Kronikë e zezë

Shtyhet shqyrtimi fillestar për rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit

Besnik Berisha tha se hetimi i këtij rasti është ndër më të vështirët në historinë e drejtësisë së Kosovës.

Published

on

Shqyrtimi fillestar për rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit në mungesë të pajisjes së palëve me shkresa dhe provat e lëndës është shtyrë për 14 nëntor.

Të dy palët kanë thënë se nuk posedojnë këto shkresa dhe kanë kërkuar që shqyrtimi fillestar të shtyhet.

Para gjykatores, avokati mbrojtës për rastin e Bedri Rexhepit, Besnik Berisha tha se hetimi i këtij rasti është ndër më të vështirët në historinë e drejtësisë së Kosovës.

“Është fakt se hetimi ka qenë i shoqëruar me vështirësitë më të njohura në historinë e drejtësisë në Kosovë dhe jo gjithçka ka mundur të realizohet në kohë dhe të përmbushen detyrimet për një seancë të kompletuar siç kërkon ligji. Ne pajtohemi që gjykata të jep kohë shtesë, ashtu siç rezulton si e drejtë se secili i akuzuar dhe mbrojtës i tyre të ketë mundësinë të pajiset me shkresat e lëndës dhe vetëm atëherë të deklarohet për fajësinë dhe pafajësinë. I akuzuari kryesor në këtë çështje edhe pse është deklaruar fajtor, në momentet e fundit do të përdorë praktika për ta ndryshuar këtë deklarim, dhe ne nuk duam që gjykata të jep mundësi që kjo të bëhet për shkak të përdoret si alibi mungesa e shkresave të lëndës”, u shpreh ai.

Avokatja e të akuzuarit Jeton Vllasaliut, Alberina Foniqi ka propozuar që kjo seancë të shtyhet.

“Unë kam një propozim, meqë lënda është voluminoze dhe që mua në këtë seancë për këtë shkak më pamundësohet të jap çfarëdo deklarimi. Duke u bazuar në këto që ceka, propozoj që seanca e sotme të shtyhet për një afat të pacaktuar që neve të na jepet mundësia që ne të kemi një pasqyrë më të hollësishme sa i përket kësaj çështje në mënyrë që të procedojmë tutje”, ka thënë ajo.

Edhe avokati i të akuzuarit të dytë Nexhat Vllasaliut, Shemsedin Piraj tha se nuk posedojnë këto shkresa dhe kërkesa e të pandehurit është që të pajisen me to.

“Shkresat nuk janë dorëzuar, mirëpo kemi pasur një bisedë me prokurorin e çështjes dhe na ka premtuar që do t’i sjell në seancën e sotme. Unë e kuptoj që është një material voluminoz dhe i llojllojshëm. Mirëpo, per veç aktakuzës, prova tjera nuk disponojmë. Pas konsultimeve që i kemi pasur me të pandehurin ditën e shtunë, i njëjti kërkon që të gjitha provat të shikohen një nga një, meqë i njëjti në asnjë stad fajësinë nuk e ka pranuar. Andaj duhet të bëhen përpjekje atëherë të dorëzohen provat dhe të caktohet shqyrtimi fillestar dhe të jepet mundësia që mbrojtja të jetë sa më efikase dhe e drejtë. Unë e kuptoj që kemi të bëjmë me një çështje serioze, por kërkesa eksplicite është që të pandehurit është që të pajisen me shkresa”, ka shtuar ai.

Pas dëgjimit të palëve, gjykata ka vendosur shqyrtimi fillestar të shtyhet për datën 14 nëntor në orën 13:30.

Kujtojmë se, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të cilët janë vëllezër, Jeton dhe Nexhat Vallasaliu, të cilët dyshohen për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje.

lajme

Policia nis hetimet për vdekjen e një personi në Prishtinë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e një personi, i cili është gjetur i shtrirë në Prishtinë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësia policore dhe ekipe të emergjencës. Viktima është transportuar me urgjencë drejt Qendrës Kliniake Universitare të Kosovës (QKUK) për tretman mjekësor pasi në ato momente shfaqte ende shenja jete.

Megjithatë, përkundër përpjekjeve të mjekëve, stafi mjekësor i emergjencës ka konfirmuar vdekjen e tij.

Me vendim të prokurorit të kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t’ju nënshtruar obduksionit, ndërsa rasti po trejtohet nga Policia si “Hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Suedi dhe i konfiskohet pasuria pas hetimit nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Published

on

By

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se si rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve suedeze në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave, është arrestuar një person në Suedi.

Si rezultat i veprimeve hetimore të ndërmarra nga Kosova, është prangosur personi me inicialet A.G., ndërsa atij i janë konfiskuar pasuritë e fituara përmes veprimtarive kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, ky rast përbën precedentin e parë ku autoritetet suedeze kanë arritur të sekuestrojnë pasuri jashtë juridiksionit të tyre territorial.

Tutje bëhet e ditur se Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në koordinim me autoritetet e Suedisë do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për konfiskimin e pasurive edhe në Kosovë.

Ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga aktivitete illegale. Në njoftimin e prokurorisë nuk janë dhënë detaje shtesë për lidhjen e saktë të personit të arrestuar me shtetin e Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës në raportin njëditor ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të regjistruara në rajonet e Kamenicës, Klinës, Pejës dhe Vushtrrisë.

Në Kamenicë, një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar nga një grua tjetër. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara është intervistuar dhe me konsultim të prokurorit rasti vazhdon të hetohet.

Në Klinë, është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë. Palët janë intervistuar nga hetuesit dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Përplasje fizike është regjistruar edhe në Vushtrri, ku një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati. Ekipet relevante policore po vazhdojnë hetimet për kapjen e tij.  /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Vdekje e dyshimtë në Drenas: Një burrë është alivanosur dhe ka ndërruar jetë

Published

on

By

Një rast i cilësuar si “Hetim mbi vdekjen” është regjistruar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës në Drenas.

Sipas njoftimit zyrtar, është raportuar se viktima burrë është alivanosur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet përkatëse policore së bashku me ekipet mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t’ju nënshtruar obduksionit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara