Lajmet

Si do të funksionojnë pasaportat e vaksinave për udhëtimet globale?

Published

on

Të etur për të shmangur humbjet edhe të një vere tjetër me të ardhura nga pushimet, shkaku i pandemisë së koronavirusit, Bashkimi Evropian, disa qeveri aziatike si dhe industria e linjave ajrore, po mundohen të zhvillojnë të ashtuquajturat pasaporta të vaksinave kundër COVID-19, për të ndihmuar fillimin e udhëtimeve ndërkombëtare.

Ata janë duke punuar në sisteme që do t’u mundësojnë udhëtarëve të përdorin aplikacione të telefonave celularë, për të dëshmuar se janë vaksinuar, gjë që mund t’u ndihmojë të shmangin kërkesat e shumta për karantinim në destinacionet e tyre.

Por, përpjekjet e shumta nënvizojnë mungesën e një sistemi qendror ndërkombëtar për të verifikuar në mënyrë elektronike statusin e vaksinimit. Projektet gjithashtu po përballen me sfida teknike për të punuar së bashku, derisa çështjet rreth privatësisë dhe pabarazisë së vaksinave, mbeten.

Pasaportat e vaksinimit do të shtonin një shtresë tjetër digjitale në morinë e shëndetit ekzistues të koronavirusit dhe aplikacioneve për gjurmimin e kontakteteve, pasi që shumë shtete si dhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë përfshirë në të. Përdorimi i tyre brenda vendit për të rihapur ekonomitë lokale është debatuar me ashpërsi, me shumë kundërshtime ndaj kërkesave për sa u takon kafeneve, koncerteve dhe ngjarjeve sportive. Sidoqoftë, ka më shumë prirje që ato të përdoren për udhëtime ndërkombëtare, veçanërisht pasi vende si Islanda, që hapi kufijtë e saj për vizitorët e vaksinuar dhe të tjera vende si Arabia Saudite, po fillojnë të lejojnë qytetarët e vaksinuar të udhëtojnë jashtë vendit. Vendimi i BE-së javën e kaluar për të hapur kufijtë e vendeve të saj për udhëtarët e vaksinuar plotësisht, rrit edhe më shumë urgjencën për këtë çështje.

Përpjekjet zyrtare

Pjesa e parë e një pasaporte vaksinimi është regjistri zyrtar apo regjistri i aprovuar i imunizimit eletkronik të përdoruesit të saj.

Bashkimi Evropian, Kina dhe Japonia po punojnë që të kenë certifikatat e tyre digjitale të vaksinimit për udhëtimet ndërkufitare. Ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar, javën e kaluar përditësoi aplikacionin e saj të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, ashtu që t’u mundësojë përdoruesve të vaksinuar plotësisht, që të provojnë statusin e tyre kur udhëtojnë jashtë vendit, çfarë është një lehtësim i rregullave të udhëtimit.

Është në proces e sipër testimi për certifikatën digjitale të BE-së, e cila gjithashtu do të konfirmojë rezultatet e testit për COVID-19, ose rikuperimin nga virusi dhe është vendosur të vihet në qarkullim nga fundi i qershorit, duke u mundësuar të ribashkohen me miqtë dhe të afërmit, banorëve që jetojnë në 30 vende të Evropës. Por, ende është e paqartë se ku dhe si saktësisht do të kontrollohen certifikatat e udhëtarëve të BE-së, të cilët nuk kanë pika kontrolli brenda kufijve. Zyrtarët në Bruksel thonë se kjo do të varet nga secili vend konkretisht. Ideja është që udhëtarët të vendosin një kod QR në telefonat e tyre, ashtu që të mund të skanohen, le të themi në një aeroport apo stacion treni, duke përdorur një aplikacion zyrtar verifikimi që kontrollon mbi bazë të të dhënave kombëtare, përmes një “porte hyrëse” teknike të BE-së.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk rekomandon provë të vaksinimit si një kërkesë për udhëtimet ndërkombëtare, duke theksuar shpërndarjen e pabarabartë e vaksinave, edhe pse këshillohen udhëzime të përkohshme për zhvillimin e një “Certifikate Vaksinimi të Mençur”.

Aplikacionet e udhëtimit

Udhëtarëve gjithashtu u duhet një aplikacion për telefonat e tyre të mençur, për të patur eventualisht certifikata zyrtare të vaksinimit.

Projekti i BE-së përfshin teknologji me burime të hapura, që mund të përdoren nga vendet evropiane për të ndërtuar portofolët e tyre zyrtare të lëvizshme.

Asociacioni Ndërkombëtar i Transportit, një grup i industrisë së linjave ajrore, ka telefonat e saj të mençur “IATA Travel Pass”, në të cilat janë regjistruar linja ajrore si Qantas, Japan Airlines, Emirates, British Airways dhe Virgin Atlantic. Një përpjekje tjetër rivale me të, Common Pass, ka regjistruar duke bërë për vete transportuesit si Cathay Pacific, JetBlue, United dhe Lufthansa.

Tashmë udhëtarët mund të përdorin aplikacione për të verifikuar që rezultatet e tyre të COVID-19, janë të pranueshme në destinacionet e tyre. Travel Pass dhe Common Pass deri më tani janë në dispozicion vetëm për udhëtarët e linjave ajrore që i përdorin ato. Të dyja ato gjithashtu mund të integrohen në aplikacionet e udhëtimeve të linjave ajrore, në mënyrë që përdoruesit të kenë mundësi të verifikojnë statusin e tyre të vaksinës kur të kontrollohen online. Gjithashtu, të dyja pritet të punojnë me certifikatat e BE-së. Common Pass thotë se përdoruesit do të jenë në gjendje të importojnë kredencialet e vaksinave deri në mes të qershorit.

Çfarë duan udhëtarët

Udhëtarët e biznesit sikur Richard Fogg, zbatues britanik i marrëdhënieve me publikun, mirëpresin pasaportat e vaksinave. Firma e Foggit zvogëloi planet për të marrë pjesë në një shfaqje të madhe tregtare të telekomit në Barcelonë muajin tjetër, duke pasur parasysh rregullat e karantinës për njerëzit që kthehen në Britani të Madhe.

“Ato dhjetë ditë të karantinës do të kenë implikime negative në biznes – nuk ka asnjë rrugë tjetër”, tha Fogg, teksa pranoi edhe shqetësimet në lidhje me privatësinë e të dhënave.

Eymeric Segard, shef ekzekutiv i ndërmjetësit Lunajets të avionëve privatë me qendër në Gjenevë, vuri në dukje se udhëtarët tashmë po dorëzojnë pasaportat me të dhëna personale pas mbërritjes.

“Ju e dini që personalisht, unë do të isha i lumtur t’i tregoja kujtdo, që po, jam i vaksinuar ose jo nuk jam i vaksinuar”, tha ai, duke shtuar se pasaportat e vaksinave do të ndihmonin në shmangien e “makthit logjistik” të provave të COVID-19, në fytyrat e evropianëve kur vizitoni vendet e tjera të BE-së.

Çfarë me falsifikimet?

Dokumenti i rremë COVID-19 i shitur nga mashtruesit, ka qenë një problem gjatë pandemisë, por zhvilluesit e tij thonë se versionet digjitale kanë masa mbrojtëse që i bëjnë ato vështirë të falsifikueshme.

IATA thotë se nuk verifikon rezultatet e testit apo statusin e vaksinimit, por vepron si kanal për laboratorët e regjistruar, për të dërguar me siguri ato detaje tek udhëtarët, identitetin e të cilëve, aplikacioni mund t’i përputhë me personin që është testuar ose vaksinuar. Aplikacioni skanon fytyrën e një udhëtari duke përdorur kamerën e telefonit dhe e përqas atë me detajet biometrike të pasaportës dhe ka kontrolle për të parandaluar që dikush tjetër të përdorë identitetin e tij.

Siguria dhe privatësia

Pasaportat e vaksinimit janë një temë polarizuese, me diskutime online që nxjerrin në pah frikën e pabazuar, se ato do të përdoren për të kontrolluar njerëzit, për të kufizuar lirinë dhe për të thyer privatësinë. Zhvilluesit e këtyre pasaportave theksojnë se të dhënat minimale personale, mbahen në telefona dhe se e vetmja gjë që transmetohet, janë çelësat e kriptimit që lejojnë shkëmbimin e informacionit në mënyrë të sigurt.

“Nëse bëhet ashtu siç duket, kjo nuk shton një nivel shtesë të rrezikut të privatësisë sepse thjesht po vendos një status kredencial për ‘po’ ose ‘jo’”, tha Kevin Trilli, zyrtari kryesor i produktit në kompaninë e verifikimit të ID-së, Onfido, e cila po punon për teknologjinë e kartave të vaksinimit.

Gjithashtu shtrohet pyetja se sa mirë do të punojnë sistemet e ndryshme të kredencialeve të vaksinave dhe nëse vendet do t’i njohin certifikatat e njëri-tjetrit. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar se aktualisht, jo shumë vende pranojnë prova të vaksinimit nga udhëtarët.

“Ju nuk mund të keni një sistem ndërveprues në ditën zero”, por me kalimin e kohës do të shihen dhe përpunohen ngërçet, gjë që ndihmonin në hedhjen e bazave për pandeminë e ardhshme, tha Trilli.

Por, çfarë për njerëzit që nuk kanë telefona të mençur? Apo për familjet që nuk kanë pajisje teknologjike për secilin anëtar? Zyrtarët e IATA dhe të BE-së thonë se po punojnë për zgjidhje, përfshirë opsione të bazuara në letër.

Lajmet

MINT publikon çmimet e reja të derivateve për fundjavë dhe të hënën

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për datat 10 dhe 11 maj 2026.

Sipas njoftimit të ministrisë, çmimi maksimal i naftës është caktuar në 1.61 euro për litër, ndërsa benzina nuk mund të shitet më shtrenjtë se 1.50 euro për litër.

Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është përcaktuar në 0.79 euro për litër.

Rritja e shqetësimeve për tregun e naftës po lidhet edhe me tensionet e fundit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Irani ka paralajmëruar vështirësi për anijet e vendeve që mbështesin sanksionet ndaj Teheranit, duke shtuar frikën për ndikim në furnizimin global me derivate. Këto zhvillime kanë nxitur lëvizje dhe pasiguri në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Continue Reading

Lajmet

Kosova në Ditën e Evropës: Aspirata evropiane mes pengesave politike

Published

on

By

Kosova po e shënon 9 Majin – Ditën e Evropës – mes simbolikës së orientimit të saj pro-evropian dhe sfidave që vazhdojnë ta përcjellin në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ndonëse konsiderohet një nga shoqëritë më pro-evropiane në Ballkanin Perëndimor, vendi ende nuk ka marrë statusin e kandidatit, edhe pse aplikimi për anëtarësim u dorëzua në fund të vitit 2022.

Për më shumë se dy vite, procesi integrues i Kosovës u rëndua nga masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të vendosura pas tensioneve në veri gjatë vitit 2023. Këto masa sollën pasoja edhe në aspektin financiar, duke bllokuar mbi 600 milionë euro projekte dhe mbështetje për Kosovën, deri në fillim të vitit 2026, kur Brukseli vendosi t’i largojë ato.

Situata nxiti reagime dhe kritika për qasjen e BE-së ndaj Kosovës, sidomos në raport me zhvillimet në rajon. Ndërkohë që Kosova u përball me masa kufizuese, Serbia nuk u sanksionua në mënyrë të ngjashme as pas sulmit të armatosur në Banjskë, ngjarje që tensionoi më tej raportet mes dy vendeve.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se Kosova ka treguar vazhdimisht orientim të qartë drejt Bashkimit Evropian, sidomos përmes përafrimit të legjislacionit me standardet evropiane.

“Kosova është jashtëzakonisht shumë e përkushtuar drejt integrimit evropian. Të gjitha ligjet që janë miratuar që nga pavarësia janë në përputhje me ligjet e BE-së dhe në këtë aspekt Kosova është shumë e përgatitur”, thotë Arifi.

Sipas tij, megjithëse Kosova ka bërë progres në aspektin institucional dhe ligjor, pengesat politike vazhdojnë të mbeten vendimtare në procesin e integrimit.

“Procesi i integrimit nuk është vetëm teknik, por edhe politik. Problemi politik ka ndikuar që Kosova të stagnojë në këtë proces, edhe pse është ndër vendet më pro-evropiane jo vetëm në Ballkan, por edhe në shumë vende të Bashkimit Evropian”, deklaron ai.

Arifi thekson se një ndër vështirësitë kryesore mbetet fakti që pesë shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, gjë që, sipas tij, krijon pengesa të vazhdueshme në avancimin e vendit drejt strukturave evropiane.

“Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe kjo realisht e dëmton rrugën drejt integrimit. Në një mënyrë të vetëdijshme apo jo, vetë BE-ja po e dëmton procesin e integrimit të Kosovës, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, shprehet Arifi.

Ai kritikon edhe vendimin për masat ndëshkuese, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe me ndikim negativ për zhvillimin e vendit.

“Masat ndëshkuese të BE-së kanë qenë jashtëzakonisht të dëmshme dhe jokorrekte dhe kanë ndikuar shumë në potencialin tonë si shtet”, thotë ai.

Profesori vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë reformat dhe ndërtimin e standardeve evropiane, pavarësisht ritmit të integrimit formal në BE.

Ai shton se forcimi i institucioneve dhe funksionimi sipas standardeve evropiane duhet të mbetet prioritet i Kosovës, pavarësisht sfidave politike që e shoqërojnë procesin.

“BE-ja duhet ta bëjë një hap dhe ta pranojë Kosovën si vend kandidat. Kjo do ta ndryshonte edhe politikën e Serbisë, sepse do të kuptohej qartë se Bashkimi Evropian nuk ka më dykuptimësi për shtetësinë e Kosovës”, deklaron Arifi.

Pas heqjes së masave ndëshkuese, pritjet tashmë janë që institucionet e Kosovës të fokusohen në objektivat e ardhshme evropiane, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe avancimin drejt statusit të vendit kandidat.

Në Ditën e Evropës, Kosova vazhdon ta shohë integrimin evropian si synim strategjik, duke kërkuar njëkohësisht mbështetje dhe trajtim më të barabartë nga Bashkimi Evropian.

Continue Reading

Lajmet

MINT gjobit KEDS-in edhe me 35 mijë euro pas parregullsive me njehsorët elektrikë

Published

on

By

Komisioni verifikues në kuadër të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) po vazhdon me verifikimin e njehsorëve elektrikë pas ankesave të shumta të qytetarëve, proces ky që ka rezultuar me masa ndëshkimore.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se pas kontrolleve laboratorike të 16 njehsorëve, janë gjetur shkelje të rënda, për çka Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh.

Nga analizat e detajuara laboratorike, në gjashtë raste është vërtetuar se njehsorët elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në gjashtë raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë. Po ashtu, inspektorët kanë konstatuar një rast të heqjes së miratimit të tipit të njehsorit, ndërkohë që tre pajisje të tjera janë ende në proces të ekzaminimit të mëtutjeshëm.

MINTI dhe Agjencia e Metrologjisë kanë bërë të ditur se ky aksion nuk do të ndalet me aq. Verifikimet do të vazhdojnë intensivisht edhe në ditët në vijim për të garantuar që çdo pajisje matëse funksionon sipas standardeve ligjore, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga faturimet e pasakta dhe sigurimin e transparencës në tregun e energjisë.

 

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria synon mbylljen e 10 kapitujve të parë me BE-në: Plotësohen 27 piketa kyçe

Published

on

By

Shqipëria ka hyrë në një etapë intensive teknike drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke u fokusuar tashmë në përmbushjen e detyrimeve konkrete ekonomike dhe shoqërore. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Kryenegociatorja Majlinda Dhuka bëri të ditur se vendi po punon për mbylljen teknike të 10 kapitujve të parë, të cilët mbulojnë 27 nga 101 piketat totale të përcaktuara nga Brukseli.

Sipas ministres Dhuka, Shqipëria ka bërë hapa domethënës në fusha si marrëdhëniet me jashtë, kërkimi shkencor dhe arsimi, për të cilat pritet vlerësimi përfundimtar nga Komisioni Evropian. Përparim është shënuar edhe në kapitujt që lidhen me pronësinë intelektuale, prokurimin publik dhe politikat monetare. Deri më tani, janë realizuar 92 nisma të rëndësishme që kanë mundësuar përmbushjen e 24 piketave të ndërmjetme, duke marrë vlerësime pozitive nga partnerët evropianë.

Një peshë të rëndësishme në këtë proces luan reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit. Dhuka vlerësoi rolin e Kuvendit në miratimin e ligjeve për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe nismat për lobimin dhe parandalimin e konfliktit të interesit. Paralelisht, vëmendje u është kushtuar të drejtave themelore, mbrojtjes nga diskriminimi dhe forcimit të lirisë së medias përmes ndryshimeve në Kodin Penal.

Në përfundim, Kryenegociatorja theksoi se Shqipëria po dëshmon seriozitet institucional në ndërtimin e një shteti që garanton rendin dhe drejtësinë sipas standardeve të BE-së. Sipas saj, kalimi nga faza e besimit politik në atë të rezultateve teknike është prova më e madhe e progresit të vendit në rrugën evropiane.

 

Continue Reading

Të kërkuara