Nëse je në fillimet e tua të karrierës, një punë e re, ashtu si çdo ekperiencë tjetër e re është gjithmonë sfiduese në fillimet e saj. Por, sfidat që hasim nuk duhet të na pengojnë në kërkimin e mundësive të reja rreth nesh. Madje, shpesh herë, këto mundësi mund t’i kemi shumë pranë, por ne nuk marrim mundimin as t’i vlerësojmë ato.
Ka disa arsye përse ndodh kjo. Të pasurit e një pune prej një kohe të gjatë nënkupton së pari stabilitet financiar dhe është e vërtetuar shkencërisht që stabiliteti financiar ndikon pozitivsht në shëndetin tonë fizik dhe mendor.
Përveç stabilitetit, janë edhe marrëdhëniet e mira shoqërore që krijohen në mjedisin e punës. Ndjesia se je me njerëz, të cilët i njeh prej kohësh të bën të ndihesh mirë, e në fund të fundit, kush nuk do ta dëshironte diçka të tillë.
Por jo vëtëm kaq. Qëndrimi në një vend pune të jep mundësinë të krijosh eksperiencë, të rritesh në pozicion e kështu të përvetësosh çdo detaj të punës.
Duhet ta përmendim gjithashtu faktin që tregu i punës sot karakterizohet nga një konkurrencë e lartë, pasi ka mjaft të rinj të talentuar, këmbëngulës dhe me dëshirë për të ecur sa më lartë në karrierën e tyre. Për këtë arsye, shumë prej tyre e ndjejnë veten me fat vetëm që kanë arritur të kenë një punë në profesionet përkatëse.
Janë këto arsye, por jo vetëm, që na bëjnë të “ngecim” në një punë e të mos kërkojmë mundësi të reja.
Por le të shohim dhe anën tjetër të medaljes.
Qëndrimi në një punë për një kohë të gjatë bën që në një mënyrë apo një tjetër, të krijojmë zonën tonë të rehatisë. Jemi në një punë ku njohim shumicën e detyrave, njohim të gjithë personat. Me pak fjalë, ndihemi rehat. Por, nëse do të shikonim më larg, do të kuptojmë që kjo punë në fakt është kthyer në diçka monotone. Monotonia është vrasësi kryesor i motivimit dhe produktivitetit.
Të mos ndjerit të motivuar për punën është shenja e parë që ka diçka që nuk shkon, pasi në një punë ku nuk ndihemi të motivuar, nuk mundemi as të japim maksimumin tonë. Në këtë mënyrë edhe produktiviteti do të jetë i ulët.
Monotonia dhe pakënaqësia në punë reflektohen gjithashtu në jetën e përditshme, duke u bërë shkaktarë të palumturisë dhe pasivitetit. Duke bërë të njëjtat gjëra çdo ditë, nuk kërkon më maksimumin nga vetja dhe nga ëndrrat.
Thamë gjithashtu që nëse qëndrojmë në një ambjent pune do të kemi mundësinë të mësojmë shumë aspekte e detyra, jo vetëm të profesionit tonë por edhe të kolegëve. Kjo është mjaft e mirë, por gjithmonë vjen një moment kur nuk kemi më gjëra të reja për të mësuar.
Një punë e re të bën të kalosh limitet, të jesh më aktiv dhe shpesh herë njerëzit të cilët kërkojnë këtë gjë, i bën të ndihen më mirë.
Një person me aspirata për karrierën e tij, është gjithmonë në kërkim për të mësuar gjëra të reja.
Nga ana tjetër dimë që janë dëshirat dhe synimet për t’u përmirësuar, faktorët që na shtyjnë përpara, por në një ambient që nuk na ofron mundësi për të mësuar, synimet tona personale nuk do të mund të përmbushen.
Pavarësisht se është e vështirë të dalësh nga zona e rehatisë, nëse puna juaj aktuale nuk ju ofron zhvillimin që dëshironi dhe prisni nga vetja, atëherë është koha të bëni ndryshime.
Mos humb asnjë minutë më shumë, ka mjaft portale që të ofrojnë informacion për vendet vakante të punës, ku shumë mirë mund të japësh kontributin tënd, të mësosh e të ndihesh i përmbushur!
Aktori i njohur Pierce Brosnan beson se koleg i tij Callum Turner posedon të gjitha cilësitë e duhura për t’u veshur me kostumin e agjentit legjendar 007. Ish-interpretimi i famshëm i James Bondit ka vlerësuar se 36-vjeçari ka praninë, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër këtë rol ikonik.
Brosnan, i cili portretizoi agjentin britanik në katër filma ndërmjet viteve 1995 dhe 2002, tregoi për revistën Vanity Fair se e admiron Turnerin, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në filmin “The Only Living Boy In New York” të vitit 2017.
“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është një aktor shumë i fortë,” u shpreh Brosnan, duke shtuar se mezi pret të mësojë emrin e pasardhësit të Daniel Craig dhe të festojë zgjedhjen e tij.
Ndonëse Turner është përfolur gjatë si një nga favoritët kryesorë për këtë post, vetë ai ka mohuar të ketë ndonjë informacion zyrtar rreth kastingut. “Di po aq sa dini edhe ju. Miqtë e mi më pyesin vazhdimisht, ndërsa unë nuk di asgjë,” kishte deklaruar ai më parë.
Brosnan po ashtu shfaqi entuziazmin e tij për projektin e ardhshëm të franshizës, i cili do të drejtohet nga regjisori vizionar Denis Villeneuve. “Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Mënyra se si ai ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme, prandaj filmi do të jetë vërtet madhështor,” përfundoi ai. /E.A/
Një grup shkrimtarësh, gazetarësh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë në Washington, në kuadër të një turi kulturor dhe historik për t’u njohur nga afër me një prej institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vizita u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e drejtuar nga presidenti Adi Memeti.
Për këtë përvojë ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Keze Kozeta Zylo, në një artikull të publikuar më 1 nëntor në gazetën Illyria, ku ka ndarë përshtypjet nga vizita dhe rëndësinë historike të ambienteve të rezidencës presidenciale.
Gjatë turit, pjesëmarrësit vizituan disa prej ambienteve më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Dhomën e Gjelbër, Dhomën e Kuqe dhe Dhomën e Kaltër. Ata panë gjithashtu Sallën e Ngrënies Shtetërore, e cila përdoret për darka zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin Mhill Vela, ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, profesori Bexhet Asani, sekretar i shoqatës, si dhe gazetarët Ibadete dhe Shkumbin Tetaj.
Pjesë e grupit ishin edhe gazetarët e Zërit të Amerikës, Laura Kondi dhe Shaqir Salihu, gazetarja Eva Dori, shkrimtaret Merita Bajraktari dhe Luz Thaqi, si dhe Vilma Tafaj.
Në aktivitet mori pjesë edhe Qemal Zylo, themelues dhe drejtor i televizionit Alba Life dhe i shkollave shqipe në New York, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Organizatorët e kanë konceptuar këtë aktivitet si vizitë kulturore dhe historike. Nuk është raportuar për ndonjë takim me presidentin amerikan Donald Trump apo me përfaqësues të administratës së tij.
Vizita përbën një mundësi për pjesëmarrësit që të njihen më nga afër me historinë presidenciale amerikane, ndërsa aktivitetet e tilla dëshmojnë angazhimin e organizatave shqiptaro-amerikane në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.
Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.
Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.
Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.
Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.
Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.
Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.
Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.
Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.
Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.
“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/