Lajmet

Si ndikon referendumi në Islandë në rrugën e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt BE-së

Published

on

Nëse islandezët votojnë pro rifillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) ketë fundjavë, atëherë me të do të ndryshojë edhe renditja e vendeve lidere në procesin e anëtarësimit në bllok.

Islanda veçohet si një vend shumë specifik, pasi tashmë është në masë të madhe e integruar në BE dhe është pjesë e shumë politikave evropiane. Ajo është anëtare e Zonës Ekonomike Evropiane dhe e Zonës Shengen.

Ndryshe nga vendet e tjera tradicionale kandidate, Islanda nuk ka nevojë të ndryshojë rrënjësisht sistemin juridik, gjyqësor apo politik, për t’i përmbushur kërkesat bazë të BE-së.

Kjo do të thotë se një rikthim i Islandës në procesin e anëtarësimit do të ndikonte drejtpërdrejt te dy vendet që tani shihen si lidere në procesin integrues: Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat mbajnë vendin e parë, përkatësisht të dytë, në listë.

Këto dy shtete e shohin referendumin si një tjetër shenjë se sa tërheqës është Bashkimi Evropian për vendet që nuk janë pjesë e tij.

Bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë (REL) nga Tirana dhe Podgorica konsiderojnë se mbajtja e këtij referendumi dëshmon se projekti evropian vazhdon të jetë tërheqës dhe është strategjikisht i rëndësishëm për vendet e kontinentit.

Qytetarët islandezë do të dalin më 29 gusht në referendum për t’u shprehur nëse duan që vendi t’i rifillojë negociatat për anëtarësim në bllokun me 27 vende anëtare.

Rezultati i referendumit është tejet i pasigurt. Sondazhet më të fundit tregojnë se votuesit islandezë janë jashtëzakonisht të ndarë, pothuajse në teh të briskut, ndërsa rifillimi i bisedimeve mbështetet nga një shumicë e ngushtë dhe në rënie.

Votimi ka karakter këshillimor dhe lidhet ekskluzivisht me rihapjen e negociatave, dhe jo me vendimin përfundimtar për anëtarësimin në BE.

Çfarë thonë në Tiranë dhe Podgoricë?

Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat janë thellë në procesin e negociatave për anëtarësim, e shohin pozitivisht referendumin në shtetin ishullor nordik mes Evropës dhe Atlantikut të Veriut.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Shqipërisë thonë se referendumi konsiderohet shprehje sovrane dhe demokratike e vullnetit të qytetarëve islandezë për të përcaktuar marrëdhënien e vendit të tyre me Bashkimin Evropian.

“Çdo vend evropian ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vet drejt integrimit evropian. Nga perspektiva jonë, fakti që një vend me nivel të lartë zhvillimi, institucione të konsoliduara dhe integrim të thellë ekonomik me Evropën po i rikthehet kësaj çështjeje dhe po shqyrton sërish afrimin e mëtejshëm me Bashkimin Evropian dëshmon se projekti evropian vazhdon të mbetet tërheqës, i besueshëm dhe strategjik për vendet e kontinentit”, kanë thënë për REL-in nga MPJ-ja shqiptare.

Maida Gorçeviq, ministre e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, thotë se Podgorica mirëpret çdo hap që e bën Evropën më të bashkuar dhe më të fuqishme dhe se referendumi në Islandë po ndiqet me vëmendje, duke respektuar vendimin e qytetarëve islandezë.

“Është në interes të Malit të Zi që Bashkimi Evropian të jetë i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, dhe besoj se politika e zgjerimit kontribuon pikërisht në këtë. Prandaj, ne gëzohemi për çdo hap të ri drejt zgjerimit dhe mbështesim aspiratat evropiane të shteteve që me Malin e Zi ndajnë angazhimin për arritjen e standardeve dhe vlerave evropiane dhe përkatësinë në familjen evropiane”, deklaron për REL-in Gorçeviq.

Mali i Zi vazhdon të jetë i pari në rrugën drejt BE-së, me 18 nga gjithsej 33 kapituj negociues të mbyllur.

Islanda, e cila i filloi negociatat për anëtarësim në vitin 2010 dhe i ndërpreu ato në vitin 2013, ka 11 kapituj negociues të mbyllur përkohësisht.

“Malit i Zi është sot shteti kandidat më i avancuar dhe është i vendosur ta përfundojë pjesën e vet të punës dhe të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian. Por, rrugën evropiane nuk e kemi parë kurrë si një garë në të cilën përparimi i një shteti vjen në kurriz të një tjetri”, thekson Gorçeviq.

Shqipëria, në rast të një votimi pozitiv në referendum, do ta humbiste automatikisht vendin e dytë në listën e vendeve kryesuese, pasi Islanda do të garonte me Malin e Zi, me një mundësi reale për ta tejkaluar këtë vend, duke qenë më e përgatitur për anëtarësim se çdo shtet tjetër kandidat.

“Ne nuk e shohim procesin e zgjerimit si një lojë me rezultat zero, ku përparimi i një vendi përbën humbje për një vend tjetër. Përkundrazi, një rezultat pozitiv në Islandë mund të krijojë momentum të ri politik në nivel evropian për debatin mbi zgjerimin dhe të forcojë bindjen se Bashkimi Evropian mbetet projekti më i suksesshëm politik, ekonomik dhe gjeopolitik në kontinent”, deklaruan për REL nga MPJ e Shqipërisë.

Nga Tirana theksojnë se sa më i madh të jetë konsensusi politik në Evropë në favor të zgjerimit, aq më pozitiv bëhet mjedisi politik për të gjitha vendet kandidate që kanë investuar seriozisht në këtë proces, përfshirë Shqipërinë.

Islanda, Mali i Zi e Shqipëria dhe disproporcioni me buxhetin e BE-së

Islanda, nga njëra anë, dhe Mali i Zi e Shqipëria, nga ana tjetër, do të kishin një raport pothuajse të kundërt me buxhetin e BE-së.

Nëse Islanda do t’i bashkohej BE-së, ajo do të ishte shteti i tretë më i pasur anëtar për nga të ardhurat për kokë banori dhe do të ishte kontribuuese neto në buxhetin e Bashkimit Evropian.

Anëtarësimi i këtij shteti do të absorbohej lehtësisht nga BE-ja, pasi bëhet fjalë për një shtet të vogël për nga numri i banorëve, me pothuajse 60 për qind më pak banorë se Mali i Zi.

Dallimi thelbësor mes këtyre vendeve qëndron në raportin e tyre me buxhetin evropian. Islanda, si një nga vendet më të pasura evropiane, me shumë gjasë do të ishte kontribuuese neto në buxhetin e BE-së, ndërsa Mali i Zi do të ishte përfituese neto.

Shumë më e varfër, por gjashtë herë më e madhe se Islanda, Shqipëria gjithashtu do të ishte përfituese neto e fondeve të BE-së.

Përfituesi neto nga buxheti i BE-së merr më shumë fonde sesa kontribuon në të, ndërsa kontribuuesi neto paguan më shumë sesa merr prej tij.

Në përgjithësi, vendet më të pasura me bruto produktin shoqëror më të lartë, kontribuojnë më shumë në buxhetin e BE-së, ndërsa vendet më të varfra përfitojnë më shumë.

Kjo e bën Islandën një vend kandidat të pazakontë, pasi anëtarësimi i saj do të nënkuptonte zgjerimin e BE-së me një vend relativisht të pasur, dhe jo vetëm me një vend të ri që do të ishte përfitues i madh i fondeve evropiane.

Pikërisht për këtë arsye, anëtarësimi i Islandës do të përbënte një rast specifik në raport me zgjerimin aktual të BE-së në Ballkanin Perëndimor: ndërsa anëtarësimi i Shqipërisë dhe Malit të Zi do të përbënte kryesisht një përfitim financiar për këto vende, Islanda mund të përfaqësonte një kontribut financiar për Unionin.

Pse është i rëndësishëm ky referendum për BE-në dhe rajonin?

Një rezultat pozitiv i referendumit, sipas zyrtarëve evropianë, do të përbënte një nxitje për vendet aktuale kandidate për anëtarësim në BE dhe do të tregonte se zgjerimi është ende i mundur.

Një “po” eventuale në Islandë më 29 gusht, me shumë gjasë, do të çonte në bashkimin e këtij vendi me Malin e Zi në procesin e anëtarësimit.

Shqipëria, e cila konsiderohet një nga vendet kryesuese, por nuk është në grup me Malin e Zi, do ta vazhdonte këtë proces e vetme.

Nga Tirana thonë se një rezultat pozitiv i referendumit në Islandë, së bashku me përparimin e vazhdueshëm të Malit të Zi drejt anëtarësimit, përbën dëshmi të qartë se procesi aktual i zgjerimit është i mirëfilltë, i besueshëm dhe i prekshëm.

“Këto zhvillime nuk duhet të shihen si një diferencim mes vendeve kandidate, por si një konfirmim se Bashkimi Evropian po investon seriozisht në sigurinë, stabilitetin dhe forcën e tij të ardhshme”, deklaruan nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë.

Marrëdhëniet e veçanta mes Islandës dhe BE-së

Islanda në vitin 2009 paraqiti zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pas kolapsit të rëndë të sistemit të saj bankar.

Negociatat e anëtarësimit u hapën në korrik të vitit 2010. U hapën 27 kapituj negociues dhe 11 prej tyre u mbyllën përkohësisht. Qeveria e re euroskeptike e koalicionit i pezulloi negociatat në dhjetor të vitit 2013.

Islanda nuk e ka tërhequr kurrë aplikimin për anëtarësim në BE, ndërsa në vitin 2015 kërkoi të mos konsiderohej më vend kandidat.

Nëse qytetarët islandezë votojnë për vazhdimin e negociatave, procesi do të vazhdojë aty ku ka mbetur. Kapitujt e mbyllur nuk do të rihapen, ndërsa do të vazhdojë puna për mbylljen e kapitujve të mbetur negociues.

Kjo është arsyeja pse komisionarja evropiane për Zgjerimin konsideron se, në rast të një rezultati pozitiv të referendumit, Islanda mund ta përfundojë procesin negociues me BE-në në një kohë shumë të shkurtër.

“Si një vend që tashmë është pjesë e Tregut të Përbashkët evropian, Islanda mund t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit brenda një deri në dy vjetësh”, vlerësoi Marta Kos më 25 gusht, në fjalimin e saj në Konferencën e Ambasadorëve, Konsujve të Përgjithshëm, Konsujve dhe atasheve ushtarakë në Zagreb.

Megjithatë, edhe nëse negociatat përfundojnë në kohë rekord, anëtarësimi i plotë në BE nuk do të ndodhë brenda natës.

Kjo kërkon ndryshime në Kushtetutë, në mënyrë që të mundësohet transferimi i një pjese të kompetencave sovrane.

Sipas rregullave në fuqi në Islandë, ndryshimi kushtetues duhet fillimisht të miratohet në Parlament, më pas mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe, pas kësaj, i njëjti tekst i ndryshimit duhet të miratohet sërish nga parlamenti i ri i zgjedhur. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Shakira thyen rekord në Amazon Music, koncerti me Dua Lipën më i ndjekuri nga një artiste femër

Published

on

Amazon Music ka bërë të ditur se koncerti i Shakirës, i mbajtur më 3 tetor në Madrid, është bërë performanca e transmetuar drejtpërdrejt më e ndjekur nga një artiste femër në historinë e platformës.

Koncerti u transmetua në Amazon Music, Prime Video dhe Twitch, ndërsa u zhvillua në kuadër të turneut botëror të këngëtares kolumbiane, “Las Mujeres Ya No Lloran World Tour”, si pjesë e rezidencës së saj evropiane në Madrid.

Mbrëmja solli edhe një moment të veçantë për publikun, pasi Shakirës iu bashkua në skenë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Dy artistet interpretuan së bashku, në një version akustik, këngën “Antología”.

Koncerti u mbajt në “Estadio Shakira”, një stadium i përkohshëm i ndërtuar në kompleksin Iberdrola Music, në zonën Villaverde të Madridit.

Transmetimi rekord ishte pjesë e fushatës vjetore të Amazon Music, “Music Connects Us”, e cila këtë vit mban temën “The Women Shaping Latin Music” dhe i kushtohet grave që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e muzikës latine.

Amazon Music vlerësoi ndikimin e Shakirës në skenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një artiste që për më shumë se tri dekada ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për artistët latinë në tregun global.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Amazon Music, “Dai Dai”, bashkëpunimi i Shakirës me Burna Boy, është kënga më e dëgjuar në botë në platformë gjatë vitit 2026 deri më tani. Shakira është gjithashtu artistja latine më e dëgjuar në Amazon Music gjatë së njëjtës periudhë.

“Las Mujeres Ya No Lloran World Tour është bërë shumë më tepër nga sa mund ta kisha imagjinuar dhe jam shumë krenare për të”, është shprehur Shakira, duke thënë se është e emocionuar që këtë përvojë ta ndajë me fansat në mbarë botën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mitrovica mirëpret Samitin Ndërkombëtar të Rinisë për Paqe 2026

Published

on

Mitrovica ka mirëpritur “Balkan International Youth Summit for Peace 2026” (BIYSP), një samit ndërkombëtar që mblodhi të rinj nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi paqen, dialogun dhe bashkëpunimin.

Samiti u zhvillua nga 1 deri më 4 tetor, nën temën “Youth as Peace Practitioners: From Dialogue to Action”, ndërsa u mbështet financiarisht nga Ministria e Sportit dhe Rinisë.

Gjatë ditës së dytë, në emër të Ministrisë, fjalë përshëndetëse mbajti këshilltari i lartë i ministrit Blerim Gashani, Drilon Brahimi.

Ndërkaq, Vedat Jashari, udhëheqës i Divizionit për Zhvillimin e Politikave për Rininë, mori pjesë në sesionin “Spotlight: Histori nga terreni”, ku prezantoi përvojën e Kosovës në zhvillimin e politikave dhe programeve për të rinjtë.

Përmes diskutimeve, paneleve dhe shkëmbimit të përvojave, samiti synoi të fuqizojë rolin e të rinjve në ndërtimin e paqes dhe kohezionit shoqëror.

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që fuqizojnë të rinjtë dhe nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

FOTOIST 2026 rikthehet në Prishtinë me 36 ngjarje dhe 12 ekspozita fotografike

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë FOTOIST rikthehet në Prishtinë për edicionin e katërt, duke sjellë një program me 36 ngjarje kulturore dhe 12 ekspozita fotografike ndërkombëtare.

Festivali po zhvillohet nga 29 shtatori deri më 16 tetor 2026 dhe përfshin ekspozita, ligjërata, debate, shfaqje filmash, promovime librash fotografikë, takime me artistë, portfolio reviews, si dhe aktivitete edukative e profesionale.

Hapja solemne e FOTOIST 2026 do të mbahet më 9 tetor, në orën 18:00, në Sheshin e Hotel Grandit, ku do të prezantohet ekspozita “Në Sytë e Tjetrit” e fotografit Korab Basha.

Pas ceremonisë, artistët, fotografët dhe publiku do të zhvillojnë një tur të përbashkët nëpër ekspozitat e festivalit, nga hapësirat e ish-Hotel Grandit deri te Barabar Centre. Autorët do të prezantojnë konceptin dhe procesin krijues të punëve të tyre.

Programi i festivalit ka nisur edhe para hapjes solemne. Më 29 shtator, në Galerinë Qahili, u hap ekspozita “Koha e Thyer” e Osman Demirit, ndërsa më 6 tetor u hap “Drita e Heshtjes” e Blerta Syla Suroit. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë prezantohet gjithashtu ekspozita “Kuti(a) e Kujtesës / The Memory Box” e Burim Myftiut.

Programi ekspozues do të përmbyllet më 13 tetor, në orën 19:00, në Paper Gallery, me hapjen e ekspozitës “Ujëgrame Cimatike” të Liona Vorfit.

Përmes 36 ngjarjeve kulturore, FOTOIST 2026 synon ta trajtojë fotografinë jo vetëm si medium artistik, por edhe si dokument, kujtesë, dëshmi dhe mjet komunikimi shoqëror.

Aktivitetet do të zhvillohen në galeri, institucione kulturore, hapësira universitare dhe ndërtesa me rëndësi historike në Prishtinë, duke e shndërruar qytetin në një hapësirë të ekspozimit dhe dialogut kulturor.

Në edicionin e katërt, festivali vazhdon bashkëpunimin me artistë, fotografë dhe institucione nga Kosova, rajoni, Evropa dhe më gjerë, me synimin për ta forcuar rolin e Prishtinës në skenën e fotografisë bashkëkohore në Evropën Juglindore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prishtinë: Tre persona dyshohet se dhunuan dhe grabitën një shtetase të huaj

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të rëndë të dhunimit dhe grabitjes të ndodhur të martën mbrëma në Prishtinë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:05, ku tre persona të panjohur dyshohet se nën kanosje kanë dhunuar një femër, shtetase e huaj. Përveç sulmit, të dyshuarit i kanë grabitur viktimës gjësende të ndryshme si dhe dokumentet personale.

Lidhur me rastin janë informuar prokurori kujdestar dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë intenzivisht për identifikimin e të dyshuarve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.  /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara