Prishtinë, 7 qershor – Kosova bazuar në raportet e Policisë, duket se nuk po gjen një mënyrë për të zvogëluar aksidentet e shumta. Ato rezultojnë të shpeshta e po marrin jetë njerëzish. Përkundër lëvizjeve të kufizuara të qytetarëve për shkak të masave antiCOVID19, tremujori i parë i këtij viti, kishte shumë më tepër aksidente në krahasim me periudhën e njejtë të vitit paraprak.
Flakë Ajeti
Numri i aksidenteve të trafikut rrugor në Kosovë mbetet një shqetësim i madh dhe sfidë për organet e rendit. Shifrat në tre mujorshin e parë të këtij viti, janë alarmante. Periudha janar – mars e vitit 2020, regjistroi në total 3,308 aksidente. E njëjta periudhë e vitit 2021 pati rreth 1,100 aksidente më tepër, saktësisht, sipas Policisë së Kosovës, kishte 4,405 aksidente, edhe pse gjatë këtyre muajve, masat antiCOVID, nuk lejonin lëvizjen e qytetarëve gjatë 24 orëve të ditës.
Nga aksidentet e këtij cikli kohor të këtij viti, raporti policor tregon se 19 persona vdiqën, në 18 ndeshjet e regjistruara me pasojë fataliteti. Numër i njëjtë i të vdekurve është shënuar edhe një vit më parë, porse të lënduar në aksidente ishin rreth 400 më pak. Përkundër rritjes së aksidenteve, ajo që bie në sy në raportet policore, është se Policia e Kosovës ka shqiptuar më pak gjoba. Muaji janar, shkurt e mars i vitit 2020 ishte mbyllur me 108,455 tiketa kundërvajtjëse, ndërsa e njëjta periudhë kohore e vitit 2021, ka mbi 10 mijë tiketa më pak kundër pjesëmarrësve në komunikacion – gjithsej 98,074 sosh.
Pikërisht, mosmarrja e masave adapte në komunikacion, është faktori kryesor i aksidenteve të shumta, thotë eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj. Por jo vetëm, shton ai.
“Kosova nuk ka institucione as profesionale e as shkencore që do të merreshin me studimin e elementeve të faktorëve të cilët shkaktojnë aksidente në komunikacion”, thotë Dedaj për UBTNEWS.
Ai permend edhe mungesën e një ligji të sigurisë në komunikacion, për të cilin thotë se janë bërë përpjekje në një kohë, por që ende nuk është miratuar për t’u vënë në zbatim.
“Rritja e aksidenteve ka ardhur në mënyrë lineare edhe për shkak të mungeses së një ligji të tillë”, thotë ai.
Policia e Kosovës, thotë për UBTNEWS, se planifikojnë këtë vit ashpërsim të masave për të parandaluar aksidentet e shumta dhe ndëshkuar pjesëmarrësit që nuk u përshtaten rregullave e kushteve në komunikacion./UBTNews
Policia e Kosovës ka njoftuar për zhdukjen e një gruaje dhe fëmijës së saj në Prizren, të cilët janë larguar nga shtëpia dhe prej ditës së djeshme nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tyre.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, rasti është raportuar të enjten rreth orës 13:30.
Njësitë relevante policore janë duke e trajtuar rastin në procedurë hetimore për të zbardhur rrethanat dhe për të gjetur vendndodhjen e tyre. /E.A/
Një aksident i rëndë trafiku me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Podujev.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një burrë duke drejtuar veturën e tij, dyshohet se ka goditur një motoçikletë që drejtohej nga një burrë tjetër.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motoçikletës ka ndërruar jetë, vdekja e të cilit është konstatuar në vendin e ngjarjes nga njësitë përkatëse.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit nga hetuesit policorë, është dërguar në mbajtje. /E.A/
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Dhunim” në Graçanicë.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, rasti ka ndodhur më 15 nëntor rreth orës 15:00, ndërsa arrestimi i të dyshuarit është realizuar gjatë ditës së djeshme, më 19 nëntor.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /E.A/
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Fushë-Kosovë, të dyshuar për kryerjen e së paku tetë rasteve të vjedhjeve të rënda në banesa gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026.
Sipas Policisë, A.B., F.H. dhe M.K. janë arrestuar pas një hetimi dymujor. Operacioni policor është zhvilluar më 18 nëntor, ndërsa dëmi fillestar material nga vjedhjet vlerësohet të jetë mbi 60 mijë euro.
Gjatë kontrolleve në katër lokacione, policia ka sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale, dy telefona dhe një sasi të dyshuar të marihuanës.
Hetimet e mëtejshme kanë çuar policinë edhe te një argjendari në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura. Pronari i argjendarisë është shoqëruar në stacion policor. Ndërkaq, një sasi tjetër ari është lokalizuar dhe sekuestruar në Prizren.
Policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për “Vjedhje të rëndë”, “Posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim të paautorizuar të narkotikëve”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./A.K/