Teknologji

Si ndikon TikTok-u në shëndetin mendor të adoleshentëve?

TikTok-u u popullarizua sidomos gjatë periudhës së izolimit nga pandemia COVID-19.

Published

on

Nga Violeta Zefi

TikTok-u është momentalisht një ndër aplikacionet më të popullarizuara të rrjeteve sociale në botë, që përdoret kryesisht nga të rinjtë. Aplikacioni u popullarizua sidomos gjatë periudhës së izolimit nga pandemia COVID-19.

Aktualisht, TikTok-u ka rreth një miliard përdorues të rregullt, gjysma prej tyre të moshës nga 10-29 vjeç. Ndërsa mosha mesatare kur një fëmijë hap llogari në rrjetet sociale është 12 vjet e gjysmë.

Rishtazi, TikTok-u ka tejkaluar edhe platformën Instagram, si aplikacioni më i përdorur i rrjeteve sociale për fëmijët 12-17 vjeç, me 63% të tyre që e përdorin aplikacionin çdo javë.

Kohëve të fundit, në TikTok ka filluar një trend i cili përfshin zhvillimin e bisedave dhe shkëmbimin e këshillave në mesin e adoleshentëve për mirëqenien e tyre psikologjike.

Ky zhvillim ka rritur tendencën për vetëdiagnostikim të problemeve të shëndetit mendor nga ana e tyre, duke përfshirë çrregullime nga më të ndryshmet, si autizmin, hiperaktivitetin, çrregullimin e personalitetit, çrregullimin obesesiv-kompulsiv, e shumë të tjera. Këtë çështje së fundmi e ka ngritur edhe Asociacioni i Psikologëve Amerikanë.

Kjo është një dukuri mjaft shqetësuese, sepse diagnoza lidhur me një çrregullim të caktuar mendor mund të bëhet vetëm nga profesionistë të fushës së shëndetit mendor.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2021 tregojnë se në nivel botëror, një në shtatë adoleshentë të moshës 10-19 vjeç përballet me sfidat e shëndetit mendor. Kjo është edhe grupmosha kryesore e përdoruesve intensivë të TikTok-ut.

Profesionistët e shëndetit mendor kanë ngritur shqetësimin se shumica e adoleshentëve, informatat e para rreth shëndetit mendor i marrin nga një aplikacion si Tik-Tok-u dhe jo nga profesionistët e fushës.

Disa studime kanë konkluduar se sa më shumë kohë të shpenzojë një person (pavarësisht moshës) në mediat sociale, aq më shumë ka gjasa që i njëjti të përjetojë simptoma negative të shëndetit mendor siç janë: ankthi, izolimi, depresioni dhe dëshpërimi.

Në veçanti, periudha e pandemisë ishte e rëndë për adoleshentët të cilët kanë nevojë të shtuar për ndërveprim dhe socializim me bashkëmoshatarët. Si pasojë, mediat sociale, në veçanti TikTok-u, kanë shërbyer si mjete për ta mbushur këtë boshllëk.

Ka një shqetësim në rritje në mesin e prindërve dhe profesionistëve të shëndetit mendor për ndikimin që platforma ka në shëndetin mendor të adoleshentëve, duke pasur parasysh etikën, presionin mental, bulizmin kibernetik apo shantazhin seksual.

Prandaj, është shumë e rëndësishme që prindërit të monitorojnë dhe të kufizojnë përdorimin e rrjeteve sociale te fëmijët qysh në moshë të hershme.

Shoqëria kosovare nuk është imune kundrejt këtij fenomeni. Situata bëhet edhe më e rënduar kur kemi parasysh shtrirjen e përdorimit të internetit të kombinuar me një mungesë kujdesi si nga ana e prindërve, ashtu edhe nga ana e institucioneve relevante për një dukuri të tillë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se mbi 96.4% e popullsisë kosovare ka qasje në internet, e cila rezulton në përdorim të rrjeteve sociale.

Për këtë arsye është e rëndësishme që prindërit, mësimdhënësit dhe profesionistët e shëndetit mendor në Kosovë të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme që lidhen me përdorimin e TikTok-ut dhe mediat e tjera sociale në përgjithësi dhe t’i edukojnë adoleshentët si t’i përdorin këto platforma në mënyrë të sigurt dhe me përgjegjësi, duke rritur te ta vetëdijesimin për pasojat eventuale që mund të kenë në shëndetin e tyre mendor.

Për më tepër, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë duhet të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, duke e përfshirë një modul të veçantë në kurrikulat shkollore – ato fillore dhe të mesme – për përdorimin e sigurt të internetit, më theks të veçantë përdorimin e rrjeteve sociale, nga ana e nxënësve dhe shmangien ndaj ekspozimit të përmbajtjeve të papërshtatshme ose të dëmshme për moshën e tyre.

Përdorimi i duhur i rrjeteve sociale mund t’i ndihmojë si fëmijët, ashtu edhe adoleshentët të rriten dhe të mësojnë, veçanërisht kur familjet, edukatorët dhe mësimdhënësit luajnë një rol aktiv në këtë drejtim.

Po ashtu, rekomandohet që të merren në konsideratë praktikat më të mira nga vendet e tjera sa u përket politikave të shkollave në raport më ketë çështje, duke i adaptuar dhe përdorur ato në kontekstin social dhe kulturor të Kosovës.

Politikat e tilla do të duhej të kenë në fokus jo vetëm fëmijët dhe adoleshentët, por edhe prindërit e mësimdhënësit. Roli i këtyre të fundit është fondamental në edukimin dhe rritjen e sigurt të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Teknologji

Meta përdor bisedat tuaja me AI për të ju treguar reklama

Published

on

Meta së shpejti do të përdorë informacionin që përdoruesit i japin “chatbot”-ëve të inteligjencës artificiale për të synuar reklama.

Kompania njoftoi se përdoruesit që ndërveprojnë me Meta AI do të jenë objekt i reklamave më të personalizuara.

Njoftimet për ndryshimin do të fillojnë të shfaqen javën e ardhshme, vetë reklamat pritet të fillojnë nga 16 dhjetori, sipas raportimit të CNN.

Meta tashmë synon përdoruesit me reklama bazuar në postimet e tyre, duke përdorur këto të dhëna për t’i drejtuar se çfarë të blejnë.

Për më tepër, kompania planifikon të përdorë informacionin nga inteligjenca artificiale për të përcaktuar se çfarë përmbajtje do të shfaqet tek përdoruesit e tjerë.

Për shembull, nëse një përdorues diskuton me “chatbot”-in për ecje në male, Meta do të kuptojë se ai ka interes në sport dhe do t’i ofrojë përmbajtje të lidhur me këtë temë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Elon Musk kritikon Wikipedia-n dhe njofton Grokipedia

Published

on

Elon Musk po bën një lëvizje të re në botën e Grok, duke njoftuar zhvillimin e një platforme konkurruese ndaj Wikipedia-s përmes startup-it të tij të inteligjencës artificiale, xAI. Platforma e re quhet “Grokipedia”.

Musk ka deklaruar se shërbimi i ri do të përbëjë një “përmirësim masiv” të enciklopedisë së famshme online, e cila bazohet te hyrjet e krijuara dhe redaktuara nga vullnetarët.

Miliarderi ka akuzuar prej kohësh Wikipedia-n për paragjykime politike, duke pretenduar se ajo pasqyron pikëpamjet e krahut të majtë.

Pak para njoftimit të Musk, aleati i tij, David Zacks — i emëruar së fundmi nga Presidenti Donald Trump si komisioner për inteligjencën artificiale — kishte kritikuar përdorimin e përmbajtjes së Wikipedia-s për trajnim të softuerëve të inteligjencës artificiale.

Emri Grokipedia vjen nga chatbot-i i xAI-së, Grok, për të cilin Musk ka thënë se “kërkon të vërtetën në masën më të plotë”.

Përndryshe, Grok ka qenë objekt kritike në muajt e fundit për prodhimin e komenteve antisemite, të cilat kompania e Musk i atribuoi një programimi të gabuar. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Syzet inteligjente, prioriteti i ri i Apple

Published

on

Apple ka vendosur të pezullojë zhvillimin e Vision Air, një version më të lehtë dhe më të përballueshëm të Vision Pro, për t’u fokusuar plotësisht tek syzet e reja inteligjente.

Sipas mediave të huaja, kompania ka zhvendosur inxhinierët nga projekti Vision Air drejt zhvillimit të këtyre syzeve, me qëllim që të konkurrojë me Meta Ray-Ban.

Ndryshe nga plani fillestar për vitin 2027, syzet e para inteligjente të Apple pritet të dalin në treg në vitin 2026. Ato do të mbështeten nga Apple Intelligence dhe do të pajisen me disa kamera për funksione të avancuara të inteligjencës vizuale.

Apple po zhvillon një version XR me ekrane LCoS, komandë zanore dhe kontroll me gjeste, i cili pritet të hyjë në prodhim në vitin 2028. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Google Maps prezanton butonin që të gjithë e kemi pritur

Published

on

Google po sjell një veçori të re të rëndësishme në Google Maps – një buton të quajtur “Aerial”, i cili e bën shumë më të lehtë dhe të shpejtë kalimin nga Street View në pamjen Satelitore.

Funksionaliteti është zbuluar në versionin 25.39.07 të Google Maps për Android, është aktivizuar para publikimit nga Android Authority.

Me anë të butonit, përdoruesit mund të kalojnë menjëherë nga pamja e rrugës në një perspektivë ajrore, si në 2D, ashtu edhe në 3D, duke ofruar një eksperiencë më të plotë dhe intuitive të eksplorimit virtual.

Google ka punuar në animacione për kalim sa më natyral midis pamjeve, aplikacioni ruan drejtimin në të cilin po shikonit në Street View kur ktheheni në pamjen Aerial. Kjo veçori e re do të jetë e dobishme për përdoruesit që duan të eksplorojnë lagje, rrugë ose destinacione para se t’i vizitojnë fizikisht, dhe shkon në linjë me përmirësimet e fundit të Google në navigimin me transport publik.

Publikimi i “Aerial” pritet së shpejti për të gjithë përdoruesit Android, ndërsa detajet për versionin në iOS nuk janë bërë ende të ditura. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara