Lajmet

Shqipëria firmos me SHBA-në marrëveshje për gazin në vlerë prej 6 miliardë dollarësh

Published

on

Një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh në fushën e sigurisë energjetike është nënshkruar në Tiranë në prani të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe ambasadores së Shteteve të bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

Marrëveshja u firmos mes kompanisë shqiptare Albgaz me dy kompanive të mëdha ndërkombëtare, njëra amerikane dhe tjetra greke.

Dokumenti parashikon zhvillim e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe marrëveshjen kornizë për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim me Greqinë.

Nënshkrimit të marrëveshjes i parapriu një postim në X të ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

“… në Tiranë për të avancuar agjendën energjetike të presidentit të SHBA dhe për t’iu bashkuar kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një marrëveshje 20-vjeçare për gazin e lëngshëm natyror amerikan”, theksoi ambasadorja.

Ajo tha se angazhimi prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare në të gjithë rajonin.

“Kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon është më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, tha ambasadorja Guilfoyle.

Marrëveshja synon ndërtimin e infrastrukturës në Vlorë për importin e gazit të lëngshëm nga SHBA-ja dhe rigazifikimin e tij për furnizimin e Evropës Jugore.

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Enea Kakaraçi, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes tha se partneriteti me SHBA-në reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme.

“Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjetike të Vlorës që është një komponent, një projekt shumë komponencial që do të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike”, tha ai.

Ambasadorja amerikane në Athinë e cilësoi Shqipërinë një partnere të palëkundur të SHBA-së dhe vend me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Ballkanin dhe Evropën.

“Presidenti Trump ka qenë kampion i zjarrtë i sigurisë energjetike. Vizioni dhe veprimet e tij kanë përforcuar faktin se ofrimi i një energjie të qëndrueshme forcon SHBA-në dhe aleatët tanë strategjikë. Administrata Trump e ka ngritur bashkëpunimin energjetik si shtyllë në mbarë botën. Dhe, nënshkrimi i sotëm është manifestim i prekshëm i kësaj përpjekjeje”, deklaroi Guilfoyle.

Ambasadorja gjithashtu theksoi se SHBA-ja mbështet Ballkanin që është më i ndërlidhur, më i sigurt në aspektin energjetik dhe më i begatë dhe Shqipëria, siç tha ajo, është thelbësore për këtë vizion.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi këtë marrëveshje me një rëndësi të jashtëzakonshme.

“Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën Juglindore. Theksoj rëndësinë e nevojës të Shqipërisë e të Greqisë për të forcuar lidhjen tonë dhe bashkëpunimin në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit energjetik dhe rezistencës së pavarësisë energjetike. Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhëse, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar u shpreh se partneriteti midis Shqipërisë dhe SHBA-së, përçon sot një mesazh shumë të qartë se edhe vendet e të vogla mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së sfidave më të ngutshme siç është nevoja për energji.

Kosova, ndërkaq, nuk ka rrjet gazsjellësish për shpërndarjen e gazit natyror e as sistem të ndërtuar institucional për menaxhimin e këtij sektori.

Por, në Strategjinë e Energjisë të Kosovës për periudhën 2022-2031 parashikohet mundësia që vendi të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

KESCO apelon për kursim të energjisë elektrike, paralajmëron rritje të konsumit

Published

on

By

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë me kujdes energjinë elektrike gjatë muajve të dimrit, pas rritjes së ndjeshme të konsumit.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 4.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, me afro 25 për qind më shumë konsum krahasuar me muajin paraprak.

KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia në shtëpi, por shmangien e shpenzimeve të panevojshme dhe përdorimin më racional të pajisjeve elektrike.

“Mbajtja e temperaturave të arsyeshme në ambientet e banimit, ngrohja e hapësirave që përdorim, shfrytëzimi efikas i pajisjeve elektrike dhe fikja e tyre kur nuk nevojiten janë veprime të thjeshta që mund të sjellin ndryshim”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.

Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.

Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.

D.L

Continue Reading

Lajmet

United Hospital, standard i ri në shërbimet shëndetësore në Kosovë – teknologji e avancuar dhe trajtim modern i sëmundjeve vaskulare

Published

on

By

United Hospital, tashmë një nga spitalet private më të mëdha në Kosovë, po fuqizon vazhdimisht ofertën e shërbimeve shëndetësore përmes teknologjisë së avancuar, pajisjeve moderne diagnostikuese dhe trajtimit bashkëkohor në fusha të ndryshme të mjekësisë.

Një ndër fushat ku ky institucion shëndetësor ofron zgjidhje të specializuara është edhe mjekësia vaskulare, e cila merret me diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të enëve të gjakut, nga koka deri te këmbët.

Përmes ekspertizës profesionale të Dr. Halil, pacientët informohen për mundësitë moderne të trajtimit të problemeve vaskulare, duke përfshirë metodat kirurgjike të hapura, intervenimet minimale invazive dhe procedurat endovaskulare.

Në United Hospital trajtohen një sërë patologjish vaskulare, ndër të cilat:

Stenoza e arteries karotide, me rëndësi të veçantë në parandalimin e goditjes në tru.

Aneurizmat e aortës, torakale dhe abdominale.

Ngushtimet e arterieve të veshkave, pelvikut dhe gjymtyrëve të poshtme.

Sëmundjet e venave dhe variçet, përmes metodave moderne të trajtimit, përfshirë përdorimin e ngjitësit biologjik, një alternativë ndaj operacionit klasik për pacientët e përshtatshëm.

Përparësia e këtyre metodave qëndron në mundësinë e trajtimit më pak invaziv, reduktimin e shqetësimeve pas procedurës dhe rikthimin më të shpejtë në aktivitetet e përditshme, varësisht nga gjendja shëndetësore dhe metoda e aplikuar.

Me investimet në teknologji, zgjerimin e shërbimeve dhe angazhimin e profesionistëve shëndetësorë, United Hospital synon të ofrojë standarde bashkëkohore të kujdesit mjekësor, duke krijuar më shumë mundësi për pacientët që kërkojnë diagnostikim dhe trajtim të specializuar brenda Kosovës.

United Hospital – kujdes shëndetësor, teknologji dhe profesionalizëm në shërbim të shëndetit tuaj!

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë – Kosovë

Për informacione dhe konsultime, kontaktoni United Hospital. Përshtatshmëria për secilën procedurë përcaktohet pas vlerësimit nga mjeku specialist.
gazeta speciale./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Lëvizjet me çmimet e derivateve: Kusari-Lila paralajmëron rikthimin e çmimit tavan nëse nafta nuk pocheapërohet në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se Qeveria do të rikthejë çmimin tavan për naftën nëse rënia e çmimeve të derivateve në tregun botëror nuk reflektohet në tregun kosovar brenda pak ditëve.

Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, e cila ngriti shqetësimin për ndikimin e shtrenjtimit të naftës në çmimet e produkteve të tjera, ministrja Kusari-Lila sqaroi se dy ditët e fundit ka filluar një rënie e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

“Arsyeja e çmimit 1.90 ose 1.89, që është sot, e evidentuar, ka të bëjë me rritjen e çmimit në tregun botëror. Megjithatë, pozitive në këto dy ditët e fundit është një fillim i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në çmimin në tregun në Kosovë, atëherë ne e rikthejmë çmimin tavan, i cili tashmë kemi edhe bazën ligjore për ta bërë atë”, deklaroi Kusari-Lila.

Ministrja shpjegoi se vendimi për heqjen e çmimit tavan ishte marrë më 8 shtator pas përfundimit të afatit 180-ditor, ndërsa institucionet kanë vazhduar monitorimin e marzhës tregtare në baza ditore.

“Çka kemi bërë? Kemi shqyrtuar gjendjen e inspektimeve, por gjithashtu edhe kemi pasur skadim të afatit bazuar në këtë udhëzim administrativ… Megjithatë, pas heqjes së këtij vendimi, që nga data 8 shtator deri më sot, më 5 nëntor, në baza ditore kemi bërë dhe bëjmë, vazhdojmë të bëjmë monitorimin e çmimit dhe përcaktimin e marzhës sipas çmimeve të tregut… Të dhënat zyrtare të importit tregojnë se marzha që nga heqja e çmimit tavan nuk e ka kaluar 12 centin, i cili është i përcaktuar me udhëzimin administrativ. Ka qenë 11.5 cent”, shtoi ajo.

Ajo po ashtu nënvizoi se Kosova mbetet mjaft e ekspozuar ndaj luhatjeve globale për shkak të shkallës së lartë të importit, por siguroi se ekzekutivi nuk do të qëndrojë pasiv.

“Kosova, siç e dini, nuk është e izoluar dhe nuk ka qenë e izoluar nga këto zhvillime. Në të kundërt, është shumë e ekspozuar për shkak të nivelit të madh të importit. Megjithatë, qeveria nuk ka qëndruar dhe nuk do të qëndrojë pasive përballë këtij çrregullimi të tregut. Ne ndërhyjmë aty ku i kemi kushtet ligjore”, përfundoi Kusari-Lila, duke cituar udhëzimet administrative përkatëse që lehtësojnë ndërhyrjen e shtetit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Cassis nga Prishtina vlerëson lart diasporën: Rreth 500 mijë kosovarë jetojnë në Zvicër, lidhja jonë është e jashtëzakonshme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera dhe të bazuara në një histori të gjatë e të fuqishme bashkëpunimi.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis theksoi se kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Prishtinë si pjesëtar i Qeverisë zvicerane, ndonëse takimet mes diplomacive të të dyja vendeve kanë qenë të vazhdueshme.

“Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, dhe lidhjet tona janë bërë kaq të forta sepse kemi qenë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar e jetuar”, u shpreh Cassis.Diplomati zviceran vuri theksin te roli i jashtëzakonshëm i diasporës kosovare në Zvicër, duke saktësuar numrin e qytetarëve me prejardhje nga Kosova që jetojnë atje.

“Bëhet fjalë për rreth 500 mijë njerëz, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare, ose vijnë nga kjo trevë. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë sonë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë. Përveç kësaj, ata janë edhe heronj të futbollit në vendin tonë”, shtoi ai.

Cassis po ashtu kujtoi vizitën shtetërore të ish-presidentes Vjosa Osmani në Zvicër në mars të vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si një moment me rëndësi të veçantë për thellimin e partneritetit dypalësh. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara