitë, ju duhet të dini se kur po operoni brenda rrethit tuaj të ndikimit dhe kur po kaloni kufijtë e tij.

Marrja e vendimeve është art dhe shkencë. Përfshini nëntë karakteristikat më lartë në arkitekturën tuaj të vendimeve që të keni më shumë vetëbesim dhe shikoni të tjerët duke bërë të njëjtën gjë.

lajme

UBT fuqizon gjeneratën e re të sipërmarrësve përmes Akademisë Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion

Published

on

By

Me aktivitete interaktive, diskutime frymëzuese dhe sesione praktike, Akademia Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion, e organizuar nga Fakulteti i Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në kuadër të Global UBT Fest 2026, po vijon me sukses, duke krijuar një platformë të veçantë për zhvillimin e ideve të reja, aftësive sipërmarrëse dhe bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë.

Duke bashkuar studentë, akademikë dhe profesionistë të sektorit privat, kjo akademi verore po ofron një ambient dinamik të të mësuarit, ku njohuritë teorike ndërthuren me përvojat praktike dhe shembujt konkretë nga bota e biznesit.

Gjatë sesionit të udhëhequr nga Prof. Gonxhe Beqiri, pjesëmarrësit u njohën me temën “Marketingu dhe krijimi i vlerës për klientët e synuar”, ku u trajtuan konceptet themelore të marketingut të orientuar drejt konsumatorit. Përmes punës në grupe, analizimit të rasteve praktike dhe prezantimeve, studentët identifikuan segmente të synuara të tregut, analizuan nevojat e konsumatorëve dhe zhvilluan propozime vlere (Value Proposition) për ide të ndryshme biznesi, duke fuqizuar aftësitë e tyre në hartimin e strategjive efektive të marketingut.

Në kuadër të programit, Prof. Ermira Shehu prezantoi konceptin e ndërmarrësisë sociale si një model bashkëkohor biznesi që ndërthur qëndrueshmërinë financiare me ndikimin pozitiv në shoqëri. Përmes shembujve nga Evropa, Amerika dhe Kosova, pjesëmarrësit u njohën me mënyrën se si ndërmarrjet sociale adresojnë sfida të ndryshme përmes inovacionit, partneriteteve strategjike dhe përdorimit të teknologjisë.

Një fokus i veçantë iu kushtua edhe modeleve të financimit të ndërmarrjeve sociale, ndërsa diskutimet me studentët u përqendruan në identifikimin e komponentëve socialë, ekonomikë dhe mjedisorë që mund të integrohen në modelet e tyre të ardhshme të biznesit.

Pjesë e rëndësishme e akademisë ishte edhe prezantimi i Znj. Zana Lipoveci Kastrati, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në Elkos Group, e cila ndau me studentët përvojën e zhvillimit të kësaj kompanie, një prej historive më të suksesshme të ndërmarrësisë në Kosovë. Ajo foli për rëndësinë e vizionit strategjik, inovacionit dhe ndërtimit të një kulture organizative që mbështet kreativitetin dhe zhvillimin e vazhdueshëm.

Gjatë këtij sesioni, studentët u njohën me sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi digjital, zhvillimi i produkteve inovative dhe përshtatja e bizneseve me kërkesat e ekonomisë moderne. Diskutimet aktive dhe shkëmbimi i ideve krijuan një hapësirë të vlefshme për reflektim mbi rolin e ndërmarrësisë në zhvillimin ekonomik.

Po ashtu, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë nga z. Detjon Axhami nga kompania Frutex, i cili prezantoi rrugëtimin e kompanisë nga një prodhues vendor deri në një markë të suksesshme në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht ato evropiane.

Gjatë prezantimit u trajtuan tema si sfidat e eksportit, përmbushja e standardeve ndërkombëtare, kërkesat ligjore të tregjeve të huaja dhe strategjitë që kanë ndihmuar Frutex të rrisë konkurrueshmërinë në nivel global. Përmes këtij sesioni, studentët fituan një perspektivë praktike mbi procesin e internacionalizimit të bizneseve dhe faktorët që ndikojnë në krijimin e kompanive të suksesshme.

Akademia Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion në UBT po vazhdon të ofrojë një përvojë gjithëpërfshirëse për studentët, duke i pajisur ata me njohuri, aftësi praktike dhe frymëzim për të zhvilluar ide të reja dhe për t’u përgatitur për sfidat e tregut bashkëkohor të punës dhe biznesit.

Continue Reading

Aktualitet

Akademia Verore e Inxhinierisë së Energjisë në UBT trajtoi teknologjitë dhe sfidat e energjisë së qëndrueshme

Published

on

By

Në kuadër të Global UBT Fest 2026, Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT organizoi me sukses Akademinë Verore me temën “Sfidat e Tranzicionit të Energjisë së Qëndrueshme”, duke mbledhur studentë, ekspertë dhe profesionistë të sektorit të energjisë për të diskutuar zhvillimet më të fundit në këtë fushë.

E zhvilluar nga 6 deri më 10 korrik në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan dhe në ITP Prizren, Akademia Verore u fokusua në sfidat dhe mundësitë që sjell tranzicioni energjetik, duke kombinuar njohuritë teorike me përvojat praktike dhe rastet konkrete nga industria.

Programi pesëditor trajtoi tema aktuale që lidhen me operimin e sistemeve të shpërndarjes së energjisë elektrike, efiçiencën e energjisë, ndërtesat inteligjente (Smart Buildings), sistemet e menaxhimit të ndërtesave (Building Management Systems – BMS), si dhe zhvillimin e hidrocentraleve dhe ndikimin e tyre në prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.

Në ditën e parë, MSc. Alush Mexhuani, Drejtor i Sistemit të Operimit të Shpërndarjes, ligjëroi mbi temën “Operimi i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”, duke prezantuar funksionimin dhe sfidat e rrjetit modern të shpërndarjes së energjisë.

Në ditën e dytë, ekspertja për efiçiencë të energjisë, MSc. Nafije Gashi, trajtoi temën “Memoria kolektive dhe trashëgimia kulturore si sfidë në zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në mjedise urbane”, duke theksuar rëndësinë e balancimit ndërmjet ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe zbatimit të standardeve moderne të efiçiencës.

Aktivitetet vazhduan në ditën e tretë me ligjëratën e MSc. Luljeta Hoxha Osmani, e cila prezantoi temën “Sfidat mjedisore gjatë zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë – trajtimi i mbetjeve”, duke diskutuar ndikimin mjedisor të proceseve të tranzicionit energjetik dhe rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve.

Në ditën e katërt, eksperti i kompanisë Schneider Electric, MSc. Vasil Kosta, mbajti ligjëratën “Ndërtesat e mençura të së ardhmes”, ku prezantoi teknologjitë më të avancuara për automatizimin dhe menaxhimin inteligjent të ndërtesave, me fokus në rritjen e efiçiencës dhe kursimin e energjisë.

Akademia Verore u përmbyll në Innovation and Training Park (ITP) Prizren, ku eksperti i hidrocentraleve MSc. Arianit Halimi ligjëroi mbi temën “Hidrocentralet në Komunën e Dragashit”, duke prezantuar potencialin e energjisë hidrike dhe rolin e saj në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik në Kosovë.

Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave me ekspertë të industrisë, Akademia Verore e Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë dëshmoi edhe një herë angazhimin e UBT-së për të ofruar një arsimim të orientuar drejt praktikës dhe inovacionit, duke përgatitur profesionistët e ardhshëm për sfidat e tranzicionit energjetik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Continue Reading

Vendi

BE emëron Dirk Schubel si Përfaqësues të ri Special për Kosovën

Published

on

Bashkimi Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schubel si Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për Kosovën. Vendimi është miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, ndërsa Schubel do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me një mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar në këtë pozitë Aivo Oravin.

Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së për Kosovën është i përqendruar në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit përmes komunikimit publik dhe angazhimit me qytetarët.

Ndër detyrat kryesore të tij do të jenë monitorimi i progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, forcimi i të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtja e komuniteteve pakicë. Ai do të punojë gjithashtu për koordinimin politik të Bashkimit Evropian, me synim një prani më të bashkërenduar dhe më të dukshme të BE-së në Kosovë.

Schubel është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Aktualisht ai shërben si shef i Divizionit për Rusinë në EEAS.

Më herët, ai ka qenë i Dërguar Special i BE-së për Partneritetin Lindor (2022–2024), shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi (2019–2022) dhe shef i Delegacionit të BE-së në Moldavi (2009–2013), ku ka kontribuar në avancimin e angazhimit të Bashkimit Evropian në fqinjësinë lindore.

Mandati i tij përfshin edhe ofrimin e udhëzimeve politike për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Përfaqësuesit Specialë të Bashkimit Evropian promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe çështje me rëndësi strategjike, duke mbështetur reformat, stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Aktualisht, 11 Përfaqësues Specialë të BE-së mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rreth 70 persona kërkuan ndihmë në Klinikën Infektive pas dyshimeve për helmim nga ushqimi

Published

on

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se që nga 10 korriku ka pranuar pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.

Sipas njoftimit, pacientët janë paraqitur me ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diarre, simptoma që janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.

Nga 10 deri më 13 korrik 2026, rreth 70 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive, ndërsa 22 prej tyre janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm.

“Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe janë regjistruar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse. Pacientët janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm, në përputhje me gjendjen e tyre klinike”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.

Rasti vjen pas raportimeve për dyshime se disa persona janë helmuar pasi kanë konsumuar sandviçë në një nga pikat e rrjetit “Sach Pizza” në Prishtinë.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka pranuar informacionet për helmimin e disa personave dhe se prokurori i shtetit ka nisur veprimet e nevojshme hetimore.

Edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara