Kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes një video i ka bërë thirrje qytetarëve për durim dhe qëndresë përballë protestave të shoqëruara me akte dhune, duke kundërshtuar çdo ide për të bërë lëshime në këmbim të qetësisë.
“Motra dhe vëllezër, durim! Durim, se edhe kjo do të kalojë! Durim, se pasi kjo të kalojë do të dalim, siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, tha Rama.
Kryeministri theksoi që përparimi i Shqipërisë dhe i Tiranës është rezultat i punës këmbëngulëse dhe jo i rastësisë.
“Mos harroni se e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu, e kemi sjellë Tiranën deri këtu, dhe këtë nuk e ka sjellë as koha, nuk e kanë sjellë as rrethanat apo rastësia. Këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse për të ecur përpara. Dhe kush thotë ‘le të përkulemi përballë dhunës për pak qetësi’, gabon. Gabon, sepse të përkulesh përballë dhunës për pak qetësi, do të thotë ta humbësh qetësinë dhe ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës për pak qetësi dhe e dimë të gjithë se nuk ka arritur asgjë”, ka thënë Rama.
Burimi: Kosovapress