Shumë gra zgjedhin të mos ndjekin studimet në shkencat kompjuterike, shkaku i stereotipave të krijuara, perceptime që i sfidojnë dhe i ndalojnë ato në formimin e karrierës profesionale.
Por, kjo nuk ka penguar shumë gra tjera që të jetësojnë ëndrrën e tyre, teksa aftësitë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, i shndërruan në rol që formësojnë shoqërinë.
Krahas rritjes së shpejtë të kësaj fushe, po rritet edhe interesimi dhe përzgjedhja si profesion për të studiuar në UBT, ku suksesshëm studentet po arrijnë të kenë edhe karrierë në sektorin e ICT-së.
Shumë të diplomuara në këto drejtime në UBT, tani më udhëheqin biznese inovative, punojnë në kompani të ndryshme botërore, janë angazhuar në pozita koordinuese, udhëheqëse dhe si staf akademik e administrativ, por edhe janë të angazhuara në shumë institucione shtetërore.
Vesa Morina ka mbaruar studimet në Fakultetin Shkenca Kompjuterike në UBT. Ajo tashmë është punësuar në UBT, në pozitën e asistentes, teksa ka qenë pjesë e programit Erasmus+ në Universitetin “Nova de Lisboa”, në Portugali.
Ajo theksoi se të studiosh në Shkenca Kompjuterike është një vendim i qëlluar, ngaqë mbi gjitha është fitimprurës. Sipas saj, në kohën moderne ky drejtim nuk duhet të klasifikohet si profesion i meshkujve, për siç tha, sepse edhe gratë kanë aftësi profesionale.
“Në institucionin ku ligjëroj ka numër të madh të studentëve të gjinisë mashkullore, por viti në vit po shkojmë drejt një kuptimi se nuk është profesion i gjinisë, por i aftësive që posedon personi në zgjidhjen e problemeve. Përderisa keni aftësitë e duhura për të përfunduar punën me sukses në vendet me ambient të punës, nuk duhet të këtë paragjykime, ose të paktën unë kam pas fatin të mos kem një përvojë të tillë në ambientet e punës të deri më tanishme”, potencoi ajo.
Tutje, Vesa tha se gratë duhet të kyçen në këtë drejtim, të realizojnë ëndërron e tyre dhe të sistemohen në vende pune brenda dhe jashtë vendit.
“Inkurajoj të gjithë, por sidomos vajzat të kyçen në këtë drejtim, i cili është një drejtim me shumë sfida por kënaqësia pas përfundimit të punës e tejkalon çdo lodhje që mundesh me has gjatë rrugës. Ndjehet nevoja për sa më shumë vajza në fushën e teknologjisë, dhe gjithçka që ju nevojitet është vendosmëria dhe vetëbesimi”, tha ajo.
Rrugëtim të suksesshëm profesional pati edhe ish-studentja Diellza Berisha. Ajo mbaroi studimet për Shkenca Kompjuterike në UBT, ndërkaq sot ajo në pozitën e ligjërueses së lëndëve të matematikës dikrete, hyrje në algoritme, inxhinieri e web-it, simulim dhe vizualizim, po i përcjell njohuritë tek studentët e rinj.
“Frymëzimi dhe ideja për të filluar studimet në fushën e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në nivelin BSc, e pastaj edhe në nivelin MSc, ka qenë se kjo fushë është bërë pjese e pandashme e jetesës individuale dhe shoqërore në tërësi. Të gjitha aktivitetet punuese, kreative dhe prodhuese tani janë të mbështetura direkt ose indirekt nga teknologjia informative dhe si e tillë ka nevojë të zhvillohet dhe avancohet në mënyrë të vazhdueshme”, tha ajo.
Diellza tha se UBT i ofroi gjitha mundësitë, si në pjesën akademike dhe në aspektin e infrastrukturës, që ajo të gëzojë sukseset e deritanishme. Ajo tregoi se ka injoruar paragjykimet e mundshme, teksa ishte fokusuar vetëm në profesionin që kishte zgjedhur, e që është ndër profesionet më të kërkuara në botë.
“Fillimisht shkencat elektro-teknike janë konsideruar në një mënyrë si profesion më tepër ‘mashkullore’. Në kohën kur unë jam regjistruar në këtë institucion, në gjeneratën tonë numri gjinisë femërore ka qenë pothuajse formal, teksa sot gjërat kanë ndryshuar. Numri është disa here me i lartë që tregon se ka filluar të kuptohet me drejt roli në ketë drejtim t edukimit dhe mundësive të tërësishme që ofron kjo fushë”, theksoi Diellza.
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, është më i madhi i kësaj fushe në vend dhe rajon, pasuar nga Fakulteti Sistemet e Informacionit dhe Menaxhim i Mekatronikës, ku janë programe që çdo vit pranojnë qindra studente femra, numër që vazhdon të rritet nga viti në vit.
Deri më sot, mbi 2000 studente që kanë filluar ndërtimin profesional në fushën e teknologjisë në këtë institucion, të cilat konkretisht po zhvillojnë aftësitë e tyre në infrastrukturë moderne dhe në laboratorët më të sofistikuar të teknologjisë informative dhe robotikës.
Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho do të jetë figura qendrore e edicionit të nëntë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.
Mbrëmja do të mbahet sonte, më 6 tetor, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Jaho do të shoqërohet nga pianistja e njohur Lule Elezi. <Link url=”https://kultplus.com/ardiane-pajaziti-edicioni-i-nente-i-ta-zbardhi-ftyren-me-sopranon-e-famshme-ermonela-jaho/” title=”Burimi: KultPlus”/>
Programi do të zhvillohet në dy pjesë. Fillimisht, Jaho do të bashkëbisedojë me publikun për rrugëtimin e saj artistik, sfidat dhe sukseset në skenën ndërkombëtare të operës, ndërsa pjesa e dytë do t’i kushtohet performancës së saj.
Në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe talentja e re Anna Krasniqi, e cila do të performojë nën përcjelljen e pianistes Lule Elezi.
Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka thënë se përgatitjet për aktivitetin janë drejt përfundimit dhe se pjesëmarrja e sopranos Jaho përbën një moment të veçantë për këtë edicion.
Gjatë nëntë viteve, në kuadër të “Ta Zbardhi Ftyrën” janë prezantuar artistë të njohur, përfshirë Sislej Xhafën, Imer Kutllovcin, Flaka Gorancin, Erza Muqollin, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketën, Elbenita Kajtazin, Enon Pecin dhe Blenard Azizajn.
Mbrëmja organizohet nga KultPlus dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Punëve të Jashtme, Universiteti i Prishtinës, PriBank dhe Radio Televizioni i Kosovës. Aktiviteti do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK./A.K/
Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.
Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.
Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.
Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.
Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/
Premiera botërore e veprës “Neighbours / from Motherland”, e cila hapi Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, u prit me duartrokitje për 10 minuta nga publiku.
Vepra, e krijuar nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasi, bashkoi për herë të parë në të njëjtën skenë trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës.
E shfaqur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo vepër e baletit bashkëkohor vuri në qendër rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, duke sjellë një bashkëpunim artistik mes dy trupave shqiptare.
Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën hapjen e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë (IDFT).
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga performanca dhe bëri të ditur se më 7 tetor shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.
Festivali vazhdon me aktivitete të tjera, duke sjellë në Tiranë artistë dhe produksione nga skena ndërkombëtare e vallëzimit bashkëkohor./ATSH/A.K/
Më 5 tetor shënohet përvjetori i lindjes së aktorit Xhevat Qena, një prej figurave të njohura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare në Kosovë. I lindur në Mitrovicë më 5 tetor 1930, ai ndërtoi një karrierë të gjatë artistike dhe u nda nga jeta më 24 mars 2003 në Prishtinë.
Për më shumë se katër dekada në skenë, Qena interpretoi qindra role në teatër, film dhe produksione televizive. Ai u dallua veçanërisht në komedi, por gjatë karrierës së tij interpretoi me sukses edhe role dramatike.
Ndër rolet e tij më të njohura në teatër ishin Shvejku në shfaqjen “Ushtari i mirë Shvejk”, Vinetu në shfaqjen me të njëjtin emër, si dhe interpretimet në “Përqafimi”, “Duart e ndyra”, “Revizori”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Oda e errët”, “Mbreti Edip” dhe “Tartufi”.
Në kinematografi dhe televizion, ai u shfaq në produksione të njohura, ndër to “Kapetan Lesi”, “Po e zëm, po e zëm”, “Si të vdiset”, “Gjurmët e bardha”, “Kur pranvera vonohet”, “Proka”, “Autobusi” dhe “Shkolla e fshatit”.
Një pjesë e rëndësishme e jetës së tij artistike lidhet edhe me bashkëshorten, aktoren Leze Qena. Të dy interpretuan së bashku në shumë shfaqje dhe produksione, duke u bërë një prej çifteve më të njohura të skenës shqiptare në Kosovë.
Kolegët e kujtonin Xhevat Qenën si një aktor me imagjinatë, spontanitet dhe mjeshtëri të veçantë në interpretim. Ai dallohej për aftësinë për të krijuar atmosferë në skenë, për të bashkëpunuar me aktorët e tjerë dhe për ta mbajtur publikun të përqendruar gjatë shfaqjes.
Edhe pse komedia ishte një prej fushave ku shkëlqeu, Qena kishte një lidhje të veçantë me dramën. Ndër rolet që i kishin lënë mbresa ishte ai i një avokati në dramën “Oda e errët”.
Për më shumë se 40 vjet në skenë, Xhevat Qena i dha teatrit dhe filmit shqiptar një trashëgimi të rëndësishme artistike. Ai mbetet në kujtesën e publikut për humorin, energjinë dhe mënyrën e natyrshme të interpretimit, ndërsa rolet e tij vazhdojnë të kujtohen edhe sot./A.K/