Që nga dita kur mori detyrën për herë të dytë si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur si fillim të ri të dialogut, procesin e bisedimeve me Serbinë.
Por ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, thotë se “historia nuk ka filluar me Qeverinë Kurti”.
Kosnett ia bëri të qartë të mërkurën kryeministrit Kurti, se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Një ditë më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një vizite në fshatin Krushë e Madhe, duke komentuar deklaratat e ambasadorit Kosnett, tha se Kosova nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike.
Sipas tij, kërkesat për asociacion njëetnik nuk po vijnë nga njerëz të thjeshtë, por nga politikanë të fqinjit verior.
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës, të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë, as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht, një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, tha Kurti për Kosovapress.
Të mërkurën, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se “besojmë se vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”.
“E di që disa njerëz kanë thënë se ‘ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë një kompromis’. Kjo nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, tha Kosnett për Radion Kontakt Plus.
Tahiri: Kurti nuk guxon ta zbatojë Asociacionin
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e që ishte edhe kryenegociatore në bisedimet me Serbinë, tha për Radion Evropa e Lirë se në raport me votuesit e tij, Kurti nuk guxon ta zbatojë Asociacionin.
“Kurti edhe Vetëvendosje kanë qenë kundër Asociacionit. Politikisht Kurti duhet ta kundërshtojë Asociacionin, sepse ai ka krijuar kauzë prej Asociacionit dhe ka fituar vota për këtë çështje”,tha Tahiri.
Ajo tha se është shqetësuese tentimi për ta rikthyer në Bruksel procesin e zbatimit të Asociacionit, pasi sipas saj, kjo është shkelje e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Tahiri tha se procesi zbatues nuk bëhet në Bruksel, siç po insiston pala serbe dhe Bashkimi Evropian, sepse edhe marrëveshja e parasheh që hartimi i statutit të këtij Asociacioni të bëhet në Kosovë.
“Kosova e ka obligim ndërkombëtar zbatimin e Asociacionit, në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ajo që është me rëndësi, Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe duhet marrë parasysh udhëzimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Pra, këto dy dokumente, marrëveshja dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përbëjnë bazën për hartimin e statutit të Asociacionit”, tha Tahiri.
Në vitin 2015, kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, kishte pranuar një letër nga ish-përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ku thuhej se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë”.
Letra e Federica Mogherinit për Asocacionin e Komunave Serbe.
Asociacioni edhe në “dialogun e ri”
Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ishte arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Dy vjet më vonë, të dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Emir Abrashi nga organizata Demokraci Plus (D+), tha për Radion Evropa e Lirë se deklarata e ambasadorit Kosnett, është një rikujtim për shtetin e Kosovës për obligimin që ka për të zbatuar marrëveshjen.
“Mendoj që Asociacioni është mirë të respektohet si marrëveshje, për sa kohë respektohet pika e nënshkruar në marrëveshjen e rishikuar në 2015, ku parashihet që çfarëdo marrëveshje të kalojë fillimisht në Gjykatën Kushtetuese”,tha Abrashi.
Përderisa Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka kompetenca ekzekutive, Abrashi beson se duhet të zbatohet, pasi shteti i Kosovës e ka marrë këtë obligim nga marrëveshja e nënshkruar në Bruksel.
Asociacioni është përmendur edhe në takimin e së martës të mbajtur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kryeson delegacionin e Serbisë në dialog, insiston në formimin e Asociacionit.
Edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka përsëritur në disa raste se marrëveshjet e arritura, duhet të respektohen.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur qysh në vitin 2011. Këtë javë është mbajtur raundi i fundit i bisedimeve, mes kryeministrit të Kosovës, Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq.
Në këtë takim janë shprehur vetëm qëndrimet dhe pritjet e palëve, ndërsa pajtim është arritur vetëm për mbajtjen e takimit të radhës në muajin korrik./REL
Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.
Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.
Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.
Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.
Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.
Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.
Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.
Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.
Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.
Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.
Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.
Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.
Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.
“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.
Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.
Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.
“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.
Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.