Lajmet

Shërohen edhe 884 pacientë nga COVID-19

Published

on

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 884 pacientë nga COVID-19.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 31 mijë e 41 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12 mijë e 253./UBTNews

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 10 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Spitali i Pejës

10 gusht 1993

Kosova për herë të parë në Këshillin e Sigurimit

Vështirësia me të cilën vëhet në lëvizje mekanizmi ndërkombëtar, në rend të parë veprimi i organizatës botërore, vërteton rëndësinë e Rezolutës së fundit të Këshillit të Sigurimit, ku bëhet fjalë për Kosovën.

Ndonëse, shkas për këtë rezolutë u mor vendimi i autoriteteve të Baogradit për t’i dëbuar vëzhguesit e KSBE-së nga Kosova, shqyrtimi i kësaj çështje në nivel të organit më të lartë të sigurisë në OKB, flet për vendosmërinë e pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit për të parapenguar përhapjen e konfliktit në Kosovë, rajon që tash shumë kohë konsiderohet vatër e rrezikshme dhe potenciale e luftës. Konkretisht, kjo do të thotë manifestim i diplomacisë preventive, diç që subjektet politike shqiptare në Kosovë dhe diplomacia e Shqipërisë kanë kërkuar vazhdimisht nga subjektet dhe bashkësia ndërkombëtare.

Rezoluta është decidive në kërkesat drejtuar Beogradit që të lejojë kthimin e vëzhguesve të KSBE-së në Kosovë, madje me numër të shtuar, siç qe paraparë më parë edhe me deklaratën e Pesëshes së Këshillit të Sigurimit. Kjo kërkesë bëhet në një kohë kur Serbia sikur e ndjeu se ka duart e lira për të shtuar represionin dhe dhunën në Kosovë, larg syve të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe opinionit botëror. Ajo sfidoi bashkësinë ndërkombëtare me veprimet e veta të fundit në Kosovë, në një kohë kur përpiqej të mashtrojë botën me gjoja gatishmërinë e saj për të dhënë kontributin e vet “serioz” për arritjen e paqes në Bosnjë, që do të ishte, sipas saj, hap i mjaftueshëm që bota t’i heq sanksionet kundër Serbisë.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit ia tërheq vërejtjen Serbisë se çështja e Kosovës, jo vetëm që nuk është çështje e saj e brendshme, siç u përpoq ta përshkruajë Kosovën aleati i saj komunist – Kina, por se bota nuk do të tolerojë shtypjen dhe dhunën serbe mbi shqiptarët. Serbia, madje, nuk mund të “tregtojë për status në KSBE”, siç tha përfaqësuesja e SHBA-ve në OKB, duke kushtëzuar bashkësinë ndërkombëtare me lejimin apo moslejimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Për më tepër, çështja e Kosovës po bëhet kështu një kusht tjetër për heqjen e mundshme të sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Pasusi i fundit i Këshillit të Sigurimit, në të cilin theksohet vendosmëria për “të mbetur i preokupuar me këtë çështje”, është po aqë indikativ. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këtë rezolutë të Këshillit të Sigurimit do të thoshte sfidë e re ndaj Organizatës Botërore dhe arsye për ndërmarrje të hapave të tjerë dhe për thellimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Serbisë.

 

 

10 gusht 1994

Gjendje e rëndë në familjen Ramadani në Shajkofc

Familja e Hasan Ramadanit, të vrarë të dielën në mëngjes gjatë një akti terrorist të forcave serbe, është në gjendje të rëndë.

Përpos gjendjes së rëndë psiqike e shëndetësore pas sulmit disaorësh dhe terrorizimit të familjes në tërësi nga ana e forcave serbe, familja tetanëtarëshe: nëna Emine Ramadani (42) me fëmijët: Halitin (22), Hidajeten (20), Ajshen (18), Bedriun (16), Sevdaiun (15) Fitoren (11) dhe Liridonin (8), ka mbetur praktikisht pa kulm mbi kokë. Familjes Ramadani iu dogjën krejtësisht tri dhomat e shtëpisë nga zjarri i forcave serbe. Të padjegura kanë mbetur edhe dy dhoma, por ato janë shumë të dëmtuara.

Kjo familje nuk ishte në gjendje të mirë materiale edhe për të gjallë të Ramadanit, por tash pas vrasjes së tij dhe djegies së shtëpisë, gjendja e saj është shumë e rëndë.

Situatën edhe më të rëndë për këtë familje e bën fakti se afër tyre nuk ka shumë shtëpi, që do të mund t’u ofronin strehim të përkohshëm.

Duke pasur parasysh këtë gjendje Skënder Blakaj e dr. Rexhep Gjergji, funksionarë të LDK-së, shtruan çështjen e ndihmës për këtë familje në një bisedë me kryetarin e Nëndegës së LDK-së në Shajkofc.

 

 10 gusht 1995

Policia maqedonase ua mori pasaportat disa studentëve të UT-së

Rektorati i Universitetit të Tetovës njofton opinionin e gjerë publik se policia maqedonase keqtrajtoi tre studentë të Universitetit të Tetovës.

Më 5 gusht policia maqedonase ndali në rrugë dhe ia mori indeksin Fation Arifit, student i Fakultetit Filologjik – Dega e anglishtes, dhe më 9 gusht, gjithashtu duke shkuar rrugës, policia ndaloi Florent Munishin dhe Jetmir Hysenin, student të Fakultetit Ekonomik, të cilëve ua mori indeksat dhe librat e lëndës “Mbrojtja dhe siguria”. Policia për marrjen e indeksave dhe të librave atyre nuk u lëshoi kurrfarë vërtetimi.

Rektorati i Universitetit të Tetovës reagon ashpër ndaj sjelljeve të këtilla arbitrare të policëve ndaj këtyre studentëve dhe mendon se ky veprim është një provokim ndaj punës në Universitetin e Tetovës.

Kërkojmë që provokimet e këtilla të mos përsëriten dhe studentëve t’u kthehen indeksat e librat që u janë marrë, thuhet në fund të reagimit të Rektoratit të Universitetit të Tetovës, të nënshkruar nga rektori prof.dr.Fadil Sylejmani, njofton gazeta “Bujku”.

 

 

10 gusht 1998

Suharekë: Nga snajperi u vra Xhemajli M. Kryeziu

Mbrëmë, rreth orës 1. 15 pas mesnate, snajpersitët serbë vranë Xhemajli Muharrem Kryeziun (35) nga Suhareka.

KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se, në momemtin kur u qëllua nga snajperët serbë, z. Kryeziu ishte në korridorin e shtëpisë së tij.

 

Katër të vrarë e shumë të plagosur në Hereç të Gjakovës

Mbrëmë dhe sot kanë vazhduar luftimet e rrepta në fshatrat anash rrugës magjistrale Gjakovë – Deçan. Përveç fshatrave të Deçanit, në këtë front të luftës janë përfshirë edhe fshati Dujakë, Plançor e sidomos luftimet më të rrepta kanë qenë në fshatin Hereç, ku janë zhvilluar luftime frontale, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Njoftohet se në këtë fshat janë vrarë Musë Bajrami (80 vjeç), Asllan Bajrami (19), Dinë Rexhepi (63) dhe Metë Dervishi (80). Po ashtu gjatë këtyre luftimeve janë plagosur dhe shumë të tjerë, por numri dhe identiteti i tyre tash për tash nuk dihet. Bëhet me dije gjithashtu se në Hereç janë djegur të gjitha shtëpitë.

Të vrarë dhe dëme në mjete luftarake ka edhe në radhët e forcave serbe.

Edhe sot nga pozicionet e forcave serbe në Kodrën e Çabratit, në Sukën e Biteshit dhe në pozicionet tjera po dëgjohen detonimet e armëve të rënda artilerike.

Ndërkohë, ndonëse vazhdojnë luftimet, ushtria serbe u dhënë ultimatum banorëve të fshatit Skivjan që t’i dorëzojnë armët ose ta lëshojnë fshatin.

Luftimet në Hereç dhe në fshatrat tjera, si dhe ultimatumet e ushtrisë dhe policisë serbe kanë ndikuar në një zhvendosje të madhe të popullatës së kësaj ane. Rreth 15. 000 banorë të këtyre fshatrave gjenden në livadhet në mes të fshatit Skivjan dhe Novosellë. Përveç psikozës së luftës, kjo popullatë, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, janë pa ushqim, pa ujë të pijshëm, pa strehim.

Situatë e rëndë është edhe në Gjakovë. Sot në paralagjen e qytetit të Gjakovës, në mes të Piskotës dhe Osekut, është duke u bërë një kontroll i rreptë i policisë serbe, të cilët po i keqtrajtojnë popullatën e ikur nga këto fshatra dhe po i pengojnë që të hyjnë në qytet. Përkundër kësaj, grupe të mëdha të banorëve deri në 50 veta po arrijnë në qytet për të gjetur strehim dhe vendosje pak më të sigurta. Por, megjithë organizimin e subjekteve politike dhe popullatës së qytetit, e cila i ka hapur dyert e shtëpive, gjendja është tepër e keqësuar. Apelohet te institucionet ndërkombëtare që të ndërmarrin masa urgjente për për të ndaluar sulmet serbe dhe për t’i dalë në ndihmë popullatës së sulmuar.

Njoftimet nga terreni bëjnë të ditur se luftimet po vazhdojnë edhe në fshatrat e brezit të ngushtë kufitar, si dhe rreth Junikut. Njësitet e UÇK-së dhe në përgjithësi rezistenca shqiptare kanë arritur t’i rikthejnë pozicionet e tyre dhe t’i shkaktojnë dëme të mëdha armikut. Kështu, mbrëmë, një helikopter i ushtrisë serbe me shenjën e Kryqit të Kuq, disa herë ka aterruar në garnizonin e ushtrisë në Gjakovë dhe supozohet se ka bartur shumë të plagosur.

Edhe në anën e Dushkajës, mbrëmë dhe sot janë dëgjuar shkrehje armësh por me një intensitet më të ulët në krahasim me ditët e kaluara.

 

Katër trupa të pajetë në morgun e Pejës

Njoftohet se në morgun e spitalit të Pejës ndodhen katër trupa të pajetë, 2 meshkuj dhe dy femra, identiteti i të cilëve nuk dihet.

Nga Peja gjithashtu njoftohet se që sot nga ora 9 ky qytet nuk ka rrymë elektrike.

 

Në Petrovë u plagosën 4 shqiptarë

Sot në orën 13:00, gjatë granatimit të fshatit Petrovë të komunës së Shtimes janë plagosur 4 persona, njëri prej tyre rëndë. Këta janë: Nexhmie Hysenaj (44), Shëndrit Hysenaj (35) nga Petrova, Bujar Beqiri (13) nga Carraleva dhe Fatmir Duga (16) nga Shtimja, të cilët ishin të strehuar në këtë fshat.

Tre të parëve ndihma e parë u është dhënë në ambulancën private “Uroplastika”, kurse Fatmiri është dërguar në spitalin e Prishtinës në gjendje kritike, njofton KI i LDK në Ferizaj.

Continue Reading

Vendi

Gruda i përgjigjet Konjufcës: Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor është për përfundimin e konstituimit, jo vetëm për nisjen e tij

Published

on

By

Pas deklaratave të ministrit në detyrë Glauk Konjufca lidhur me ecurinë e seancës konstituive, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e cilësuar të qartë vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe duke kundërshtuar pretendimet për kërkimin e interpretimeve të reja.

Përmes një reagimi publik, deputeti i PDK-së i ka rikujtuar Konjufcës se Gjykata Kushtetuese shërben për interpretimin e vetë Kushtetutës dhe jo për interpretimin e aktgjykimeve të saj ekzistuese.

“Glauk Konjufca, në Gjykatën Kushtetuese shkohet për të interpretuar Kushtetutën, jo për të interpretuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të ishte të kërkoje interpretim mbi interpretimin”, shkruna Gruda.

Në reagim përmendet konkretisht Aktgjykimi KO124/25, ku sipas deputetit opozitar, Gjykata e ka përcaktuar qartë se afati prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve është i prerë për përmbylljen e procesit.

“Gjykata, në Aktgjykimin KO124/25, e ka përcaktuar qartë se brenda 30 ditëve nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin, e jo vetëm ta fillojë atë, siç po pretendon ti”, thuhet tutje nër reagimin e deputetit Gruda.

Për të fuqizuar qëndrimin, ai ka cituar edhe paragrafin 140 të këtij aktgjykimi:

Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat (…) është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi.”

Reagimi përmbyll duke ngritur pyetjen mbi nevojën e dërgimit të sërishëm të çështjes në Kushtetuese, kur sipas tij vendimi është plotësisht i qartë.

“Pra, kjo çështje është interpretuar një herë nga Gjykata Kushtetuese dhe është interpretuar qartë. Çfarë po kërkon të dërgojmë edhe një herë në Gjykatë? Që Gjykata ta interpretojë interpretimin e vet?”, sipas Grudes.

 

Continue Reading

Vendi

Konjufca: Konstituimi i Kuvendit mund të zgjasë, nuk po shkelet Kushtetuta e as situata s’është dramatike

Published

on

By

Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka deklaruar se procesi i konstituimit të Kuvendit nuk po zhvillohet në kundërshtim me Kushtetutën, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës dhe duke theksuar se situata nuk është “dramatike”.

Sipas tij, konstituimi i Kuvendit mund të zgjasë më shumë se një ditë, ndërsa lidhur me interpretimet për afatin e seancës konstituive, ai vuri në pah mendimet e ndryshme të ekspertëve.

“Ne nuk mendojmë që është shkelur Kushtetuta. Për shkak të këtyre momenteve dhe proceseve, prej zgjedhjeve të shkurtit ka qenë duke u interpretuar. I patëm disa momente edhe vitin e kaluar kur ishin të paqarta. Diskutimi ka të bëjë me ditën e mbajtjes së seancës dhe a e përbën një entitet të vetëm dhe a duhet të përfundojë brenda 24 orëve mbajtja e seancës apo jo. Sipas disa ekspertëve, të cilët kanë interpretime të ndryshme, mund të zgjasë edhe më shumë se 24 orë. Kështu është duke ndodhur edhe tash, po zgjat më shumë se një ditë. Nuk është dramatike qysh po e interpreton opozita, është pjesë e formësimit të mëtejshëm kushtetues të vendit tonë. Kur do të thirret seanca, nuk mund ta caktoj unë”, u shpreh Konjufca para gazetarëve.

Më tej, Konjufca foli edhe për përpjekjet për dialog politik ndërmjet subjekteve parlamentare, duke konfirmuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do t’u drejtohet sërish partive opozitare si PDK, LDK dhe AAK për të gjetur një rrugëdalje.

“Unë mendoj që konstituimi mund të zgjasë më shumë se një ditë. Kurti do t’u drejtohet sërish, kurrë nuk do të lodhemi nga dialogu politik, do të vazhdojnë përpjekjet edhe PDK-ja, edhe LDK-ja e Aleanca. Çdo dëm që ju po e konsideroni është më i vogël se ajo çka pamë në seancë, dhuna ndaj kryeministrit dhe ndaj deputetëve tanë. A thonit keq edhe atëherë? Nëse është keq, është keq edhe kësaj radhe. Është më pak dëm sesa të shkohet në zgjedhje të reja, të dy këto dëme janë më të mëdha. Nuk është duke u shkelur Kushtetuta”, tha Konjufca. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Dehari: Pa marrëveshje politike shkojmë në zgjedhje të reja, ka deputetë që duan incidente

Published

on

By

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, njëherësh kryesues i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar lidhur me bllokadën dhe gjendjen aktuale politike në vend, duke bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike ndërmjet subjekteve parlamentare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dehari ka ngritur shqetësimin se një pjesë e opozitës po shmang me qëllim marrëveshjen për t’i çuar proceset drejt përplasjeve.

“Ka jo pak deputetë opozitarë që nuk duan kurrfarë marrëveshje politike për konstituim të institucioneve, dhe që duan incidente fizike në seancën konstituive”, shkruan Dehari në postimin e tij.

Kryesuesi i seancës ka nëvizuar se dështimi për të gjetur gjuhë të përbashkët do ta çojë vendin drejt një procesi të panevojshëm zgjedhor, çka sipas tij bie ndesh me interesin e qytetarëve dhe kërkesat kushtetuese.

“Pa marrëveshje politike pashmangshëm shkojmë në zgjedhje të reja, të përsëritura, të panevojshme, të dëmshme. Duhet të arrihet marrëveshja politike. Këtë e kërkon Kushtetuta e Republikës dhe Gjykata Kushtetuese, këtë e pret populli i Kosovës dhe e ardhmja jonë.”

Deklarata e Deharit vjen në një kohë kur konstituimi i plotë i Kuvendit ende nuk ka ndodhur dhe ka kaluar afatin kushtetues, gjë që ka lënë peng formimin  e institucioneve të reja.

Në këtë reagim nuk Dehari nuk ka dhënë sinjal se kur do të jetë seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /E.A /

Continue Reading

Të kërkuara