Një skandal i madh ndodhi gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.
Duket se Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, ka pasur një mllef të madh ndaj mundësit rus Chermen Valiev, i cili përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Sipas Komitetit Olimpik Shqiptar, para se t’i vendoste medaljen, Mamiashvili e ka quajtur përfaqësuesin rus të Shqipërisë “tradhtar”, ndërsa ia ka vendosur në mënyrë arrogante dhe me forcë medaljen në qafë, raporton euronews.

Në fund, i ka shtrënguar me forcë të dyja duart, shoqëruar me një buzëqeshje ironike.
Reagimi i Komitetit Olimpik Shqiptar
“Sporti i mundjes është përfshirë në skandal të vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë. Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së artë për Chermen Valiev, si kampion Europe për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa ia vendoste medaljen në qafë dhe duke e shtyrë me duar. Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala “tradhtar” për Chermen Valiev, i cili ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë. Ky është rast i paprecedent dhe një skandal për botën e sportit, që bie ndesh me parimet olimpike, të respektit, përsosmërisë dhe miqësisë. KOKSH dënon me forcë këtë gjest dhe do të vërë në dijeni të gjitha organizmat Olimpike Botërore, për fyerjen dhe dhunimin e sportistit, gjatë kësaj ceremonie të rëndësishme sportive. Shqipëria ka humbur plot 37 medalje Olimpike, Botërore dhe Europiane, për sportistë që për arsye të ndryshme kanë garuar për shtete të tjera, por asnjëherë, as Federatat dhe as Komiteti Olimpik, nuk janë prononcuar për të quajtur sportistët ‘tradhëtarë’, thuhet në reagim.