Lajmet

Si kanë ndikuar tërmetet në planin për zgjedhjet në Turqi?

Çfarë ndryshuan tërmetet?

Published

on

Tërmetet shkatërruese në Turqi kanë çrregulluar planet për zgjedhjet që do të mbahen në qershor, duke nxitur një debat të ashpër brenda Qeverisë së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe opozitës lidhur me mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve.

Edhe para se të ndodhte fatkeqësia natyrore – që ishte më vdekjeprurësja në historinë moderne të Turqisë – sondazhet kanë sugjeruar se do të ketë një garë të ngushtë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, shkruan REL.

Çfarë ndryshuan tërmetet?

Tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit kanë vrarë të paktën 32.000 persona në jug të Turqisë, kanë shkatërruar dhjetëra mijëra ndërtesa dhe kanë nxitur një eksod nga rajoni i prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Të gjitha këto kanë hedhur dyshime mbi mundësinë e organizimit të zgjedhjeve në një afat të shkurtër kohor.

Vështirësitë logjistike janë të konsiderueshme në rajonin e prekur nga tërmetet, që është shtëpi e 13 milionë banorëve, pasi qindra mijëra personave u janë dëmtuar shtëpitë, ose shtëpitë e tyre janë të pasigurta për banim.

Muajin e kaluar, Erdogan duke tentuar që të zgjasë sundimin e tij dhe të subjektit së tij, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) për dekadën e tretë, tha se zgjedhjet do të mbahen në maj, një muaj më herët seç ishin paraparë.

Por, ditët e fundit, aleatët e tij kanë lënë të kuptohet se Erdogan do të kërkojë shtyrjen e organizimit të zgjedhjeve.

“Nuk mendoj se është koha për të folur për zgjedhje”, ka thënë një zyrtar i AKP-së, duke u thirrur në gjendjen e jashtëzakonshme që është shpallur për shkak të tërmeteve. “Duhet të ketë shtyrje”.

Ky zyrtar, i cili nuk pranoi që t’i publikohej identiteti pasi nuk ishte i autorizuar për të folur për këtë çështje, tha se nëntori duket se është koha më e arsyeshme për mbajtjen e zgjedhjeve, por për këtë çështje ende nuk është marrë ndonjë vendim.

Një tjetër zyrtar tha javën e kaluar se shkalla e shkatërrimit nga tërmetet paraqet “sfida serioze” në mbajtjen e zgjedhjeve në kohë.

A mund të shtyhen votimet?

Çdo përpjekje për të shtyrë zgjedhjet përballet me pengesa kushtetuese: Neni 78 i Kushtetutës turke thotë se Parlamenti mund të shtyjë zgjedhjet për një vit, por vetëm të rast të ndonjë lufte.

Ish-zëvendëskryeministri, Bulent Arinc, themelues i AKP-së të Erdoganit, të hënën bëri thirrje për shtyrje të votimeve, dhe tha se kushtetutat “nuk janë libra të shenjtë”.

“Zgjedhjet duhet të shtyhen menjëherë në mënyrë që burokracia shtetërore të mund të përqendrohet në ndihmën për qytetarët, që ata të mbyllin plagët. Kjo nuk është një zgjedhje, por është një nevojë”, tha Arinc.

Këto deklarata të ish-zëvendëskryeministrit turkm disa vëzhgues i kanë vlerësuar si një provë për të parë se cili është disponimi i publikut.

Çfarë ka thënë opozita?

Kemal Kilicdaroglu, lider i partisë kryesore opozitare, Partisë Popullore Republikane (CHP), ka hedhur poshtë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, duke thënë se Kushtetuta është shumë e qartë për këtë çështje.

“Askush nuk mund të krijojë një normë ligjore vetë, duke shpikur justifikime përtej Kushtetutës dhe ligjeve. Ka një Kushtetutë. Nëse ata thonë ‘Turqia është shtet ligjor’, nuk duhet të ketë shtyrje”, tha ai në një intervistë për Yetkin Report.

Ai tha se prioritet është caktimi i një date për zgjedhje dhe që Bordi i Lartë Zgjedhor të nisë përgatitjet për zgjedhje.

Megjithatë, opozita përballet me sfida të veta. Aleanca kryesore opozitare, e përbërë nga gjashtë parti, po kërkon që të largojë nga pushteti Erdoganin. Por, aleanca opozitare ende nuk ka njoftuar se me kë do të garojë për zgjedhjet presidenciale, dhe deri më tani ka pasur disa mospajtime për këtë çështje.

Një zyrtar nga Partia IYI, që është pjesë e aleancës opozitare, tha se opozita do të diskutojë për çështjen e kandidatit për president në javët në vijim.

Kush do të përfitonte nga shtyrja e zgjedhjeve?

Sondazhet para tërmeteve sugjeronin se zgjedhjet do të ishin sfida më e rëndë zgjedhore e Erdoganit deri më tani, teksa popullariteti i tij ka rënë për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe rënies së vlerës të monedhës kombëtare, lirës.

Tërmetet sjellin edhe më shumë paqartësi.

Qeveria po përballet me kritika lidhur me përgjigjen e parë dhe me organizimin e përgjigjes emergjente dhe Erdogani ka thënë se përgjigja nuk ishte aq e shpejt sa do të dëshironte. Ai ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj në dhjetë provincat e prekura nga tërmetet.

Zyrtari i partisë AKP tha se pret që fatkeqësia të ndikojë që të ketë më pak vota për aleancën në pushtet, duke marrë parasysh dhimbjen dhe humbjen e jetës dhe të pronave të banorëve. “Ata do të duan të mbajnë dikë përgjegjës”, tha zyrtari.

Tërmetet kanë goditur rajonin që tradicionalisht ka mbështetur Erdoganin: Ai fitoi 55 për qind të votave në atë rajon në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, ndërkaq AKP dhe partnerët e kësaj partie fituan nivel të njëjtë të mbështetjes në zgjedhjet parlamentare.

Fatkeqësitë natyrore në të kaluarën kanë ndikuar në rezultatet zgjedhore.

Pas tërmetit të fuqishëm të vitit 1999, që la të vdekur 17.000 persona në veriperëndim të Turqisë, kritikat dhe përgjigja ndaj tragjedisë ishin faktorë që çuan në rrëzimin e Qeverisë së atëhershme – që paraprakisht kishte pasur mbështetje të madhe të publikut – gjë që ndihmoi në triumfin e AKP-së në zgjedhjet e vitit 2002.

A do të mund të garojë Erdogani?

Po ashtu është një debat i ashpër mes Qeverisë dhe opozitës nëse Erdogan mund të garojë sërish, duke pasur parasysh faktin se ai ka qenë president që nga viti 2014 dhe aktualisht është duke shërbyer në mandatin e dytë.

Profesori i Kushtetutës, Ibrahim Kaboglu, zëdhënës i CHP-së në Komisionin Kushtetues, tha se Erdogan mund të lejohet të garojë në zgjedhje vetëm nëse votimet mbahen para qershorit.

Kushtetuta lejon dy mandate për presidentët, por ata mund të garojnë për një mandat të tretë nëse Parlamenti thërret zgjedhje të parakohshme para përfundimit të mandatit të dytë presidencial.

Nëse Erdogan do të garojë pas këtij afati, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta, tha Kaboglu.

“Por, një ndryshim i tillë kushtetues do të ishte vetëm për një individ. Diskutimi për një ndryshim të tillë do të jetë problematik”, tha ai./REL

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara