Lajmet

Shefja e UNEP-it: Traktati për plastikën do të ishte historik për planetin!

“Ky është një moment i madh, një për librat e historisë”, tha ajo.

Published

on

Bota ka një mundësi të rrallë për të pastruar planetin për brezat e ardhshëm duke u bashkuar pas një traktati ambicioz për të trajtuar mbeturinat plastike, tha për AFP-në shefja e mjedisit e OKB-së, përcjell UBT News.

Inger Andersen tha se një traktat global që po negociohet në Nairobi “mban potencialin dhe premtimin për të qenë përparimi më i madh mjedisor shumëpalësh” që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Parisit për klimën në 2015.

“Ky është një moment i madh, një për librat e historisë”, i tha AFP-së drejtoresha ekzekutive e Programit të Mjedisit të OKB-së (UNEP) në një intervistë.

Korniza për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme të plastikës është ende duke u hartuar përpara një samiti mjedisor të OKB-së që fillon të hënën në Nairobi, ku edhe ka selinë UNEP.

Ka propozime konkurruese që po shqyrtohen, por më shumë se 50 vende kanë mbështetur thirrjet për një traktat që përfshin kontrolle të reja të ashpra mbi plastikën.

Kjo mund të përfshijë kufizime në prodhimin e plastikës së re, ose heqjen graduale të produkteve me përdorim të vetëm që mbytin oqeanet dhe jetën detare dhe duhet shekuj për t’u prishur.

Delegatët që takohen në Nairobi pritet të bien dakord mbi modelin e gjerë të një traktati dhe të krijojnë një komitet negociues për të finalizuar kushtet, një proces që do të zgjasë të paktën dy vjet.

Andersen tha se ishte shumë herët për të spekuluar rreth detajeve specifike të traktatit, por theksoi se ishte “e pashpresë” të përpiqesh të frenosh mbeturinat plastike pa iu drejtuar burimit.

Rreth 400 milion ton plastikë të re prodhohen çdo vit – një shifër që pritet të dyfishohet deri në vitin 2040, transmeton UBT News.

Më pak se 10 për qind e plastikës riciklohet, pjesa tjetër digjet ose hidhet në tokë ku shpesh përfundon në lumenj dhe derdhet në det më pas lëviz nëpër botë.

Pjesët e mëdha të plastikës janë të rrezikshme për gjitarët dhe krijesat e detit – por edhe kur substanca zbërthehet nga veprimi i detit në mikro-grimca, edhe kjo përthithet nga organizmat e vegjël dhe kalon në zinxhirin ushqimor te peshqit e që më vonë hahen nga njerëzit.

“Nëse vazhdoni të ndotni këtu dhe të pastroni atje, kjo është një punë e përjetshme”, tha Andersen.

Shumë vende, duke përfshirë prodhuesit kryesorë të plastikës si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, kanë shprehur mbështetje të përgjithshme për një traktat, por nuk kanë miratuar publikisht ndonjë masë specifike.

Dhjetra korporata të mëdha, duke përfshirë Coca Cola dhe Unilever, kanë bërë thirrje për një traktat global, siç kanë bërë disa nga prodhuesit më të mëdhenj të plastikës në botë.

Por grupet mjedisore kanë paralajmëruar se gjigantët e plastikës po i rezistonin përpjekjeve për të kufizuar prodhimin dhe do të përpiqeshin të drejtonin bisedimet në Nairobi drejt ripërdorimit dhe riciklimit të mbetjeve.

Andersen tha se ajo ishte e inkurajuar nga angazhimet e industrisë – por përpjekjet vullnetare nuk kishin arritur të trajtonin krizën.

Plastika tashmë është aq e përhapur saqë është gjetur brenda peshqve në skutat më të thella të oqeanit, nëpër akullin e detit Arktik dhe në ajrin që ne thithim.

“Ne duhet të kuptojmë se plastika është pjesë e jetës sonë – ne e përdorim atë në ndërtim, në mjekësi, në vende ku kemi nevojë. Por ne e përdorim atë edhe në vende ku nuk kemi nevojë”, tha ajo.

Protokollet e kaluara globale kishin hequr gradualisht merkurin dhe substancat që shkatërronin ozonin, dikur të zakonshme në mallrat shtëpiake, duke treguar se ishte e mundur të arrihet konsensus përtej kufijve dhe të nxiste ndryshime në mbarë ekonominë.

Tashmë sasia e plastikës që hyn në rrugët ujore të botës pritet të trefishohet deri në vitin 2040 nëse nuk ndërmerren veprime drastike.

“Ne nuk kemi dhjetë vjet për ta bërë këtë, ne duhet ta bëjmë atë, dhe shpejt”, tha Andersen.

Një propozim traktati nga Ruanda dhe Peruja ka tërhequr mbështetjen më të madhe përpara samitit të OKB-së, me 27 anëtarë të Bashkimit Evropian midis dhjetëra bashkë-sponsorizuesve.

Teksti është ende duke u negociuar, si dhe dy projekt-rezoluta të tjera të traktatit./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Ryan Gosling bëhet pjesë e Marvel, do të luajë Ghost Rider në filmin e ri të MCU-së

Published

on

Aktori Ryan Gosling do t’i bashkohet Universit Kinematografik të Marvelit (MCU), ku do të interpretojë personazhin kryesor në filmin e ri “Ghost Rider”.

Lajmi u bë i ditur gjatë një prezantimi surprizë në festivalin San Diego Comic-Con, ku Gosling tha se është një rol që “ka dashur ta luajë për një kohë të gjatë”.

Filmi i ri pritet të publikohet në vitin 2028 dhe do të jetë projekti i tretë kinematografik për anti-heroin me motor. Ai vjen pas filmave “Ghost Rider” të vitit 2007 dhe “Ghost Rider: Spirit of Vengeance” të vitit 2011, ku rolin kryesor e kishte luajtur Nicolas Cage.

Regjinë e filmit do ta bëjë Shawn Levy, i cili më herët ka drejtuar edhe “Deadpool & Wolverine”. Gosling e ka cilësuar Levy si “regjisorin e vetëm” për këtë projekt.

Personazhi i Ghost Rider lidhet me Johnny Blaze, një marifetist me motor i cili fiton fuqi mbinatyrore pasi lidhet me shpirtin e hakmarrjes Zarathos.

Ndërkohë, në të njëjtin event, Marvel zbuloi edhe detaje të reja për projekte të tjera, përfshirë filmin “Avengers: Doomsday” dhe konfirmimin se “Black Panther 3” do të publikohet në vitin 2028. Ryan Reynolds gjithashtu bëri një paraqitje surprizë si Deadpool gjatë panelit të Marvelit./BBC/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Posta e Kosovës përkujton Adem Demaçin me pullë postare kushtuar jetës dhe veprës së tij

Published

on

Filatelia e Postës së Kosovës ka nderuar figurën emblematike të historisë së Kosovës, Adem Demaçin, përmes një pulle postare të veçantë kushtuar jetës, veprës dhe idealit të tij.

Në njoftimin e saj, Filatelia e Postës së Kosovës ka bërë të ditur se kjo pullë simbolizon kontributin e Demaçit për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin kombëtar.

Adem Demaçi, i lindur më 26 shkurt të vitit 1936 në Prishtinë, ndërroi jetë më 26 korrik 2018. Ai u bë një nga figurat më të njohura të rezistencës politike shqiptare në Kosovë, duke kaluar 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë për shkak të veprimtarisë së tij.

Për qëndresën dhe angazhimin e tij, Demaçi është cilësuar edhe si “Nelson Mandela i Evropës”, ndërsa në vitin 1991 u nderua me Çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian.

Gjatë viteve 1998-1999, ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa më herët dhe më vonë mbajti edhe role të rëndësishme në jetën publike dhe kulturore të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zjarret në Francë e Spanjë, evakuohen mbi 375 mijë persona

Published

on

Autoritetet në Francë po luftojnë për të vënë nën kontroll një zjarr të madh pyjor pranë Bordosë, ndërsa parashikimet për një valë tjetër të nxehti po kërcënojnë ta përkeqësojnë krizën. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka paralajmëruar se Spanja dhe Gadishulli Iberik po i vuajnë pasojat e krizës klimatike, raporton The Guardian.

Era e fortë të shtunën në mbrëmje ka penguar përpjekjet për shuarjen e zjarrit në rajonin Gironde, në jugperëndim të Francës. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe katër herë më të madhe se Parisi dhe ka detyruar afro 220,000 njerëz të evakuohen.

Në Spanjë, zjarret në perëndim të Madridit po viheshin gradualisht nën kontroll, por Sanchez të dielën ka thënëë se vendi po kalonte “orë të vështira”.

Parashikuesit e motit kanë thënë se një valë tjetër e të nxehtit mund të godasë Francën duke filluar nga e marta, me temperatura që në disa zona mund të arrijnë deri në 40°C.

Zjarret pyjore kanë detyruar rreth 375,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në Francë dhe Spanjë. Në Francë, gati 260,000 persona janë detyruar të evakuohen, ndërsa në Spanjën fqinje 116,000 njerëz janë evakuuar vetëm gjatë javës që shkoi. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Reshjet e dendura vërshojnë urën te Parku i Qytetit në Prizren

Published

on

Reshjet e dendura të shiut që përfshinë pasditen e së hënës në qytetin e Prizrenit kanë shkaktuar vërshime në disa zona, ndërsa ura pranë Parkut të Qytetit është mbuluar nga uji, duke vështirësuar qarkullimin.

Si pasojë e intensitetit të reshjeve, niveli i ujit është rritur ndjeshëm, duke përfshirë urën dhe zonën përreth, ndërsa qytetarët janë këshilluar të shmangin kalimin nëpër këtë pjesë derisa situata të normalizohet.

Pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes tregojnë se uji ka dalë mbi sipërfaqen e urës, duke krijuar vështirësi për këmbësorët dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Autoritetet pritet të vlerësojnë situatën dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe rikthimin e qarkullimit normal në këtë zonë.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e vërshuara dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në përmirësimin e kushteve atmosferike./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara