Kulturë

Shuk Gurakuqi, ish ministri i Financave i dënuar nga regjimi komunist në burgun e Burrelit

Published

on

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” organizoi sot një ceremoni përkujtimore për intelektualin dhe ish-ministrin e shtetit shqiptar, Shuk Gurakuqi, në ditën e 137-vjetorit të lindjes së tij.

Shuk Gurakuqi, një figurë e shquar e historisë shqiptare, lindi në Shkodër më 28 mars 1888 dhe studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në vendlindje. Ai filloi karrierën e tij si arkëtar në Doganën e Shkodrës dhe më pas si administrator në disa firma private, para se të emërohej shef i Seksionit të Financave në Bashkinë e Shkodrës gjatë pushtimit austro-hungarez.

Gurakuqi u bë një aktor i rëndësishëm në jetën politike të Shqipërisë gjatë periudhës 1920-1924, kur u zgjodh dy herë deputet i qarkut Shkodër. Po ashtu, ai ishte drejtues i organit të shtypit “Ora e Maleve” së bashku me Patër Anton Harapin dhe Dom Lazër Shantonë. Megjithatë, edhe pse nuk mori pjesë në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, Gurakuqi mbeti një mbështetës i grupeve antizogiste dhe për këtë arsye kaloi pjesën më të madhe të periudhës së regjimit të Mbretit Zog në ekzil.

Në vitin 1938, Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe filloi të drejtonte firmën tregtare “Vllazën Prennushi”. Më vonë, ai u emërua Ministër i Financave në qeverinë e Mustafa Krujës, ku mbajti këtë post për dy vjet. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Shuk Gurakuqi u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Special i vitit 1946.

Dënimi i tij më vonë u ul në 20 vjet burgim, por ai vuajti gjithsej 17 vjet, ku një pjesë të madhe të këtij kohë e kaloi në burgun e Burrelit, një nga burgjet më të famshme dhe më të tmerrshme të regjimit komunist. Pas lirimit, Gurakuqi kaloi vitet e mbetura të jetës në varfëri, duke u marrë me studime dhe lexime shkencore, përderisa vendi i tij dhe i shoqërisë kishte kaluar nën dritën e një regjimi tjetër.

Shuk Gurakuqi ndërroi jetë më 13 prill 1966 në Shkodër, duke lënë pas një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një historik të mbushur me përpjekje për të mirën e atdheut, por edhe me sakrifica të mëdha nën regjimin komunist.

Përkujtohet sot si një figurë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, me një jetën e tij të ndarë mes përpjekjeve për të ndihmuar në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe vuajtjesh të pafundme nga padrejtësitë që i shkaktoi regjimi komunist./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Reka dhe Çitaku diskutojnë promovimin e filmave kosovarë në garën për Oscar

Published

on

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Blerim Reka, ka pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju-Jork, Lum Çitakun, drejtor i Programeve në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Në takim është diskutuar promovimi ndërkombëtar i kinematografisë kosovare.

Në fokus të takimit ishte filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili po shfaqet këto ditë në Nju-Jork dhe është propozimi zyrtar i Kosovës për edicionin e 99-të të çmimeve Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Në të njëjtën kategori garon edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, i cili, sipas raportimit të Telegrafit, është kualifikuar drejtpërdrejt pas fitimit të çmimit kryesor të jurisë, World Cinema Grand Jury Prize, në Festivalin e Filmit Sundance në janar të këtij viti.

Gjatë takimit, Reka theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për krijimtarinë filmike dhe promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi kinematografinë si një nga mënyrat e rëndësishme për përfaqësimin dhe afirmimin e vendit në botë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë, duke bërë të ditur se kjo hapësirë së shpejti do të jetë e gatshme për artistët dhe publikun.

Përmes një njoftimi, Bogujevci ka theksuar se rinovimi i teatrit ODA është pjesë e investimeve në infrastrukturën teatrore në vend.

Ajo ka përmendur edhe projektet e përfunduara, përfshirë rinovimin e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe të hapësirave teatrore në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, si dhe ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë.

Sipas ministres, punimet po vazhdojnë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrin “Adriana” në Ferizaj, ndërsa Qendra për Arte në Rahovec ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Ndërkaq, Teatri i Operës dhe Baletit në Prishtinë është në fazën e fundit të projektimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Palimpsest”, projekt artistik që rikthen në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare

Published

on

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar projektin artistik “Palimpsest”, i cili synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50.

Përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore, projekti sjell vepra të kompozitorëve Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja.

Në këtë mbrëmje artistike do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj në bariton dhe Maida Resulbegoviç në soprano, ndërsa e ftuar speciale do të jetë pianistja Norena Gaxha.

Koncepti artistik, hulumtimi arkivor dhe mbledhja e partiturave janë realizuar nga pedagogia Ardita Bufaj.

Projekti organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë muzikore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Çekia diskutojnë bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore

Published

on

By

Ambasadorja e Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj, ka zhvilluar një takim me drejtoreshën e përgjithshme të Institutit Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve të Republikës Çeke, Naděžda Goryczková, për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e trashëgimisë kulturore.

Gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e ekspertizës dhe praktikave profesionale ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve, me fokus të veçantë në konservimin, restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve.

Përvoja e gjatë e Republikës Çeke në ruajtjen e trashëgimisë kulturore u vlerësua si mundësi e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve dhe avancimin e standardeve të institucioneve të Kosovës në këtë sektor. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara