Lajmet

​Shefi i NATO-s kërkon kosto për Kinën për shkak të mbështetjes së Rusisë

Published

on

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kina po i ofronte Rusisë teknologji që po zgjat pushtimin rus të Ukrainës dhe i bëri thirrje Pekinit të përballet me pasojat e kësaj mbështetjeje.

“Pekini nuk mund të ketë të dyja anët. Në një moment – dhe nëse Kina nuk ndryshon kursin – aleatët duhet të imponojnë një kosto. Duhet të ketë pasoja”, tha Stoltenberg më 17 qershor në Qendrën Wilson në Uashington.

Stoltenberg tha se në dy vitet e fundit 90 për qind e mikroelektronikës ruse e kishte origjinën në Kinë dhe se ky vend po punon për të përmirësuar aftësitë satelitore ruse.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha gjithashtu se Kina po vazhdon t’i sigurojë Rusisë komponentë për pajisjet ushtarake dhe sistemet e armëve.

Duke folur në një konferencë më 17 qershor, ai tha se mikroelektronika kishte ndihmuar “të forcohej…ajo që do të kishte qenë një bazë industriale e mbrojtjes ruse me të vërtetë e shkatërruar”.

Kirby shtoi se Shtetet e Bashkuara e kishin ngritur këtë çështje me Kinën.

Rusia gjithashtu ka ndërtuar marrëdhënie me Korenë e Veriut.

Presidenti rus, Vladimir Putin do ta vizitojë Korenë e Veriut këtë javë, për herë të parë që 24 vjet.

Një udhëtim i tillë i rrallë do të zhvillohet teksa Moska rrit partneritetin me këtë shtet që ka armë bërthamore.

Lideri verikorean, Kim Jong Un i pati bërë ftesë Putinit për vizitë, gjatë udhëtimit që ai e ka pasur në Lindje të Largët të Rusisë, në shtator të vitit të kaluar.

Marrëdhëniet e thelluara janë një shqetësim për Shtetet e Bashkuara, tha Kirby.

“Ne e dimë se raketat balistike të Koresë së Veriut po përdoren për të goditur objektivat ukrainase”, tha ai.

Si Pheniani ashtu edhe Moska kanë mohuar akuzat për transferimin e armëve të Koresë së Veriut, të cilat do të ishin në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sekretari i Përgjithshëm tha se lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë “tema më urgjente” për diskutim në samitin e NATO-s që do të mbahet nga 9 deri më 11 korrik, së bashku me shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s.

Megjithëse Ukraina nuk do të bëhet anëtare e aleancës në samitin e Uashingtonit, Stoltenberg tha se NATO do të “ndërtojë një urë” për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës.

“Ne po ndihmojmë që forcat e armatosura të Ukrainës të jenë gjithnjë e më shumë të ndërveprueshme me NATO-n, të përmbushin standardet e NATO-s”, tha Stoltenberg.

“Ideja është t’i afrojmë ata aq afër anëtarësimit, saqë kur të arrijmë një konsensus, t’i bëjmë ata anëtarë menjëherë”.

Ukraina po përballet me pushtimin rus që prej shkurtit të vitit 2022./REL/

Vendi

Shpend Ahmeti dënohet me dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, lidhur me akuzat për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Leon Perllaska. Sipas vendimit, dënimi me burgim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë, ndërsa gjoba financiare duhet të shlyhet brenda një afati prej tre muajsh nga plotfuqishmëria e tij.

Përveç dënimit kryesor, Ahmeti është obliguar të mbulojë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore prej 100 eurosh për paushallin gjyqësor, si dhe 100 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Nga ana tjetër, trupi gjykues ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar, e cila kapte vlerën e 172 mijë e 600 eurove. /E.A/

Continue Reading

Botë

Merz riorganizon kabinetin para zgjedhjeve rajonale në Gjermani

Published

on

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka njoftuar një riorganizim të madh të kabinetit qeveritar, përpara një serie zgjedhjesh të rëndësishme rajonale në Gjermani.

Ky veprim vjen në një kohë kur qeveria e tij po përballet me rënie të mbështetjes në sondazhe dhe rritje të përkrahjes për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve në Berlin, Saksoni-Anhalt dhe Mecklenburg-Vorpommern.

Sipas ndryshimeve të paralajmëruara, Carsten Linnemann do të marrë detyrën e ministrit të Shëndetësisë, duke zëvendësuar Nina Warken, e cila do të emërohet shefe e Kancelarisë në vend të Thorsten Frei.

Ndërkohë, Frei ishte emëruar si kreu i ardhshëm i grupit parlamentar të Unionit pas dorëheqjes së Jens Spahn, i cili u përfshi në polemika pasi ai dhe bashkëshorti i tij u bënë prindër përmes një nëne zëvendësuese në Shtetet e Bashkuara, praktikë që është e ndaluar në Gjermani.

Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, ministri i Transportit, Patrick Schnieder, pritet gjithashtu të largohet nga detyra, ndërsa deputeti Fritz Güntzler po konsiderohet si pasardhësi i tij.

Merz pritet të paraqesë detaje të tjera mbi riorganizimin e kabinetit gjatë ditës së nesërme, ndërsa nuk përjashtohen edhe ndryshime të tjera në përbërjen e qeverisë./A.K/

Continue Reading

Vendi

Më 6 gusht seanca e konstituimit të Kuvendit

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar 6 gushtin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Vendimi vjen pasi Haxhiu kishte deklaruar se seanca do të mbahej në javën e parë të muajit gusht, duke theksuar se ishte e rëndësishme t’u jepej kohë partive politike për të zhvilluar bisedime për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

Me konstituimin e Kuvendit nis edhe afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Accident tragjik në Vragoli: Humb jetën këmbësori, lëndohen dy të tjerë

Published

on

By

Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, përkatësisht në fshatin Vragoli.

Siç raporton Ekonomia Online, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, kur një veturë ka goditur për morto një këmbësor.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti, e cila bëri të ditur se në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë relevante dhe ekipe mjekësore, të cilat kanë konfirmuar vdekjen e viktimës.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime po ashtu kanë marrë i dyshuari, vozitësi i veturës, si dhe një pasagjer”, ka deklaruar Mehmeti.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërkohë, njësitet policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara