Lajmet

Shefi i Pentagonit konfirmon se Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë në Rusi

Published

on

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se ka dëshmi që Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë në Rusi, teksa shefi i spiunazhit në Korenë e Jugut u tha ligjvënësve se 3.000 trupa koreanoveriore janë në Rusi dhe po trajnohen se si të operojnë me dronë dhe pajisje të tjera, para se të dislokohen në fushëbetejat në Ukrainë.

“Çfarë po bëjnë ata saktësisht? Mbetet të shihet. Ka gjëra të cilat ne duhet t’i qartësojmë”, tha Austin për gazetarët më 23 tetor.

Nëse ushtarët i bashkohen luftës në Ukrainë, duke luftuar në anën e Rusisë, kjo do të jetë “një problem shumë, shumë serioz”, tha Austin, duke shtuar se një zhvillim i tillë do të kishte ndikim në Evropë dhe në rajonin e Indo-Paqësorit.

Fillimisht, javën e kaluar inteligjenca e Seulit tha se marina ruse kishte pranuar 1.500 pjesëtarë të forcave speciale të Koresë së Veriut, ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më herët kishte thënë se Qeveria e tij kishte informacione se 10.000 ushtarë të Koresë së Veriut po përgatiten që t’iu bashkohen forcave pushtuese ruse.

Paraprakisht, SHBA-ja dhe NATO-ja nuk kishin konfirmuar raportimet për dislokimin e ushtarëve të Koresë së Veriut, por kishin paralajmëruar se një dislokim i tillë do të ishte një zhvillim i rrezikshëm.

Rusia dhe Koreja e Veriut deri më tani kanë mohuar se ka pasur dislokim të ushtarëve të Phenianit.

Shefi i shërbimit të inteligjencës së Koresë së Jugut, Cho Tae-yong, u tha ligjvënësve se edhe 1.500 trupa të tjerë të Koresë së Veriut kanë shkuar në Rusi, tha ligjvënësi Park Sunwon, i cili mori pjesë në këtë takim të zhvilluar prapa dyerve të mbyllura.

Cho u tha ligjvënësve se agjencia që ai udhëheq vlerëson se Koreja e Veriut synon të dislokojë në total 10.000 trupa në Rusi deri në muajin dhjetor, u tha Park gazetarëve.

Sipas ligjvënësit Park, Cho tha se 3.000 ushtarë të Koresë së Veriut që janë dërguar në Rusi janë ndarë në disa baza ushtarake dhe janë duke u trajnuar. Cho tha se beson që ushtarët e Koresë së Veriut ende nuk janë dislokuar në fushëbeteja.

Koreja e Veriut dhe Rusia së fundi kanë thelluar bashkëpunimin e tyre ushtarak, teksa më herët gjatë këtij viti dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje në fushën e mbrojtjes.

Vendi

Policia e Ferizajt me aksion të shtuar: 1.511 gjoba të shqiptuara në shtatë ditë

Published

on

Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve.

Gjatë periudhës nga 6 deri më 12 korrik 2026, policia ka shqiptuar gjithsej 1.511 gjoba kundërvajtëse, ndërsa ka pezulluar 43 patentë shoferë për drejtuesit e automjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në komunikacion.

Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 42 aksidente, prej të cilave 23 kanë qenë me lëndime trupore, ku janë lënduar 31 persona, ndërsa 19 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle dhe aktivitete të shtuara me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Njëkohësisht, policia u ka bërë apel të gjithë shoferëve që të respektojnë rregullat e trafikut, të tregojnë kujdes gjatë vozitjes dhe të bashkëpunojnë me autoritetet duke raportuar çdo kundërvajtje përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose numrit kujdestar 192./A.K/

Continue Reading

Vendi

Pjesëtarët e FSK-së përfundojnë trajnimin e avancuar të zhytjes në Shqipëri

Published

on

By

Pjesëtarët e Gardës Kombëtare të FSK-së kanë përfunduar me sukses trajnimin e specializuar “Zhytje Rifreskuese” në Qendrën Kombëtare të Polumbarëve në Pashaliman të Vlorës.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë bilateral ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Trajnimi intensiv kishte për qëllim avancimin e teknikave moderne të zhytjes, rritjen e sigurisë nënujore, menaxhimin e operacioneve të ndërlikuara dhe kontrollin e lundrueshmërisë.

Përmes këtij programi, pjesëtarët e FSK-së kanë forcuar ndjeshëm kapacitetet e tyre profesionale për misione kritike të kërkim-shpëtimit dhe operacione të specializuara nënujore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shkup: 31-vjeçari dyshohet se vrau babanë me thikë pas një përleshjeje familjare

Published

on

Një 31-vjeçar nga Shkupi është arrestuar, pasi dyshohet se ka vrarë me thikë babanë e tij pas një konflikti familjar në shtëpinë e tyre.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:30, në një banesë familjare në zonën e Bit Pazarit në Shkup.

Sipas raportimeve fillestare, 52-vjeçari E.L., i cili dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 54-vjeçare. Gjatë konfliktit, djali i tyre 31-vjeçar, B.Xh., dyshohet se e ka goditur me thikë babanë, duke i shkaktuar plagë fatale.

Policia ka arrestuar të dyshuarin rreth orës 23:00, ndërsa gruaja e lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naum i Ohrit”.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi i viktimës është dërguar për autopsi, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar./A.K/

Continue Reading

lajme

Fakulteti Juridik i UBT-së përmbyll Akademinë Verore me diskutime mbi të drejtën dhe Inteligjencën Artificiale

Published

on

By

Pas një jave intensive me ligjërata, diskutime akademike dhe aktivitete profesionale të udhëhequra nga profesorë dhe ekspertë të fushës, Akademia Verore e Fakultetit Juridik në UBT u përmbyll me një vizitë studimore në kompaninë mediale Infokus.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të zhvillojnë një bashkëbisedim me gazetaret Era Berisha, Hateme Smajli dhe Arjeta Osmani, ku u diskutua mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në gazetari dhe media. Diskutimi u fokusua në mundësitë që Inteligjenca Artificiale ofron për punën e gazetarëve, por edhe në sfidat që ajo sjell për profesionin. Tematika si përgjegjësia profesionale e gazetarëve, paditë SLAPP, përdorimi i përmbajtjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe ndikimi i tyre në informimin e publikut u trajtuan në një debat të hapur, interaktiv dhe mjaft frytdhënës.

Një ditë më parë, pjesëmarrësit e Akademisë Verore ndoqën dy ligjërata me tema aktuale dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimet juridike bashkëkohore. Prof. Jorida Xhafaj ligjëroi mbi temën “Inteligjenca Artificiale, etika dhe privatësia: A mund ta ndjekë ligji zhvillimin e Inteligjencës Artificiale?”, ndërsa Prof. Elton Tota trajtoi temën “Inteligjenca Artificiale: Ndikimi në vendimmarrje, demokraci dhe lidership”.

Përmes këtij programi, Akademia Verore e Fakultetit Juridik u ofroi studentëve një platformë të vlefshme për të thelluar njohuritë mbi sfidat juridike, etike dhe shoqërore që shoqërojnë zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe bashkëbisedimeve me akademikë e profesionistë të fushës, pjesëmarrësit patën mundësinë të lidhin teorinë me praktikën dhe të zhvillojnë një perspektivë më të gjerë mbi çështjet bashkëkohore të së drejtës dhe teknologjisë.

Continue Reading

Të kërkuara