Lajmet
Shkon në 35 milionë numri i të infektuarve nga COVID-19 në botë
Published
5 years agoon
By
Betim GashiNumri i përgjithshëm i të infektuarve me COVID-19 në botë ka shkuar në 35 milionë, sipas të dhënave nga universiteti Johns Hopkins. Ndërkaq numri i viktimave nga COVID-19 ka shkuar në një milion.
SHBA-të janë vendi më i goditur nga pandemia, me 7.4 milionë të infektuar, pasohet nga India me rreth 6.6 milionë të prekur, si dhe Brazili me 4.9 milionë raste./UBTNews
Vendi
REL: Bllokada në Kuvend rrezikon fatin e marrëveshjeve ndërkombëtare 121-milionëshe
Published
32 minutes agoon
March 16, 2026By
UBTNews
Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 31 mars që të ratifikojë marrëveshjen e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh.
Por, e gjithë puna e Kuvendit është e ngrirë deri në këtë datë nga Gjykata Kushtetuese, përmes masës së përkohshme të vënë pas kontestimit të dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë.
Marrëveshja për projektin që prek KEK-un, është njëra nga tetë sosh sa i ka legjislatura aktuale në sirtarët e saj.
Ndër to është janë edhe:
- Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes
- Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor
- Dy amendamente të marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA
- Dy marrëveshje për kredi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH): njëra për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike dhe për impiante për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë dhe
- Marrëveshja për kredi me Fondin Saudit për Zhvillim për projektin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se afatet për miratimin e këtyre marrëveshjeve janë të ngushta dhe “kërkojnë procedim të shpejtë nga ana e Kuvendit”.
Nga Banka Evropiane e Investimeve thanë se ratifikimi i marrëveshjes “është i nevojshëm për ofrimin e financimit të propozuar”.
“Ratifikimi i marrëveshjes do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara me ndërtimin e njërit prej centraleve të saj më të mëdha fotovoltaike diellore, me një kapacitet deri në 100 megavatë. Projekti pritet të forcojë sigurinë energjetike të vendit duke rritur pjesën e energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend dhe duke zvogëluar varësinë nga gjenerimi me bazë qymyri. Ai gjithashtu do të mbështeste qëllimet më të gjera të tranzicionit të gjelbër të Kosovës, pasi centrali pritet të gjenerojë rreth 169 gigavatë energji elektrike në vit dhe do t’i ulte ndjeshëm emetimet e dyoksidit të karbonit sapo të vihet në funksion”.
Vlera e marrëveshjeve
Njohës të punës së Kuvendit konsiderojnë se marrëveshjet kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Në thelb, ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nënkupton përshpejtim të investimeve publike, rritje të stabilitetit institucional dhe përfitime konkrete afatmesme dhe afatgjata për qytetarët”, tha për Radion Evropa e Lirë, Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Por, sipas hulumtueses së Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, situata aktuale “krijon një pasiguri institucionale”.
“Meqenëse marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen nga Kuvendi me shumicë të kualifikuar prej dy të tretave, çdo bllokim në funksionimin e tij e shtyn automatikisht edhe procesin e ratifikimit. Kjo do të thotë se, derisa të ketë një qartësi për funksionimin e plotë të legjislativit, është e vështirë të parashikohet se kur mund të procedohen këto marrëveshje për miratim”, tha ajo.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, thanë se këto marrëveshje kanë planifikuar t’i miratojnë të premten e 6 marsit, një ditë pas dështimit për ta zgjedhur presidentin e ri. Seanca nuk u mbajt pasi Osmani nxori në mëngjesin e asaj dite dekretin për shpërndarje të Kuvendit.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i tha Radios Evropa e Lirë se këto katër marrëveshje “kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e efiçiencës energjetike në vend”.
“Prandaj, miratimi i tyre sa më i shpejtë është në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës. Në rrethana të tilla, është e rëndësishme që këto projekte strategjike të mos mbeten peng i zhvillimeve politike, por të avancohen sa më parë për të sjellë përfitime konkrete për vendin dhe qytetarët”.
Pasojat e mosratifikimit të marrëveshjeve
Violeta Haxholli thotë se mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ndikon në vonesat për zbatimin e projekteve dhe në imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare.
“Edhe pse partnerët ndërkombëtarë zakonisht i kuptojnë situatat e brendshme politike, vazhdimi i bllokadave institucionale mund të ndikojë në ritmin e bashkëpunimit dhe në besimin për zbatimin e projekteve të përbashkëta”, tha ajo.
Kolshi sheh pasoja të shumëfishta, edhe brenda edhe jashtë Kosovës.
“Në një kontekst global të ndryshimeve gjeopolitike dhe rikonfigurimit të prioriteteve të politikës së jashtme të aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë edhe administratën amerikane, është jetike që Kosova të dëshmojë seriozitet institucional dhe kapacitet vendimmarrës për t’i ruajtur dhe forcuar partneritetet strategjike”.
Radio Evropa e Lirë i ka pyetur edhe institucionet tjera që i sponsorojnë këto marrëveshje – BE-në, BERZH-in dhe Fondin Saudit për Zhvillim – se me çfarë pasojash eventuale mund të përballet Kosova nga pamundësia për t’i ratifikuar dokumentet, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Domosdoshmëria e konsensusit politik
Duke marrë parasysh faktin që për miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, konsensusi politik është kyç.
Hulumtuesja e KDI-së, Haxholli, përmend se është shumë e rëndësishme që marrëveshjet të trajtohen “përtej interesave të momentumit politik”.
“Në shumicën e rasteve, këto marrëveshje lidhen me zhvillimin e vendit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Prandaj, është e rëndësishme që debati politik të fokusohet në përmbajtjen dhe përfitimet e tyre, duke siguruar që procesi i ratifikimit të zhvillohet në mënyrë transparente dhe në kohë”, theksoi ajo.
E, Kolshi nga IKD-ja thotë se Kuvendi tashmë është përballur me vonesa “të konsiderueshme”.
“Përgjegjësi e veçantë bie edhe mbi Qeverinë aktuale, e cila përveç rolit negociues në marrëveshje ndërkombëtare, duhet të tregojë lidership politik dhe kapacitet për të ndërtuar konsensus institucional dhe stabilitet me Kuvendin dhe aktorët e tjerë politikë”.
Kjo nuk është hera e parë që Kosova rrezikon t’i humbë fondet nga marrëveshjet ndërkombëtare, për shkak të problemeve të brendshme.
Legjislatura aktuale mezi i arriti afatet e nevojshme për të përfituar nga marrëveshjet me Bankën Botërore dhe atë me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes. Shuma e tri marrëveshjeve në total prek vlerën e rreth 1 miliard eurove. /REL/
Vendi
34 aksidente dhe afro 2 mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve
Published
2 hours agoon
March 16, 2026By
UBTNews
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është regjistruar një numër i lartë i gjobave të shqiptuara dhe i aksidenteve në rrugët e vendit
Sipas të dhënave zyrtare, fatmirësisht nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet, mirëpo janë regjistruar gjithsej 34 aksidente trafiku, prej të cilëve 12 kanë përfunduar me persona të lënduar dhe 22 me dëme materiale.
Gjatë kësaj periudhe, policia ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit, ka shqiptuar gjithsej 1896 tiketa trafiku.
Sa i përket aktiviteteve operative për rendin dhe ligjin, janë arrestuar 5 persona, ku 2 prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa 3 persona janë dërguar direkt në vuajtje të dënimit.
Lajmet
Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit
Published
3 days agoon
March 13, 2026By
ubtnews
Me mbi 35 vite përvojë në gazetari, profesori dhe gazetari Musa Sabedini vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e gazetarisë përmes botimeve shkencore dhe përvojës profesionale. Në një bashkëbisedim në podcast-in e mediave të UBT-së, ai foli për rrugëtimin e tij në gazetari, librat universitarë që ka botuar, sfidat e gazetarisë hulumtuese dhe ndikimin e teknologjisë në profesion.
Në këtë intervistë, Sabedini ndan përvojën e tij shumëvjeçare në gazetarinë hulumtuese, rëndësinë e etikës në profesion dhe rolin që inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi po luajnë në transformimin e mediave.
*****
Pjesë nga intervista:
Driton Hyseni: Pas mbi 35 vite përvoje në gazetari, çfarë ju shtyu që këtë përvojë ta ktheni në libra universitarë?
Musa Sabedini: Vetë fakti që kam një periudhë kaq të gjatë në gazetari më ka shtyrë që përvojën time profesionale ta ndaj me të tjerët. Kam dashur që përvojën e gjatë dhe profesionalizmin që e kam treguar gjatë viteve – përfshirë katër çmime të fituara në gazetari dhe shumë raste të trajtuara si gazetar hulumtues – ta përcjell edhe te gjeneratat e reja. Kam menduar se është e rëndësishme që studentët, gazetarët e rinj dhe redaktorët e mediave të kenë në dispozicion literaturë profesionale. Prandaj kam vendosur t’u dhuroj katër libra. Libri i fundit, i katërti, që trajton gazetarinë hulumtuese dhe për të cilin po flasim sot, ishte i domosdoshëm, sepse ka shumë mungesë literature në këtë fushë. Pak studiues dhe ekspertë kanë guximin ose vullnetin të merren me libra të tillë. Ky libër ka jo më pak se 718 faqe.
Driton Hyseni: Libri i fundit është mjaft voluminoz dhe përfshin literaturë të gjerë si dhe përvojën tuaj në gazetarinë hulumtuese. Çfarë e bën atë të ndryshëm nga literaturat e tjera?
Musa Sabedini: Libri përbëhet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë trajtoj përkufizimet dhe nocionet kryesore të gazetarisë hulumtuese. Kapitulli i dytë fokusohet te digjitalizimi dhe ndikimi i tij në gazetarinë hulumtuese. Ndërsa kapitulli i tretë trajton teknikat e raportimit hulumtues. Ky kapitull i fundit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse libri nuk është vetëm studimor, por edhe praktik. Ai përmban shumë shembuj konkretë dhe analiza të mediave dhe portaleve, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Në kapitullin e parë, për shembull, studentët – qoftë në bachelor, master apo doktoraturë – mund të gjejnë përkufizime dhe nocione të qarta pa pasur nevojë të kërkojnë shumë burime të tjera. Libri është i veçantë sepse përmban shumë materiale praktike dhe qindra raste konkrete. Në fakt, deri tani nuk ekziston një libër i tillë as në Ballkan. Mund të ketë dispensa të shkurtra, por një libër i këtij lloji nuk ka pasur më parë.
Driton Hyseni: Meqenëse përmendët se libri është i veçantë në rajon, a përfshin ai edhe shembuj ndërkombëtarë të mediave që fokusohen në gazetarinë hulumtuese? A ka krahasime me gazetarinë në Kosovë?
Musa Sabedini: Po, patjetër. Kjo është një nga veçantitë e librit. Kam përfshirë shembuj ndërkombëtarë dhe vendorë. Nëse kam marrë një rast nga Amerika, e kam krahasuar me një rast në Ballkan dhe më pas me Kosovën. E njëjta gjë vlen edhe për rastet nga Evropa. Kam përfshirë shembuj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe madje edhe nga Serbia. Pra, libri është unik sepse ka materiale të bollshme dhe të kuptueshme, dhe secila pjesë e plotëson tjetrën.
Driton Hyseni: Sot po shohim që inteligjenca artificiale po hyn gjithnjë e më shumë në industrinë e mediave dhe po e transformon gazetarinë. Si e shihni këtë zhvillim?
Musa Sabedini: Digjitalizimi ka anët e veta pozitive dhe negative. Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e dobishme nëse përdoret në mënyrë profesionale dhe analitike, por ajo nuk mund ta zëvendësojë gazetarin. Një gazetar duhet të dijë ta orientojë temën hulumtuese vetë. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizë dhe verifikim, por nuk mund ta krijojë vetë gazetarinë. Gazetaria hulumtuese në thelb është proces hulumtimi dhe verifikimi. Nëse gazetarët e rinj dhe studentët dinë ta përdorin teknologjinë në mënyrë profesionale, ajo mund të ndihmojë shumë në avancimin e gazetarisë hulumtuese. Por në shumë raste po keqpërdoret, sidomos në portalet online.
Driton Hyseni: Në librat tuaj shpesh e theksoni rëndësinë e etikës. A mund të ketë gazetari të mirë pa etikë personale?
Musa Sabedini: Për mua etika është thelbi i gazetarisë. Madje e quaj edhe mbretëresha e gazetarisë. Mund të jesh gazetar shumë i aftë dhe shumë i fortë në hulumtim, por nëse nuk ke etikë, gazetaria e humb vlerën e saj. Etika nuk e ndalon gazetarinë. Përkundrazi, ajo të mëson si të sillesh profesionalisht në çdo situatë, madje edhe kur interviston persona të dyshuar për krime. Gazetari duhet të arrijë te informacioni me profesionalizëm dhe jo me fyerje ose paragjykime. Gazetaria nga A deri në Zh lidhet me etikën.
Driton Hyseni: Në librin e fundit keni përfshirë 101 pyetje dhe udhëzime për gazetarinë hulumtuese. Pse mendoni se një gazetar i ri ka nevojë për udhëzime të tilla ose një udhërrëfyes praktik në fillim të karrierës?
Musa Sabedini: Arma e dytë e fuqishme e librit janë pikërisht këto 101 pyetje dhe 101 këshilla apo udhëzime. Këto janë pyetje që i kam ndërtuar vetë nga përvoja ime shumë e gjatë në gazetari. Nuk dua të them që kam “vuajtur” për ta përjetuar gazetarinë hulumtuese, sepse tashmë jam shumë i vjetër në këtë profesion, por kam dashur që gjeneratave të reja t’u lë një lloj testamenti profesional – një dokument apo udhëzues që ua bën më të lehtë realizimin e një interviste hulumtuese, një hetimi hulumtues apo një hulumtimi të gjatë, pavarësisht temës. Nëse i lexoni këto pyetje dhe këshilla, ato janë vërtet shumë të dobishme profesionalisht. I kam përgatitur me shumë dashuri dhe me shumë vullnet dhe besoj se do të ndihmojnë çdo gazetar që dëshiron të merret me gazetari hulumtuese, por edhe studiues dhe ekspertë të fushës. Gjatë mbledhjes së materialeve dhe literaturës për këtë libër kam vërejtur se te ne mungojnë jo vetëm librat, por edhe udhëzuesit e shkurtër praktikë – për shembull një agjendë me 10 apo 20 pyetje që mund ta ndihmojnë gazetarin në terren. Gazetaria hulumtuese nuk është e lehtë. Është një sfidë e madhe. Nëse një gazetar hulumtues nuk e ka përjetuar në praktikë këtë profesion, është shumë e vështirë të shkruajë një libër për të. Këtu teoria është e lidhur ngushtë me praktikën. Unë mund të flas shumë për teorinë e gazetarisë hulumtuese, por kur vjen puna te praktika, duhet shumë punë dhe përkushtim. Është një profesion shumë delikat, por edhe shumë i bukur, me sfida dhe vështirësi të ndryshme.
Driton Hyseni: Si keni arritur t’i ndërthurni të gjitha këto përvoja – nga sfidat dhe kërcënimet deri te përvoja profesionale – në një libër kaq voluminoz universitar?
Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese i ka edhe rreziqet e veta. Në libër e kam përmendur këtë në disa vende dhe kam dhënë edhe shembuj konkretë. Unë personalisht kam rreth 35 raste kërcënimesh me vdekje nga njerëz të ndryshëm. Të gjitha këto raste janë të evidentuara në polici dhe në databaza përkatëse. Megjithatë, asnjëherë nuk jam frikësuar dhe as sot nuk frikësohem. E vetmja frikë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë për mua ka qenë nëse pa dashje i kam hyrë dikujt në hak, por nuk besoj se kjo ka ndodhur, të paktën jo me vetëdijen time. Gazetaria hulumtuese nuk ka kompromis. Këtu gjithmonë ekziston një palë tjetër dhe një e vërtetë që duhet zbuluar. Kur shkruan për gazetari hulumtuese duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë. Parimi im ka qenë gjithmonë: verifiko ose beso – por gjithmonë verifiko. Këto dy elemente janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Një gazetar nuk mund të merret me hetimin e njerëzve, kompanive të mëdha, universiteteve, profesorëve, bizneseve apo institucioneve publike pa pasur fakte dhe dëshmi. Nëse nuk ke dëshmi, është shumë e rrezikshme për një gazetar. Prandaj këshilla ime është që fokusi i gazetarit duhet të jetë gjithmonë te e vërteta. Mos i paragjykoni njerëzit dhe mos i akuzoni pa nevojë. Hulumtoni, verifikoni dhe pastaj publikoni. Kur them “beso”, nënkuptoj të besosh në dokumente konkrete: një dokument zyrtar, një incizim, një video, një fotografi, një aktakuzë, një aktgjykim apo çdo material tjetër që e mbështet informacionin. Gazetari duhet të shkojë te pala tjetër i përgatitur mirë dhe me fakte në dorë, në mënyrë që të mos duket qesharak as para palës dhe as para publikut.
Driton Hyseni: Përveç botimeve akademike, ju vazhdoni të kontribuoni edhe në gazetari dhe të realizoni tekste hulumtuese. Çfarë ju motivon të vazhdoni në këtë profesion?
Musa Sabedini: Të drejtën me thënë, nuk mund të jetoj pa gazetari. Edhe kur kam filluar angazhimet e mia akademike, një nga kushtet e mia ka qenë që të mos e ndal gazetarinë. Edhe pse sot nuk jam aq aktiv sa kam qenë më herët, vazhdoj të kontribuoj në këtë fushë. Kam fituar katër çmime në gazetarinë hulumtuese dhe për këtë arsye kam vendosur ta ul pak intensitetin e punës, për t’u dhënë hapësirë edhe gazetarëve të tjerë të rinj. Megjithatë, unë e njoh shumë mirë frymën e gazetarisë hulumtuese. E di saktësisht se si funksionon dhe sa përkushtim kërkon ky profesion. Gazetaria hulumtuese kërkon shumë vullnet, shumë përkushtim, ndërgjegje profesionale dhe kujdes të madh. Gazetari duhet të ketë intuitë të fortë, integritet profesional dhe ndikim publik. Duhet të jesh një figurë që kur dikush dëgjon emrin tënd, ta kuptojë se përballë ka një gazetar serioz që merret me të vërtetën. Fatkeqësisht, sot në hapësirën online kjo pjesë e gazetarisë hulumtuese shpesh nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Edhe pse vetë kam qenë pjesë e kësaj fushe dhe kam portal, shpesh vërehet se baza profesionale mbi të cilën duhet të ndërtohet gazetaria hulumtuese po anashkalohet.
Vendi
PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses
Published
3 days agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim të mundshëm në ditët në vijim për çështjen e presidentit, i është përgjigjur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me të njëjtin ton si ai i LDK-së.
Në përgjigje të kësaj thirrjeje, PDK ka konfirmuar vullnetin për dialog, mirëpo jo para një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
PDK e përmbyll reagimin duke theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitetin e vërtetë politik dhe institucional në Kosovë.
Agim Ademi takohet me Glauk Konjufcën për përgatitjet e kombëtares së Kosovës
REL: Bllokada në Kuvend rrezikon fatin e marrëveshjeve ndërkombëtare 121-milionëshe
Katër ekipet më të mira të Ligës Unike përballen në Prizren për trofeun e madh
Gjakovë: Një i vrarë dhe një i plagosur nga të shtënat me armë zjarri
Albion Ymeri shpallet kampion i Ballkanit në triatlon
34 aksidente dhe afro 2 mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve
Bujanoci kërkon nga Qeveria e Kosovës lehtësimin e lëvizjes për bashkëkombasit
Arrestohet një person në Prishtinë për pengimin e policisë
Almir Kryeziu shpallet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
