Lajmet

Shtetet myslimane kërkojnë krijimin e një fondi humanitar për Afganistanin

Fondi që do të krijohet, do të mbikëqyret nga Banka Islamike për Zhvillim.

Published

on

Shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik janë pajtuar që të krijojnë një fond për të adresuar krizën humanitare në Afganistan, që ka lënë miliona qytetarë të përballen me uri, pas marrjes nën kontroll të shtetit nga talibanët në muajin gusht.

Fondi që do të krijohet, do të mbikëqyret nga Banka Islamike për Zhvillim, dhe ka për qëllim që të koordinojë së bashku me grupet e tjera, ndihmën humanitare për Afganistanin, tha Organizata për Bashkëpunim Islamik pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme që u mbajt në Islamabad.

Delegatët e 57 shteteve anëtare që morën pjesë në këtë takim kërkuan nga Banka Islamike për Zhvillim që ta krijojë këtë fond deri në çerekun e parë të vitit 2022 dhe kërkuan nga komunitetit ndërkombëtar që të kontribuojnë në këtë fond dhe të japin ndihmë për Afganistanin.

Ky takim i shteteve myslimane vjen në kohën kur Kombet e Bashkuara vazhdimisht kanë paralajmëruar se Afganistani është buzë katastrofës ekonomike dhe humanitare dhe miliona afganë kanë mbetur pa punë dhe ushqim.

Komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar që të njohë udhëheqësit e rinj të Afgasnitanit, duke u bërë thirrje talibanëve që të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse dhe të sigurojnë të drejta themelore për të gjithë afganët. Shumica e donatorëve kryesorë botërorë kanë bllokuar ndihmën e tyre për Afganistanin dhe rezervat e Bankës Qendrore afgane, që gjenden jashtë vendit, janë ngrirë.

Në rezolutën e miratuar, Organizata për Bashkëpunim Islamik u bëri thirrje talibanëve që të respektojnë “obligimet që dalin nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veçanërisht sa u përket të drejtave të grave, fëmijëve, të rinjve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”.

Përveç ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, në takimin në Islamabad ishin edhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja. Ndërkaq, qeveria e udhëhequr nga talibanët, në këtë takim u përfaqësua nga ministri i saj i Jashtëm, Amir Khan Muttaqi.

Gjatë adresimit të tij, Muttaqi tha se ngrirja e aseteve afgane “është shkelje e qartë e të drejtave të njeriut të qytetarëve afganë”.

Më herët gjatë këtij muaji, Banka Botërore tha se donatorët kanë miratuar transferin e 280 milionë dollarëve që ishin ngrirë nga një fond i dy agjencive të ndihmës, në mënyrë që të dërgohet ndihmë në Afganistan për shkak të krizës humanitare. Ndërkaq, SHBA-ja ka thënë se do të lejojë që të dërgohen remitenca në Afganistan./REL

Opinione

Arifi: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së si instrument diplomatik kundër Kosovës dhe Perëndimit

Published

on

By

Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund t’i japë Serbisë dhe kundërshtarëve të Perëndimit material për një fushatë diplomatike kundër Kosovës. Në qendër të saj do të ishte përpjekja për ta paraqitur Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së si ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe, përmes këtij interpretimi, për ta lidhur krijimin e shtetit me një projekt kriminal. Synimi do të ishte cenimi i legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe i besueshmërisë së shteteve që mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e saj.

Diplomacia serbe mund ta ndërtojë argumentin mbi vazhdimësinë ndërmjet udhëheqjes së luftës dhe institucioneve të pasluftës. Roli i ish-drejtuesve të UÇK-së në shtetndërtim do të përdorej për të pretenduar se institucionet e Kosovës burojnë nga struktura të cilësuara si kriminale. Kjo narrativë do të synonte ta zhvendoste debatin nga represioni serb dhe rrethanat e ndërhyrjes ndërkombëtare te akuzat kundër origjinës së shtetit të Kosovës. Në muajt e ardhshëm, Beogradi mund ta përdorë këtë interpretim në dosje diplomatike, takime dypalëshe dhe debate në organizata ndërkombëtare. Përpjekjet pritet të përqendrohen te shtetet që nuk e njohin Kosovën dhe te qeveritë që ende hezitojnë ta mbështesin. Objektivi mund të jetë pengimi i njohjeve të reja, shtyrja e anëtarësimeve dhe sigurimi i abstenimeve. Edhe pa ndryshuar qëndrimin e partnerëve kryesorë të Kosovës, Serbia mund të përfitojë nga shtimi i dyshimeve te shtetet më pak të angazhuara në rajon.

Për Rusinë, dobia politike do të shtrihej përtej Kosovës. Autoritetet ruse mund ta përdorin vendimin për të pretenduar se NATO-ja ndërhyri në mbështetje të një udhëheqjeje kriminale dhe se qeveritë perëndimore e kthyen atë mbështetje në një projekt shtetëror. Në këtë mënyrë, aktgjykimi do të përfshihej në akuzat për standarde të dyfishta, ndërhyrje selektive dhe përdorim politik të së drejtës ndërkombëtare. Në debatet mbi Ukrainën, qëllimi do të ishte dobësimi i autoritetit të Perëndimit për të gjykuar veprimet e Rusisë. Kina mund ta përdorë të njëjtën çështje me një gjuhë të përqendruar te sovraniteti dhe integriteti territorial. Diplomacia kineze mund ta paraqesë Kosovën si shembull të pasojave të ndërhyrjes së jashtme dhe mbështetjes për shkëputje territoriale. Ky mesazh mund të gjejë terren te qeveritë që përballen me konflikte territoriale ose lëvizje separatiste.

Një tjetër objektiv mund të jetë vetë opinioni publik në Kosovë. Mesazhi se Perëndimi i mbështeti drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës dhe shtetndërtimit, për t’i braktisur më pas, mund të përdoret për të ushqyer mosbesimin ndaj partnerëve euroatlantikë. Jashtë Kosovës do të sulmohej besueshmëria e Perëndimit; brenda saj, besimi te partneriteti me të.  Për Kosovën, rreziku i afërt është që interpretimi i kundërshtarëve të qarkullojë më shpejt dhe më gjerësisht sesa përgjigjja e institucioneve të saj. Prishtina duhet të përgatitë një përgjigje diplomatike të dokumentuar dhe të bashkërenduar me partnerët. Ajo duhet të kundërshtojë përdorimin e vendimit për rishkrimin e historisë së luftës dhe delegjitimimin e shtetit. Heshtja do t’u linte kundërshtarëve hapësirë për të përcaktuar pyetjet të cilave Kosova do të detyrohej t’u përgjigjej.

Dritëro Arifi është profesor i Shkencave Politike në UBT 

 

Continue Reading

Vendi

Nisin xhirimet e filmit “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga Leart Rama

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Dua të shkoj sërish në det”, me skenar dhe regji nga regjisori kosovar Leart Rama.

Filmi sjell historinë e Valit, një studenti të ri të filmit, i cili zgjohet pas një ëndrre në të cilën sheh trupin e tij të vdekur buzë detit. Përballë pritshmërive të familjes dhe të fejuarës së tij, Tringës, që ai t’i rikthehet jetës së planifikuar për të, Vali strehohet pas filmit të diplomës.

I bindur se përmes filmit mund të shprehë atë që nuk ka guxuar ta thotë vetë, ai përballet me një proces të brendshëm mes asaj që pritet prej tij dhe asaj që dëshiron të shprehë.

Në rolet kryesore interpretojnë Redon Kika, Florist Bajgora, Gjeni Basha, Don Shala dhe Alban Ukaj, së bashku me aktorë të tjerë.

Xhirimet po zhvillohen në Kosovë dhe Shqipëri dhe pritet të përfundojnë në mesin e tetorit.

Filmi është bashkëprodhim mes Plan Bee Films nga Kosova, me producente Valmira Hyseni, dhe ArtAlb Film Productions nga Shqipëria, me bashkëproducentë Blerina Hankollari dhe Gentian Koçi.

Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë./A.K/

Continue Reading

Vendi

FSK rrit kapacitetet teknike për mirëmbajtjen e automjeteve me mbështetjen e SHBA-së

Published

on

By

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar me sukses trajnimin “Maintenance Event” në objektin e SMAR-it, në Aeroportin e Gjakovës, duke shënuar një tjetër hap përpara në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike të ushtrisë.

Trajnimi u zhvillua në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Gardës Kombëtare të Iowas nga SHBA-ja, ku pjesëtarët e FSK-së përfituan njohuri dhe përvojë praktike në inspektimin, mirëmbajtjen, diagnostikimin dhe riparimin e sistemeve kryesore të automjeteve ushtarake HMMWV. Fokus i veçantë gjatë këtij trajnimi i u kushtua transmisionit, sistemit të derivateve dhe atij elektronik.

Gjithashtu, një komponent me rëndësi i këtij aktiviteti ishte edhe zhvillimi i kapaciteteve të instruktorëve të rinj të FSK-së, me qëllim që njohuritë e fituara të bartren tutje te pjesëtarët e tjerë të forcës.

Ky aktivitet ndikon drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit për mirëmbajtjen e mjeteve ushtarake, si dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit të qëndrueshëm me Gardën Kombëtare të Iowas.

Continue Reading

Lajmet

Erdoğan takon Kurtin në New York, Turqia rikonfirmon mbështetjen për Kosovën

Published

on

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në “Turkish House” në New York, në kuadër të pjesëmarrjes në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Presidencës turke, në takim janë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Kosovës, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.

Erdoğan ka deklaruar se të dyja vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për rritjen e vëllimit tregtar, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.

Presidenti turk ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e Ankarasë për Kosovën në përpjekjet për të forcuar pozitën e saj në komunitetin ndërkombëtar, ndërsa ka theksuar edhe mbështetjen e Turqisë për dialogun ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Gjatë takimit, Erdoğan e ka ftuar Kurtin të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të COP31, i cili do të mbahet në Turqi.

Në takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ministri i Tregtisë, Ömer Bolat, si dhe zyrtarë të tjerë të Presidencës turke./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara