Sport

​Shqipëri-Gjeorgji, policia me plan special për siguri

Published

on

Policia e Shtetit do të zbatojë një plan të datajuar për ndeshjen e futbollit Shqipëri – Gjeorgji, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, që do të zhvillohet sot, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

Policia e Shtetit do të kryejë eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Gjeorgjisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas; eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium, kontrolle të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët.

Po ashtu do të agazhohet në organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës si dhe sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë dhe spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Gjeorgjisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, ditën e sotme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

* Rruga “Papa Gjon Pali II”;

* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;

* Rruga “Themistokli Gërmenji”;

* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;

* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Hyrja në stadium e tifozëve dhe e sportdashësve që kanë blerë biletë, fillon në orën 18:00.

Policia kërkoi mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Gjithashtu, apeloi tifozët dhe qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pré e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas rradhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

 

Sport

Fisnik Asllani pranë transferimit te RB Leipzigu, klubi gjerman gati të paguajë 30 milionë euro

Published

on

By

Sulmuesi i Hoffenheimit, Fisnik Asllani, është shumë pranë një transferimi te RB Leipzigu, sipas raportimit të gazetës prestigjioze gjermane Bild.

Sipas mediumit gjerman, 23-vjeçari pritet ta finalizojë kalimin te klubi nga Saksonia para përfundimit të këtij muaji. RB Leipzigu është i gatshëm të aktivizojë klauzolën e lirimit prej 30 milionë eurosh, e cila është e përfshirë në kontratën e Asllanit dhe mbetet e vlefshme deri në vitin 2029.

Për sulmuesin kishte shfaqur interes edhe Barcelona, e cila e konsideronte atë si një alternativë në rast se nuk do të arrinte marrëveshje për objektivin kryesor, Julian Alvarez të Atletico Madridit.

Ndërkohë, edhe Borussia Dortmundi e kishte në listën e dëshirave, por klubi verdhezi duhet fillimisht të krijojë hapësirë në skuadër dhe në buxhetin e pagave përpara se të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e tij.

Me zhvillimet e fundit, RB Leipzigu shihet si favorit absolut për të siguruar shërbimet e Asllanit, i cili konsiderohet një nga talentet më premtues të rinj në Bundesligë.

D.L

Continue Reading

Sport

Publikohet renditja e favoritëve për Topin e Artë 2026, Lamine Yamal në krye, Mbappe mbetet jashtë podiumit

Published

on

By

Pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, është publikuar renditja e përditësuar e favoritëve për fitimin e Topit të Artë, ku vlerësohen paraqitjet individuale, ndikimi te skuadrat dhe arritjet gjatë gjithë sezonit.

Në vendin e parë është ngjitur ylli i Barcelonës dhe kampioni i botës me Spanjën, Lamine Yamal, i cili konsiderohet favoriti kryesor për të fituar çmimin më prestigjioz individual në futboll.

Një nga surprizat më të mëdha të renditjes është pozicioni i Kylian Mbappe, i cili mbetet jashtë tre vendeve të para, pavarësisht se e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës. Mungesa e trofeve me Real Madridin ndikoi në renditjen e tij.

Në vendin e dytë renditet Michael Olise, pas një sezoni mbresëlënës me Bayern Munich dhe paraqitjeve të mira me Francën, ndërsa podiumin e kompleton Harry Kane, i cili humbi terren pas eliminimit të Anglisë në fazën përfundimtare të Botërorit.

Top 15 favoritët për Topin e Artë 2026:

  1. Lamine Yamal (Barcelona)
  2. Michael Olise (Bayern Munich)
  3. Harry Kane (Bayern Munich)
  4. Kylian Mbappe (Real Madrid)
  5. Vitinha (Paris Saint-Germain)
  6. Pedri (Barcelona)
  7. Declan Rice (Arsenal)
  8. Erling Haaland (Manchester City)
  9. Ousmane Dembele (Paris Saint-Germain)
  10. Lionel Messi (Inter Miami)
  11. Khvicha Kvaratskhelia (Paris Saint-Germain)
  12. Luis Diaz (Bayern Munich)
  13. Rodri (Manchester City)
  14. Joao Neves (Paris Saint-Germain)
  15. Cole Palmer (Chelsea)

Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës ka ndikuar ndjeshëm në garën për Topin e Artë, me Lamine Yamalin që shihet si kandidati kryesor për ta fituar trofeun, falë ndikimit të tij në suksesin historik të kombëtares spanjolle dhe paraqitjeve të shkëlqyera gjatë gjithë sezonit.

D.L

Continue Reading

Sport

Ferizaj pret Kampionatin Ballkanik U17 për vajza, Kosova debuton nesër ndaj Malit të Zi

Published

on

By

Kosova është gati për të mirëpritur Kampionatin Ballkanik U17 për vajza në volejboll, i cili nis më 21 korrik dhe do të zgjasë deri më 25 korrik në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj.

Turneu organizohet nga Federata e Volejbollit e Kosovës me besimin e dhënë nga Balkan Volleyball Association, duke konfirmuar edhe një herë besimin që i është dhënë Kosovës për organizimin e garave ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Kombëtarja U17 e Kosovës ka zhvilluar përgatitje intensive gjatë javëve të fundit në Skenderaj, ku volejbollistet e reja kanë zhvilluar stërvitje të përditshme dhe ndeshje miqësore për t’u paraqitur sa më mirë para publikut vendas.

Ndeshja e parë e Kosovës në kampionat do të zhvillohet të martën, më 21 korrik, nga ora 20:00, ku do të përballet me Malin e Zi.

Programi i ditës së parë (21 korrik):

  • 15:00 – Turqia – Moldavia
  • 17:30 – Bullgaria – Shqipëria
  • 20:00 – Kosova – Mali i Zi

Kalendari i ndeshjeve të Kosovës:

  • 21 korrik, 20:00 – Kosova – Mali i Zi
  • 22 korrik, 17:30 – Kosova – Turqia
  • 23 korrik, 17:30 – Bullgaria – Kosova
  • 24 korrik, 20:00 – Kosova – Shqipëria
  • 25 korrik, 14:30 – Moldavia – Kosova

Federata e Volejbollit e Kosovës u ka uruar mirëseardhje të gjitha kombëtareve pjesëmarrëse, delegatëve, gjyqtarëve dhe mysafirëve në Ferizaj, duke shprehur besimin se kampionati do të zhvillohet në frymë sportive, me ndeshje cilësore dhe në respekt të parimeve të fair-play.

D.L

Continue Reading

Sport

 Lionel Scaloni shpërthen në lot pas humbjes në finalen e Botërorit, largohet para kohe nga konferenca

Published

on

By

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, nuk arriti t’i përmbante emocionet pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, duke e ndërprerë para kohe konferencën për shtyp.

Sipas raportimit të Stan Sport Football, tekniku argjentinas u shfaq i prekur teksa foli për rrugëtimin e ekipit dhe sfidën e madhe për të ndërtuar sërish një skuadër si kjo.

“Të gjithë ne në stafin teknik kemi menduar për të qenë në këtë moment. Por për të vazhduar më tej duhen shumë gjëra, mbi të gjitha të rifillosh gjithçka nga e para. Të ndërtosh sërish një grup si ky është shumë e vështirë… dhe kjo më dhemb në shpirt”, u shpreh Scaloni.

Menjëherë pas këtyre fjalëve, ai u ngrit nga karrigia, kërkoi ndjesë me fjalët “Më falni” dhe u largua nga konferenca, pa vazhduar më tej deklaratën e tij.

Pavarësisht humbjes, Argjentina arriti ta çojë finalen në vazhdime edhe pse luajti për një pjesë të madhe të ndeshjes me një futbollist më pak. Scaloni la të kuptohej se ndeshja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë nëse skuadra e tij nuk do të mbetej me 10 lojtarë.

Pas finales, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, shprehu mbështetjen për homologun e tij.

“Më vjen shumë keq për atë që po kalon. Megjithatë, ai duhet të jetë krenar për atë që ka arritur. Ka thyer çdo rekord. Është ende i ri dhe ka shumë futboll përpara”, deklaroi De la Fuente.

Kontrata e Lionel Scalonit me Federatën Argjentinase të Futbollit skadon në muajin dhjetor, ndërsa trajneri ka bërë të ditur se do ta respektojë marrëveshjen deri në fund.

Burimi: Stan Sport Football

D.L

Continue Reading

Të kërkuara