Lajmet

Si mësojnë më shpejt njerëzit e zgjuar?

Published

on

Si një ndërmarrës që punon shumë ju përballeni me një numër të madh sfidash, secila prej të cilave duhet të zgjidhet për të rritur biznesin tuaj më tej.

Por për të gjetur këto zgjidhje, ju duhet ta përdorni mendjen tuaj për të mësuar koncepte të reja dhe nganjëherë të komplikuara. Ky proces mësimi mund të marrë orë, nganjëherë edhe më shumë në varësi nga natyra e sfidës me të cilën përballeni. Fatkeqësisht, ju shpesh nuk keni luksin e kësaj kohe shtesë për ta shpenzuar.

Edhe më keq? Është e vështirë të mbani në mend informatat kur keni shumë punë dhe ndjeheni të stresuar, por nëse nuk mund të mbani në mend ato që keni mësuar, nuk do të fitoni kurrë dijeninë e duhur për të zgjidhur problemet e panjohura.

Fatmirësisht, ka një zgjidhje të lehtë.

Richard Feynman, një fizikant i cili fitoi Çmimin Nobel, dha një zgjidhje të mrekullueshme për të mësuar çdo gjë më shpejtë, dhe të mbani atë në kujtesën tuaj më gjatë. Ja teknika që ai shpiku dhe se si mund ta përdorni atë në jetën dhe biznesin tuaj.

Teknika Feynman

Baza e kësaj teknike të mësimit nga Feynman është kjo: Para se të mund të shpjegoni diçka në mënyrë të qartë, duhet ta kuptoni atë tërësisht.

Për Feynman, mësimi nuk përfshin futjen në kujtesë të koncepteve të komplikuara. Fokusohet në bërjen e këtyre koncepteve më të lehta për t’u kuptuar. Pas të gjithash, sa më e lehtë që të jetë diçka për ta kuptuar, aq më e lehtë do të jetë për ta mbajtur në mend.

Teknika Feynman mund t’ju ndihmojë të mësoni  gjithçka. Por ju jeni këtu për të zgjidhur probleme biznesi, jo për të fituar një lojë të Trivial Pursuit.  Për të fituar vlerat më të mëdha të këtij ushtrimi, fokusohuni në mësimin e koncepteve të cilat lidhen me sfidat specifike në biznesin tuaj.

Hapi 1. Zgjedhni një temë

Shkruani emrin e temës tuaj në një copë letre. Gjeni materiale të ndryshme për temën (blogje, libra, emisione). Shtoni ato në faqen tuaj sa herë që mësoni diçka të re për temën tuaj.

Hapi 2. Mësojani një fëmije

Krijoni një shpjegim për temën tuaj, duke u siguruar që ta bëni atë sa më të thjeshtë dhe më të qartë që është e mundur. Bëni sikur po ia mësoni temën tuaj një klase plot me fëmijë, njerëzve me fjalorë të kufizuar të cilët nuk i kuptojnë fjalët e komplikuara.

Njerëzit kanë tendenca të komplikojnë shpjegimet për të fshehur mangësitë e kuptimit të tyre. Duke i bërë këto gjëra të thjeshta, dhe duke treguar vetëm konceptet themelore dhe marrëdhëniet midis tyre, ju shpejtë do të identifikoni se ku qëndrojnë hapësirat në diturinë tuaj.

Hapi 3. Thjeshtoni

Do të ketë kohëra kur ju do të harroni koncepte të rëndësishme, ose do të keni vështirësi në shpjegimin e gjërave në mënyrë të qartë. Kjo do të thotë se është koha të ktheheni tek librat.

Rishikoni materialin tuaj të mësimit dhe mbushni hapësirat tuaja të diturisë. Për të krijuar shpjegime të thjeshta ju duhet të interpretoni dhe të kuptoni atë që lexoni, jo vetëm të kaloni sipërfaqësisht në tekst. Kështu që vazhdoni të mësoni shënimet tuaja deri sa të mund të shpjegoni temën tuaj në termet më themelore.

Natyrisht që disa koncepte do të jenë më abstrakte dhe më komplekse se tjerat. Në këtë rast mund të jetë e nevojshme të ndani temën në një numër  të vogël dhe të ndërlidhur të shpjegimeve, në vend se të jepni një shpjegim i cili është i vështirë për t’u komunikuar.

Hapi 4: Përsërisni

Edhe shpjegimet e mira mund të thjeshtohen edhe më tej. Vazhdoni të ri-vizitoni materialin tuaj burimor, duke shtuar gjëra në shënimet tuaja dhe duke përmirësuar shpjegimet tuaja. Para se ta dini ju do të kuptoni tërësisht atë temë.

Dhe kjo ishte! Teknika Feynman është shumë e thjeshtë, dhe për këtë shkak është shumë efikase.

Duke u fokusuar në shpjegime të qarta dhe të thjeshta, ju shpejtë do të kuptoni dhe do të mbani në mend koncepte të  reja. Kështu që identifikoni sfidat e biznesit tuaj, zgjidhni temat tuaja, lexoni libra, dhe vazhdoni të thjeshtoni shpjegimet tuaja deri sa kjo dituri e re të forcohet në mendjen tuaj. Ju do të zgjidhni shumë sfida të reja të biznesit para se ta kuptoni këtë.

Continue Reading

Vendi

Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka konstatuar gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, por se bashkëpunimi mes LVV dhe LDK nuk garanton automatikisht përfundimin e këtij procesi.

Sipas Kurtit, të dy partitë politike disponojnë 81 vota, dhe nga ky numër mund të bjerë vetëm një deputet, por jo më pak se 80. Ai ka vlerësuar takimet me Abdixhikun dhe me Bedri Hamza nga PDK-ja si konstruktive dhe me përmbajtje pozitive.

“Zellë për zgjedhje të reja nuk shoh as te LDK, as te PDK, dhe kjo më jep shpresë që nuk do të ketë zgjedhje të reja,” tha kryeministri.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar takimin mbi dyorësh me Kurtin si konstruktiv dhe me përmbajtje të qartë. Ai ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje klasike mes partive ose konsensus mbi një kandidat të vetëm, dhe se LDK nuk ka plan të hyjë në qeveri./Kosovapress/

 

Continue Reading

Vendi

Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.

Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.

Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Continue Reading

Vendi

Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.

Gjatë takimit, Konjufca informoi  Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.

Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.

Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.

Continue Reading

Të kërkuara