Sport

Shuplaka ndaj sportistes: Trajneri Fetiu pezullohet për gjashtë muaj nga garat në taekwondo

Published

on

Federata Evropiane e Taekwondos ka pezulluar për gjashtë muaj trajnerin nga Kosova, Valmir Fetiu, për shkak se ka ushtruar dhunë ndaj sportistes që e ka trajnuar.

Kështu, atij i janë ndaluar të gjitha garat kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë periudhë kohore.

Incidenti ka ndodhur përgjatë fundjavës në garat evropiane që janë mbajtur në Tiranë.

Vetë Fetiu e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë masën e marrë ndaj tij, dhe e ka konsideruar të drejtë.

“Jam penduar shumë, jam penduar me jetën time, vajza ime është gjëja më e shtrejtë për mua”, ka thënë ai, duke iu referuar sportistes.

Ai ka pretenduar se nuk e ka rrahur sportisten, se vetëm ka tentuar ta qetësojë, ndonëse në disa pamje të publikuara në rrjetet sociale, ai shihet duke e goditur në fytyrë.

Ai ka paralajmëruar që do të takohet gjatë ditës edhe me bordin e Federatës së Taekwondos së Kosovës për të diskutuar incidentin.

Federata e Kosovës nuk ka qenë e qasshme në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për koment.

Pamjet janë dënuar ashpër në platformat sociale dhe dhuna e parë është konsideruar e patolerueshme./REL/

Sport

Shqipëria mposht San Marinon dhe merr kryesimin e grupit

Published

on

By

Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur një fitore të lehtë e të pritur ndaj San Marinos me rezultat të pastër 3:0, në përballjen e zhvilluar të martën mbrëma në kuadër të Grupit C1 në Ligën e Kombeve.

Me këtë triumf, kuqezinjtë janë ngjitur në pozitën e parë të grupit me gjashtë pikë të grumbulluara. Në këtë takim u veçua edhe sulmuesi Anis Mehmeti, i cili realizoi golin e parë të epërsisë, që njëkohësisht ishte edhe goli i tij i parë me fanellën e kombëtares.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Rolando Maran, u shpreh i kënaqur me rezultatin dhe reagimin e skuadrës, megjithëse pranoi se në pjesën e dytë ekipi u mjaftua me menaxhimin e lojës.

“Më pëlqeu padyshim pjesa e parë, ku ishim më shumë të rrëmbyeshëm. Në të dytën ishim pak në menaxhim dhe ekipi ynë nuk është i tillë. Por është e vërtetë që kishim lojtarë me karton, ndonjë që vinte nga dëmtimi, ndaj ngadalësuam pak,” deklaroi Maran pas ndeshjes.

Tekniku italian theksoi gjithashtu se fokusi i lojtarëve ishte pashmangshëm te sfida e radhës:

“Bëmë 3 gola, duhet të bënim më shumë se kishim raste. Në të dytën shkuam në menaxhim, me mendje ishim në Finlandë. Por skuadra hyri për të bërë rezultat, ia doli. Janë ndeshje ku duhet të provojmë të rinjtë për të qenë të vlefshëm dhe përfitova nga kjo”.

Continue Reading

Sport

Bashkimi i jep fund dominimit të Trepçës, shpallet kampion i Superkupës

Published

on

By

Bashkimi i ka dhënë fund dominimit të Trepçës në garat e basketbollit kosovar, duke triumfuar në Superkupën e Kosovës.

Prizrenasit të martën mbrëma e mposhtën Trepçën me rezultat 103:93, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

Fituesi u përcaktua vetëm pas vazhdimit prej pesë minutash, pasi koha e rregullt përfundoi me rezultat 87:87.

Nëntë sekonda para fundit, kur rezultati ishte 84:84, Mikaile Tmushiq dështoi të shënonte për tri pikë. Në aksionin pasues, Shanon Shorter realizoi nga distanca për 87:84 në favor të Bashkimit. Prizrenasit nisën festën, por Trepça kishte ende një mundësi.

Me vetëm 1.6 sekonda në dispozicion, Drilon Hajrizi pasoi te Dardan Kapiti, i cili gjuajti nga gjysma e fushës dhe realizoi për 87:87, duke e dërguar ndeshjen në vazhdim.

Tensionet vazhduan edhe para fillimit të pesë minutave shtesë, ndërsa trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, u përjashtua pas reagimit ndaj arbitrave.

Në vazhdim, Bashkimi ishte dukshëm më efikas dhe dominues. Prizrenasit fituan pesëminutëshin shtesë me rezultat 16:6 dhe në fund triumfuan 103:93, duke e fituar Superkupën e Kosovës.

  1. D.L

Continue Reading

Lajmet

Kosova U21 synon fitoren e radhës ndaj Qipros në “Fadil Vokrri”

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës U21 në futboll ka zhvilluar të martën stërvitjen e fundit në prag të përballjes me Qipron U21. Pas fitores bindëse 3:0 të javës së kaluar si mysafire kundër San Marinos, futbollistët e rinj shprehen të gatshëm dhe synojnë të marrin një tjetër fitore.

Ndeshja do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.

Kjo është ndeshja e parafundit kualifikuese për Kampionatin Evropian U21 2027, i cili do të organizohet në Shqipëri dhe Serbi. Aktualisht, Kosova U21 renditet në vendin e katërt të grupit me 11 pikë dhe është pa gjasa matematike për t’u kualifikuar tutje.

Grupi kryesohet nga Spanja me 21 pikë, e ndjekur nga Finlanda në vendin e dytë me 19 pikë.

Ciklin kualifikues Kosova U21 do ta mbyllë më 6 tetor, ku po ashtu në shtëpi do të përballet me Finlandën U21. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Jokanoviq merr drejtimin e Baselit, flet për Shaqirin: “Është klubi i tij më shumë se i imi”

Published

on

By

Drejtuesit e klubit zviceran Basel kanë emëruar serbin Slavisha Jokanoviq në postin e trajnerit të ri të skuadrës.

Jokanoviq ka nisur punën zyrtarisht këtë të martë, ndërsa gjatë konferencës për shtyp nuk i ka shpëtuar pyetjeve lidhur me yllin dhe kapitenin e skuadrës, Xherdan Shaqiri.

Sipas trajnerit të ri, bashkëpunimi dhe respekti dypalësh do të jenë kyç për ecurinë e klubit.

“Ai është një person i jashtëzakonshëm. E respektoj dhe shpresoj në një raport shumë të mirë. Shaqiri duhet ta shtyjë veten që të mbetet një lojtar i rëndësishëm këtu. Momentalisht, ky është klubi i tij më shumë se i imi”, është shprehur Jokanoviq.

Continue Reading

Të kërkuara