Lajmet

Shqipëri: Fushata risi në formë, jo në përmbajtje

Published

on

Fushata elektorale në Shqipëri është në kulmin e saj, por diskursi politik zhvillohet jo me përballje konceptesh politike, por mbetet në nivelin e sulmeve të personalizuara mes kundërshtarëve politik, sipas ekspertëve.

Shqipëria është në prag të Zgjedhjeve Parlamentare 2021, që do të zhvillohen pas 10 ditësh, më 25 prill. Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Partia Demokratike, (PD) e drejtuar nga Lulzim Basha, që kryeson koalicionin opozitar, kërkon ta marrë ajo drejtimin  e vendit, pas 8 vitesh në opozitë.

Në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve (KQZ) janë regjistruar për të garuar 46 subjekte politike dhe tre koalicione, mes të cilave “Aleanca për Ndryshim” me 12 parti, e kryesuar nga PD. Procesi zgjedhor për Parlamentaret 2021 po zhvillohet me një Kod Zgjedhor, që ka pësuar  ndryshime dhe është përmirësuar, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Fushatë në kohë pandemie

Fushata zgjedhore për Parlamentaret 2021 ka arritur në pikun e vet dhe ka shpalosur tanimë  karakteristikat e saj. Eksperti për sistemet zgjedhore, Kristaq Kume thotë për DW, se kjo fushatë ka risi në formë, por jo në përmbajtje. “Në kushtet e pandemisë COVID-19, mungojnë takimet dhe mitingjet e mëdha të subjekteve politike me votuesit, gjë që ka sjellë risi në mënyrën sesi kjo fushatë po zhvillohet. Po përdoret gjerësisht teknologjia e informacionit dhe komunikimit, sidomos media dhe rrjetet sociale nga lidershipi i dy forcave kryesore në garë. Por kjo risi nuk shoqërohet me risi në përmbajtje, në sjelljen e subjekteve politike në garë në raport me votuesin. Votuesi po bombardohet me informacione për kundërshtarin politik jo për programet qeverisëse të subjektit politik, që kërkon votën e tij. Fushata po karakterizohet nga varfëri idesh, objektivash për mirëqeverisjen dhe tepri deklaratash: maxhoranca socialiste për mbajtjen me ꞔdo kusht të pushtetit, PD për ardhjen me çdo kusht në pushtet,” thotë për DW, Kristaq Kume.

Pritshmëritë  e votuesve

Në këtë synim, dy partitë kryesore, PS dhe PD kanë edhe përqasje të ndryshme për të fituar votën e zgjedhësve: PS fokusohet në prezantimin e arritjeve në rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, vaksinimi masiv anti COVID-19, të projekteve të mëdha në infrastrukturë, porte, aeroporte, autostrada me premtimet se këto të fundit do të nxisin fuqishëm zhvillimin dhe punësimin. PD fokusohet në situatën e vështirë social – ekonomike, papunësinë, ekonominë jo të shëndetshme, emigrimin e rinisë, besimin e pakët në sistemin e drejtësisë dhe premtimet se vetëm ajo mund ta ndryshojë situatën për mirë.

Por a u përgjigjen këto përqasje pritshmërive të votuesve për alternativa qeverisëse që përmirësojnë jetën e tyre, që i japin perspektiva jete rinisë për të mos braktisur vendin? “Jo, nuk u përgjigjen”, thotë eksperti Aleksander Çipa për DW. “Votuesit janë përballë zgjedhjes së imponuar të një force të majtë me shumë probleme në 8 vitet e qeverisjes së saj por me kapacitete negociuese, lojë në tregun rajonal të pandemisë, ekonomisë së izolimeve të befta, tronditjeve gjeo – diplomatike në rajon. Nga ana tjetër kanë një forcë të djathtë politike, që kapacitetin e saj e destinon më shumë për konstatime dhe pohime dhe jo për një ofertë bindëse projekti dhe ndryshimi strukturor,” thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Ai thekson, se vendi “ka nevojë për rotacion politik. Por opozita nuk ka ende kredibilitet si qeverisje e re për ndryshim, pasi në mënyrë thelbësore nuk është as e re, as e aftë për të sjellë ndryshimin.”

Rotacionin e pushtetit përmes votës së qytetarëve në Shqipëri, prej 29 vitesh, e kanë kryer në 8 zgjedhje parlamentare dy forcat e mëdha politike: PS dhe PD. Që të dyja  kanë qeverisur me dy mandate katërvjeꞔare dhe kanë qenë në opozitë secila për 8 vite rrjesht.

“Elitat politike në Shqipëri, historikisht, qarkullojnë me shumë ngadalësi. Në turin aktual elektoral dy partitë kryesore më shumë po orientohen kah forca e ballafaqimit të aktorëve të kandiduar sesa nga nevoja për risi dhe ndryshim të thellë të lidershipit. Konservatorizmi i lidershipeve politike lidhet me status quo-në dhe kapjen e sistemit prej interesave private  në dëm të atyre publike, që është një problem i kahershëm në Shqipëri,” thotë Aleksandër Çipa.

Sipas ekspertit Kume: “Shqipëria ka nevojë për qarkullim të elitave politike. Jemi në momentin kur në procesin e zhvillimit demokratik të vendit dhe shoqërisë duhet të realizohet një hop cilësor. Këtë e kanë të vështirë ta bëjnë kryesisht dhe vetëm partitë që kanë rreth tridhjetë vite që funksionojnë në Shqipëri. Ka nevojë të madhe për forca dhe energji të reja politike”.

Forcat e reja politike

Prurjet e reja në politikë i kanë mundësuar listat e hapura, një nga ndryshimet shumë të rëndësishme në Ligjin Zgjedhor të  Shqipërisë, në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Në skenën politike dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentate të 25 prillit kanë hyrë katër parti të reja: Nisma ” Thurrja”, “Lëvizja për Ndryshim”, “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, “Bindja Demokratike”. Krahas tyre lëvizja “Vetëvendosja” në Tiranë, që vazhdon të jetë organizatë jo fitimprurëse  e shoqërisë civile, merr pjesë në zgjedhje me tre kandidatë të pavarur.

Analisti Aleksandër Çipa thotë për DW, se pritshmëritë e zgjedhësve nuk mund t’i plotësojnë këto parti, sepse “ato po shfaqen me një pjesëmarrje anemike në fushatën zgjedhore, nuk paraqesin valenca të larta politike dhe ligjërimore.”

Listat e hapura krijojnë mundësi edhe që zgjedhësit të shprehen për kandidatët për deputetë me vota parapëlqyese. “Përfitimi nga kjo mundësi është e papërfillshme. Listat e hapura do të duhej të sillnin edhe garën elektorale mes vetë kandidatëve për deputetë të të njëjtit subjekt politik jo vetëm mes subjekteve politike. Zhvillimi i fushatës, ku lidershipi i forcave politike kryesore në garë është  në mënyrë ekskluzive aktori kryesor, e bën të pamundur garën mes kandidatëve të së njëjtës forcë politike. Kjo mënyrë, që pamundëson garën elektorale mes kandidatëve të së njëjtës forcë politike, nuk është në linjë me standardet e zhvillimit të fushatës zgjedhore në një shoqëri demokratike,” thotë për DW, Kristaq Kume.

Ai thekson se ndryshimet në Ligjin Zgjedhor nuk mbështesin kandidatët e pavarur për deputetë. “Kandidatët e pavarur, që garojnë vetëm në një njësi zgjedhore, për të marrë mandatin e deputetit u duhet të kapin një prag të dyfishtë: atë lokal dhe kombëtar, pra të marrin mbi 13 mijë vota,” thotë për DW, Kristaq Kume.

Boiken Abazi, drejtues i Lëvizjes “Vetëvendosja” në Tiranë, thotë për DW se ”kapja e pragut lokal dhe kombëtar nga kandidatët e pavarur është absurde. Kjo do të thotë që secili kandidat të marrë 16 mijë vota në një njësi zgjedhore, gjë është e vështirë, por gjithsesi jo e pamundur”.

Parlamentaret 2021: më pak rini në listat e kandidatëve për deputetë

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri përbëjnë 1/3 e popullsisë me të drejtë vote. Por prania e tyre në lisat e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nuk i përgjigjet këtij realiteti.

Në një studim të organizatës jo fitimprurëse “Qëndresa Qytetare” me seli në Tiranë, konstatohet që përfaqësimi i rinisë në listat e kandidatëve për deputetë të tri partive kryesore politike, PS, PD dhe Lëvzja Socialiste për Integrim, (LSI) është ulur pothuajse me 50%, nga 104 kandidatë në zgjedhjet parlamentare 2017 në 54 në zgjedhjet parlamentare 2021, kur mosha mesatare për rininë në listat e partive politike rezulton të jetë 26 vjeç.

PD konstatohet të jetë forca politike me më pak të rinj dhe të reja në listat e saj të kandidatëve për deputetë,  vetëm me 3.2 %,  kurse LSI me më  shumë nga  të gjitha, me 22.2 %. PS nuk ka asnjë kandidat për deputet në listat e saj që të jetë në moshën e rinisë. Një reduktim i tillë i rinisë e bën edhe më të vështirë daljen e elitave të reja politike. (DW)

Continue Reading

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara