Lajmet

Shkollat në pushim njëjavor

Published

on

Javën e ardhshme të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar do të shkojnë në pushim pranveror për një javë, ku pas këtij pushimi sërish procesi mësimor do të mbahet me prezencë fizike në objektet shkollore dhe jo online.

Gjatë kësaj jave të pushimit do të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore si dhe do të vlerësohet situata epidemiologjike në shkolla në nivel vendi.

Këto i ka bërë të ditura për KosovaPress, përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, i cili ka qenë prezent në takimin e sotëm që është mbajtur me ministren e Arsimit dhe Shkencës Arbërie Nagavci, përfaqësues të DKA-ve, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, IKSHPK-së dhe drejtorë të shkollave.

Ai thotë se tashme është vendosur që java e ardhshme të jetë pushim për shkollat në të gjithë vendin, e një gjë të tillë sipas tij e ka rekomanduar edhe përfaqësuesi i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Pas diskutimeve që janë bërë është vendosur që gjatë javës së ardhshme edhe me rekomandimin e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i cili ishte në takim që të mbahet një javë pushim, meqenëse pushimi pranveror sipas kalendarit ka qenë e paraparë në këtë javë”, thotë ai.

Ai potencon se të gjithë përfaqësuesit në këtë takim janë deklaruar pro mbajtjes së pushimit pranveror, e një pushim i tillë thotë se është i mirëseardhur edhe për shkak të numrit në rritje të infektimeve dhe rasteve të vdekjeve edhe brenda personelit arsimor.

“Është interesante se për pushimin pranveror kanë qenë të pajtimit të gjithë, edhe Këshilli i Prindërve edhe ne si përfaqësues të mësimdhënësve dhe DKA-të. Duke e pasur parasysh numrin në rritje të infektimeve që janë këto ditë edhe duke e pasur parasysh që kemi raste të vdekjeve edhe të mësimdhënësve, për shembull sot e kemi një rast vdekje në komunën e Prizrenit që ka vdekur nga COVID-19. Si dhe duke e pasur parasysh se rastet e reja të paraqitjes së COVID-it po ka edhe tek nxënësit, mendojmë që është mjaft e dobishme në mënyrë që ta ulim pak infeksionin këto ditë. Mendoj që është e mirëseardhur së pari për shëndetin edhe të nxënësve edhe të mësimdhënësve, po edhe mendoj që është e nevojshme një lloj pushimi për fëmijët”, thotë ai.

Gjatë pushimit njëjavor, Ymeri deklaroi se do të punohet në dezinfektimin e objekteve shkollore, derisa thotë se edhe pas pushimit mësimi do të vazhdojë me prezencë fizike në shkolla dhe jo online.

“Gjatë kësaj kohës së pushimit do të punohet shumë, ashtu së paku u tha, që të dezinfektohen shkollat, të përgatiten sa më shumë që është e mundur dhe përsëri të fillojmë me skenarin A, B, C varësisht nga nevoja. Do të thotë të fillojmë mësimin në objektet shkollore jo në mësimin online dhe ne si përfaqësues të punëtorëve edhe ne e përkrahim idenë dhe qëndrimin që mësimi të zhvillohet deri në momentet kur është shumë i rrezikuar shëndeti i mësimdhënësve, i punëtorëve në arsim edhe i nxënësve. Deri në ato momente bëjmë çmos që ta ruajmë mësimin në klasë, jo nga distanca për shkak se nuk është as i përafërt mësimi online me atë mësimin me prezencë në klasë”, thotë ai.

Në këtë takim të përfaqësuesve të sistemit arsimor është diskutuar edhe çështja e zëvendësimit të ditëve të humbura mësimore. Ymeri thotë se si përfaqësues të mësimdhënësve kanë propozuar që ky zëvendësim të bëhet ditëve të shtune.

“Ne si përfaqësues të sindikatës kemi thënë që më e mira është që zëvendësimi të bëhet ditëve të shtune, një të shtune po, një të shtune jo, në mënyrë që mos të shkohet për shkak se e dimë që kalendari për klasën 1-8 viti shkollor përfundon me 30 qershor, mos të shtyhet edhe në korrik mësimi”, thotë ai.

Sipas kalendarit mësimor, pushimi pranveror ka qenë i paraparë të mbahet nga 29 marsi deri më 4 prill, por që pushimi të mbahet nuk kishte vendosur qeveria në detyrë.

Lajmet

Prof. Ibush Luzha në UBT News Podcast: Pa menaxhim të mirë, burimet natyrore të Kosovës po degradohen

Published

on

Në episodin më të ri të podcastit të UBT News, i ftuar ishte prof. Ibush Luzha, një nga njohësit e teknologjisë inorganike, i cili solli një analizë të detajuar mbi sfidat mjedisore që e prekin drejtpërdrejt shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve në Kosovë.

Në një bisedë të hapur, ai shpalosi problemet kryesore të ndotjes së ujit, ajrit dhe mbeturinave, si dhe theksoi rolin vendimtar që teknologjia moderne mund të luajë në zgjidhjen e tyre.

Prof. Luzha kujtoi se teknologjia inorganike ka qenë ndër drejtimet kryesore të industrisë kosovare që nga periudha para luftës e deri më sot. Ai theksoi se vendi ynë vazhdon të ketë potencial të madh natyror, por se ai mbetet shpesh i pamenaxhuar dhe i nënvlerësuar.

“Teknologjia inorganike ka qenë tradicionalisht një nga shtyllat industriale të Kosovës. Edhe sot kemi potencial të jashtëzakonshëm natyror, por sfida kryesore mbetet mungesa e menaxhimit modern dhe e standardeve që kërkon koha”, u shpreh ai.

Profesori theksoi se mineralet, burimet ujore dhe kapacitetet industriale të trashëguara nuk janë përdorur në mënyrën e duhur, duke lënë prapa pasoja serioze mjedisore.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte gjendja alarmuese e ujërave sipërfaqësore dhe atyre të pijshëm në Kosovë. Prof. Luzha u ndal te abuzimet që ndodhin në shumë kompani dhe institucione, ku trajtimi i ujit shpesh lihet pas dore.

“Në shumë zona të Kosovës, analizat tregojnë tejkalime drastike të parametrave të ndotjes, si në ujërat sipërfaqësore, ashtu edhe në ato të pijshëm. Problemi nuk është mungesa e pajisjeve, por fakti që shumë sisteme filtrimi anashkalohen plotësisht ose nuk mirëmbahen”, tha ai.

Sipas tij, komunat bartin përgjegjësi të madhe, por kontrolli mbetet i dobët, ndërsa monitorimet janë shpesh formale dhe jo të thelluara.

Ai shtoi se disa sisteme filtrimi të dhuruara nga Bashkimi Evropian janë lënë jashtë funksionit pa asnjë arsye teknike, duke u bërë shembuj të keqmenaxhimit institucional.

Gjatë podcastit u diskutua edhe për ndotjen e ajrit, një nga problemet më të mëdha të viteve të fundit. Prof. Luzha theksoi se ndotja rritet sidomos në dimër, si pasojë e djegies së materialeve të ndryshme dhe e emetimeve industriale.

“Kosova ka burime të mëdha ndotjeje të ajrit, por ka edhe potencial të madh për përmirësim. Me teknologji moderne dhe standarde të qarta të filtrimit industrial, ndotja mund të ulet ndjeshëm. Kërkohet vetëm vullnet dhe zbatim i vërtetë i ligjit”, u shpreh profesori.

Ai theksoi rëndësinë e filtrimit të gazrave industrialë dhe të implementimit të teknologjive që e reduktojnë ndotjen në burim, duke paralajmëruar se pasojat e mosveprimit do të jenë afatgjata dhe të dëmshme.

Podcastin e plotë mund ta ndiqni në këtë link: PODCAST

Continue Reading

Lajmet

Nis sot gjykimi për tragjedinë e Koçanit ku vdiqën 63 persona

Published

on

Ka nisur gjykimi për tragjedinë që ka ndodhur në mars të këtij viti në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan.

Rasti përfshin 38 të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre juridikë, ndërsa procedura po zhvillohet me tempo prej dy seancave në javë.

Gjykata u ka bërë thirrje mediumeve për raportim dinjitoz pa senzacionalizëm, dhe me respekt ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

Procesin e zhvillon gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa prokuroria do të përfaqësohet nga një ekip i zgjeruar prej 15 prokurorëve publik.

Aktakuza përfshin vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, mes të cilave edhe lëshime serioze në organizim të sigurimit të objektit.

Mes të akuzuarve janë pronarë të lokaleve, drejtorë, inspektorë, kryetarë komunash, anëtarë të sigurimit dhe nëpunës shtetërorë./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Libani thotë se sulmi izraelit vrau 13 persona pranë kampit të refugjatëve palestinezë

Published

on

Të paktën 13 persona janë vrarë në një sulm izraelit pranë një kampi refugjatësh palestinezë në Libanin jugor, thotë ministria e shëndetësisë e vendit.

Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar anëtarë të grupit të armatosur palestinez Hamas që vepronin në një kompleks stërvitjeje në zonën Ein el-Hilweh.

Ajo tha se vendi ishte përdorur nga Hamasi për të planifikuar dhe kryer sulme kundër Izraelit, të cilat Hamasi i hodhi poshtë si trillime dhe gënjeshtra.

Izraeli ka kryer sulme të rregullta ajrore ndaj njerëzve dhe vendeve në Liban që nga një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit me grupin e armatosur Hezbollah të mbështetur nga Irani.

Shumica e sulmeve kanë shënjestruar Hezbollahun, por Izraeli ka sulmuar edhe Hamasin në vend./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Osmani uron Letoninë për Ditën e Pavarësisë: Mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani i ka uruar popullit të Letonisë Ditën e Pavarësisë.

Ajo përmes një postimi në rrjetin social X ka uruar edhe presidentin e këtij vendi Edgars Rinkēvičs.

“Ishte një privilegj të vizitoja Rigën dhe një nder të mirëprisja Presidentin Rinkēvičs në Prishtinë këtë vit, ndërsa vazhdojmë të forcojmë lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit midis vendeve tona. Jemi mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të Letonisë dhe mezi presim të ndërtojmë mbi këtë partneritet në vitet në vijim”, shkruan Osmani.

Letonia e ka shpallur pavarësinë e saj më 18 nëntor 1918 në Riga, dhe feston 107 vjetorin e pavarësisë./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara