Lajmet

SHBA: Rusia ka financuar parti politike në dhjetëra vende, përfshirë Shqipërinë

Ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan.

Published

on

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazmë”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera, sipas deklararimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.

Në deklarimet e firmës Muzin për Departamentin e Drejtësisë thuhet se pagesa ishte bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.

Autoritet shqiptare hapën hetime lidhur me këto pagesa, duke thënë se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke iu shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Më pas prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentesh ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë shpjegime të ndryshme për pagesën 500 mijë dollarëshe, duke u shprehur në fillim se ajo u dha nga shqiptaro-amerikanët, por më pas është shprehur se “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnja dhe Mali i Zi, respektivisht për financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorak Dodik për zgjedhjet e vitit 2018 dhe fonde për partinë pro-ruse Fronti Demokratik.

Zyrtari amerikak tha për median se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me aleatë dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për rrezikun e financimit rus për partitë politike.

“Ajo që është më tronditëse për këtë studim është se shohim praninë e financimit të fshehtë rus në mbarë botën… Po i paralajmërojmë këto parti të huaja dhe kandidatë se nëse pranojnë fshehurazi paratë e Rusisë. Ne kemi mundësinë t’i ekspozojmë, dhe do t’i ekspozojmë”, shtoi ai./VOA/

Lajmet

MINT dënon KEDS-in edhe me 25 mijë euro gjobë për njehsorët elektrikë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon aksionin për mbikëqyrjen dhe verifikimin e njehsorëve elektrikë në territorin e Kosovës.

Gjatë kontrolleve të realizuara së fundmi, inspektorët kanë identifikuar pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për shkak të kësaj shkeljeje, ndaj operatorit ekonomik KEDS është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 25 mijë eurosh.

MINT dhe AMK kanë bërë të ditur se verifikimet e matësve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të rrymës, mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe respektimit të ligjit.

“Institucionet përgjegjëse mbeten të përkushtuara për të siguruar që çdo njehsor elektrik në përdorim të jetë i verifikuar dhe në përputhje me kërkesat ligjore, duke garantuar transparencë dhe besueshmëri në procesin e matjes”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë dyshime apo dëshmi lidhur me funksionimin e njehsorëve të tyre elektrikë, t’i adresojnë ankesat përmes numrit të telefonit +383 46 311 000 (në Viber) ose në adresën elektronike: [email protected]. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Rutte në Shtëpinë e Bardhë: Takim me Trumpin për të zbutur tensionet

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë këtë të mërkurë një takim me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Ky takim vjen si një përpjekje për të ulur tensionet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë, përpara samitit të rëndësishëm të aleancës që do të mbahet në korrik.

Marrëdhëniet mes administratës Trump dhe vendeve evropiane janë përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit, veçanërisht pas mospajtimeve të thella lidhur me luftën në Iran dhe kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së që aleatët të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtje.

Sipas burimeve të “Euronews”, Rutte do të paraqesë të dhëna që dëshmojnë një rritje rekord të investimeve ushtarake nga vendet anëtare. Ai pritet të argumentojë se presioni i ushtruar nga vetë Trump ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë rritje financiare, duke theksuar se shpenzimet e përgjithshme të aleancës kanë prekur shifrën prej një trilion dollarësh. Po ashtu, Rutte do të vërë në dukje se rritja e prodhimit ushtarak ka hapur vende të reja pune edhe në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, pakënaqësia e administratës amerikane tashmë është reflektuar në hapa konkretë. Pentagoni ka njoftuar një sërë masash që reduktojnë pjesëmarrjen afatgjatë të SHBA-së në aleancë.

Pas kritikave të hapura të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, ndaj strategjisë ushtarake amerikano-izraelite në Iran, Presidenti Trump njoftoi menjëherë tërheqjen e pesë mijë trupave amerikane nga territori gjerman.

Samiti i ardhshëm i NATO-s, i cili është planifikuar të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë, pritet të fokusohet kryesisht në sigurinë evropiane dhe atë arktike, si dhe në zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit ushtarak. /Euronews/ /E.A/

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Madonna: Filmi biografik për jetën time u anulua për shkak të mosmarrëveshjeve për buxhetin

Published

on

Këngëtarja e njohur amerikane Madonna ka zbuluar se filmi biografik për jetën e saj u anulua pas mosmarrëveshjeve me studion Universal Pictures lidhur me buxhetin e projektit.

Në një intervistë për revistën Interview, artistja tha se historia e jetës së saj kërkonte një prodhim të madh dhe, rrjedhimisht, një buxhet të konsiderueshëm.

Madonna tregoi se kishte propozuar zhvendosjen e xhirimeve në Serbi për të ulur kostot, por ideja nuk u mbështet nga studioja. Sipas saj, drejtuesit e projektit nuk ishin të bindur se ajo do të qëndronte atje për realizimin e filmit.

Projekti u njoftua fillimisht në vitin 2020, me Madonnën në rolin e regjisores. Aktorja Julia Garner ishte përzgjedhur për të interpretuar këngëtaren pas një procesi të gjatë audicionesh.

Megjithatë, në vitin 2023 u raportua se filmi, i cili mbante titullin e përkohshëm “Who’s That Girl”, ishte anuluar.

Madonna zbuloi gjithashtu se kishte shqyrtuar mundësinë e realizimit të historisë së saj si serial për Netflix, por hasi në pengesa ligjore pasi të drejtat e skenarit mbetën në pronësi të Universal Pictures.

Artistja tha se zhvillimi i një seriali rezultoi më i ndërlikuar sesa kishte parashikuar, duke kërkuar bashkëpunim me skenaristë të shumtë dhe gjetjen e ekipit të duhur krijues për ta çuar projektin përpara./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hapet ekspozita e Hazir Rekës kushtuar rezistencës së minatorëve të Kosovës

Published

on

Është hapur ekspozita e fotografit të njohur Hazir Reka, e cila sjell në vëmendje një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, vitet 1988–1989 dhe rezistencën e minatorëve të Trepçës.

Në këtë ngjarje morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja e Kulturës Saranda Bogujevci, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit kulturor.

Fotografitë e ekspozuara dokumentojnë protestat dhe grevat e minatorëve, veçanërisht grevën historike në Stantërg të Trepçës, duke dëshmuar për përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë, dinjitetit dhe barazisë.

Sipas organizatorëve, fotografitë nuk paraqesin vetëm momente historike, por edhe kujtesë të gjallë të sakrificës dhe qëndresës qytetare.

Përmes objektivit të tij, Hazir Reka ka krijuar një arkiv të rëndësishëm të kujtesës kolektive, duke ruajtur dëshmi të vlefshme të rrugëtimit historik të Kosovës.

Ekspozita është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara