Lajmet

Shkup: Partitë shqiptare vazhdojnë përplasjet për Ligjin e gjuhëve

Published

on

Deputetët e Frontit Evropian në opozitë, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kanë reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, i cili të enjten mbrëma tha se “gjuha maqedonase është gjuha e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut”.

Në një konferencë shtypi përpara Kuvendit, koalicioni deklaroi se pohimi i Gashit “përbën një gënjeshtër të hapur dhe një tradhti të rëndë ndaj popullit shqiptar”.

Është tronditëse, por jo e habitshme, që zoti Gashi si një person i përzgjedhur për të shërbyer si kukull në hierarkinë më të lartë të shtetit ka rënë kaq poshtë, duke arritur nivele vetëposhtrimi që as antishqiptarët më të zjarrtë nuk kanë guxuar t’i prekin. Ky akt i turpshëm nënshtrimi dhe tradhtie tregon mungesën e tij të integritetit, por edhe gatishmërinë për të minuar parimet kushtetuese të këtij shteti”, deklaroi më 27 dhjetor, Arbana Pasholli, deputete nga radhët e Frontit Evropian.

Gashi, gjatë një debati në televizionin Alsat, mes tjerash tha gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare, por në përdorim zyrtar, dhe se njëjta, siç shtoi Gashi, “është gjuhë e përkthyer”.

Qëndrimit të Gashit në mbrojtje i doli edhe njëri nga liderët e koalicionit shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë maqedonase, Arben Taravari, njëherësh ministër i Shëndetësisë, i cili deklaroi të njëjtën.

Ne mund të kemi lojëra fjalësh, sa të duam. Gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase. Këtu pajtohemi të gjithë. Para vitit 1991, para pavarësisë, gjuhë zyrtare në Maqedoni [të Veriut], sipas Kushtetutës kanë qenë gjuha maqedonase, shqipe dhe turke. Tash është gjuha maqedonase dhe 20% të popullatës që e flasin gjuhën shqipe. Kështu që, ne duhet të punojmë në këtë drejtim, dhe a do të themi se a është zyrtare apo jo, është kështu ose ashtu, nuk është e barabartë. Ne duhet të insistojmë, edhe të mundohemi që gjuha shqipe të qëndron si fjalë, jo si përqindje”, tha Taravari të premten përpara gazetarëve.

Megjithatë, nga Fronti Evropian rikujtuan amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

Le t’i kujtojmë zotit Gashi disa fakte të pa kundërshtueshme: Amendamenti i pestë përcakton qartë gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase. Ligji për përdorimin e gjuhëve e konsolidon më tej përdorimin e gjuhës shqipe si zyrtare në të gjitha sferat e jetës publike”, shtoi Pasholli.

Çka thotë amendamenti i pestë?

Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.

Dokumentet personale të qytetarëve, të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe alfabetin e saj, në përputhje me ligjin.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili ka qenë në qendër të diskutimeve gjatë viteve të fundit, është miratuar në vitin 2018 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2019. Ky ligj përbëhet nga 25 nene dhe ndryshimet kryesore që solli ishin: përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore.

Partia e kryeministrit maqedonas, Hristiajn Mickoski, VMRO-DPMNE-ja, e cila më 2018 ishte në opozitë, ndërsa tani në pushtet, së bashku me 12 iniciativa tjera, e kundërshtoi ashpër miratimin e ligjit, nuk mori pjesë në votim dhe e dërgoi këtë dokument menjëherë në Gjykatën Kushtetuese.

Më 11 dhjetor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim për kushtetutshmërinë e Ligjit për gjuhët, duke shtyrë kështu seancën për shkak të bojkotit nga dy gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Seanca e dytë më 20 mars

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, më 24 dhjetor konfirmoi se seanca e radhës përgatitore e Ligjit për përdorimin e gjuhëve do të mbahet më 20 mars të vitit 2025.

Kostadinsovski më 23 dhjetor kishte konfirmuar se në listën e emrave për seancë, janë përfshirë 20 emra, si ekspertë të së drejtës kushtetuese, të drejtës ndërkombëtare dhe ish-gjykatës nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilët do të ftohen për t’i dhënë mendimet e tyre. Kurse për dy gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, Kostadinsovski pret që të jenë të pranishëm, dhe t’i paraqesin argumentet e tyre juridike.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Balancuesi, mekanizëm që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të jomaqedonasve në institucionet shtetërore në këtë vend, tashmë i shfuqizuar, dhe Ligji i gjuhëve u përfshin në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut./REL/

Continue Reading

Lajmet

Inflacioni në Kosovë arrin 6,8 për qind në maj 2026 

Published

on

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin maj 2026, duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar.

Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e inflacionit vjetor në muajin maj 2026 ka arritur në 6,8 për qind, ndërsa krahasuar me muajin prill 2026 është shënuar rënie prej 0,4 për qind në nivel mujor. ASK ka bërë të ditur se indeksi i përgjithshëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në maj 2026 ishte 6,8 për qind më i lartë krahasuar me majin e vitit 2025.

Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti me 14,1 për qind, strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 13,2 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5,6 për qind.

Rritje janë regjistruar edhe në restorante dhe shërbime akomodimi me 5,3 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike me 5,1 për qind, shëndetësi me 4,1 për qind, mobilje dhe pajisje shtëpiake me 3,6 për qind, si dhe në kategori të tjera si rekreacioni, veshja dhe komunikimi. Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin e shërbimeve arsimore me 0,6 për qind.

Sa i përket ndryshimeve mujore, ASK ka bërë të ditur se në maj 2026 krahasuar me prillin 2026 është shënuar rënie prej 0,4 për qind.

Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në transport me 2,0 për qind, strehim dhe energji me 0,7 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike me 0,2 për qind, si dhe në disa kategori të tjera me luhatje më të vogla.

Në anën tjetër, rritje mujore e çmimeve është regjistruar në pijet alkoolike dhe duhan me 0,7 për qind, shëndetësi me 0,7 për qind, mobilje dhe pajisje shtëpiake me 0,6 për qind, si dhe në kategori si informacioni, veshja dhe shërbimet e restoranteve. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Kosovë për sulm ndaj zyrtarit policor

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, një person është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar një zyrtar policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari i është nënshtruar testit të alkoolit, i cili ka rezultuar pozitiv me 0.72 promilë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mesnatës më 09.06.2026, ndërsa më 10.06.2026 policia ka bërë të ditur se për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të mbahet në stacion policor derisa t’i kalojë gjendja e dehjes.

I dyshuari, mashkull kosovar, po trajtohet sipas procedurave ligjore, ndërsa rasti është duke u hetuar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Deçan – Hidhet granatë dore në oborrin e shtëpisë, i dyshuari në kërkim

Published

on

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, në Deçan më 09.06.2026 rreth orës 05:39 është raportuar një rast ku një person dyshohet se ka hedhur një granatë dore në oborrin e shtëpisë së viktimës.

Sipas policisë, viktima mashkull kosovar ka deklaruar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprimin, duke shkaktuar vetëm dëme materiale, pa të lënduar në njerëz.

I dyshuari aktualisht gjendet në kërkim policor, ndërsa rasti është duke u hetuar nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përfundon procesi i numërimit dhe verifikimit të votave në 13 komuna

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se deri më tani procesi i verifikimit dhe numërimit të votave ka përfunduar në 13 qendra komunale të numërimit, ndërsa në total janë procesuar 1,379 nga 2,498 vendvotime, apo 55.20%.

Sipas KQZ-së, qendrat komunale të numërimit që kanë përfunduar plotësisht punën janë Juniku, Shtërpca, Hani i Elezit, Parteshi, Mamushë, Zubin Potoku, Zveçani, Kllokoti, Novobërda, Obiliqi, Shtimja, Ranillugu dhe Mitrovica e Veriut.

Ndërkohë, procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 25 qendra të tjera komunale, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Gjakovën dhe komunat e tjera të vendit.

KQZ bën të ditur se pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat po transmetohen në platformën zyrtare të institucionit.

Paralelisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës. Deri më tani janë vlerësuar mbi 7 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar 7,153, ndërsa janë refuzuar 142, kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit.

Sipas KQZ-së, nga kutitë postare në 22 shtete dhe brenda Kosovës janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, ndërsa numri i shtetasve të regjistruar për votim përmes postës është 104,480./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara