Lajmet

SHBA “nuk është e përgatitur” për zonën e ndalim-fluturimit” në Ukrainë

“Vendosja e forcave të NATO-s në kontakt potencial me Rusinë do ta çonte konfliktin në nivel krejt tjetër”.

Published

on

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë të premten se pavarësisht thirrjeve nga Kievi, Uashingtoni nuk është i përgatitur për të mbështetur zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, pasi konflikti do të përshkallëzonte me Rusinë “në nivel krejt tjetër”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për zonë të ndalim-fluturimit disa herë, prej kur Moska ka nisur pushtimin e paprovokuar më 24 shkurt, dhe ka përsëritur këtë thirrje më 4 mars, pasi Rusia ka sulmuar centralin më të madh bërthamor në Evropë, i cili gjendet në jug të Ukrainës.

Mirëpo Price ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga Brukseli se, ndonëse Perëndimi është duke bërë çka ka mundësi për të mbrojtur Ukrainën “vendosja e forcave të NATO-s në kontakt potencial apo konflikt me Rusinë do ta çonte konfliktin në nivel krejt tjetër”.

“Kjo nuk është diçka për të cilën është e përgatitur SHBA-ja”, ka thënë ai.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se vendet anëtare të aleancës janë pajtuar që asnjë aeroplan i tyre nuk duhet të fluturojë mbi hapësirën ajrore të Ukrainës dhe se trupat e tyre nuk duhet të jenë të pranishme në Ukrainë gjatë sulmit rus në këtë shtet, pavarësisht thirrjeve të Kievit për të zbatuar masën e ndalim-fluturimit.

Duke folur nga Brukseli më 4 mars, pas takimit me ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Stoltemberg i ka bërë thirrje sërish presidentit rus, Vladimir Putin që të ndalë luftën e paprovokuar kundër Ukrainës, “menjëherë dhe pa kushte”.

Stoltenberg e ka pranuar se Rusia ka mundësi të rrisë sulmet në Ukrainë, dhe se ditët në vijim “mund të jenë më të këqija”.

Price ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të vazhdojnë të rrin sanksionet kundër Moskës për veprimet e saj agresive, duke paralajmëruar se “nëse presidenti rus, Vladimir Putin vazhdon të përshkallëzojë situatën, ne do të përshkallëzojmë përgjigjen tonë”.

Ai ka thënë se Perëndimi duhet të mbajë të hapur rrugën diplomatike, ndonëse diplomacia “duket se nuk do të triumfojë në këto kushte kur Rusia vazhdon të lëshojë raketa dhe kur forcat e saj avancojnë”.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Continue Reading

Lajmet

Juventusit i rritet vlera, pas ofertës mbi 1 miliardëshe të “Tetherit”

Published

on

Juventus pa vlerën e tij në bursë të rritej ndjeshëm të hënën në mëngjes, si pasojë e ofertës prej 1.1 miliardë eurosh nga “Tether” për të marrë kontrollin e klubit nga familja Agnelli.

Të premten në mbrëmje, “Tether” njoftoi se kishte dorëzuar zyrtarisht një ofertë me vlerë rreth 1.1 miliardë euro për të blerë 65.4% të aksioneve të klubit, të cilat aktualisht zotërohen nga “Exor”, kompania holding në pronësi dhe nën menaxhimin e familjes Agnelli.

“Tether”, që tashmë zotëron pak më shumë se 10% të aksioneve të Juventusit, njoftoi gjithashtu se synon të bëjë një ofertë publike për të blerë edhe aksionet e mbetura të klubit me të njëjtin çmim, çka do t’i jepte kontroll të plotë dhe ekskluziv mbi klubin.

Familja Agnelli, megjithatë, ka këmbëngulur që prej mbrëmjes të së premtes se Juventusi nuk është në shitje.

“Juventusi ynë, historia jonë, vlerat tona, nuk janë në shitje,” deklaroi John Elkann në një video të publikuar publikisht të shtunën.

Si pasojë e ofertës për marrje kontrolli, vlera e Juventusit në bursë u rrit ndjeshëm të hënën në mëngjes.

Kur tregu u mbyll të premten në mbrëmje, përpara njoftimit të “Tether”, një aksion i vetëm i klubit vlente 2.34 euro, krahasuar me 2.47 euro të hënën në mëngjes. Kjo përfaqëson një rritje prej 12.7%.

Oferta e “Tether” ishte për të blerë aksionet e mbetura të Juventusit me një çmim prej 2.66 euro për aksion, që barazohej me një kosto totale rreth 1.1 miliardë euro.

Ky çmim përfaqësonte një premium prej 20.47% krahasuar me vlerën zyrtare të aksioneve përpara fundjavës./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Dogana sekuestron mallra të kontrabanduara nga Serbia

Published

on

By

Autoritetet doganore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një operacion kundër kontrabandës me mallra nga Serbia në fshatin Dumnicë të Podujevës, ku janë sekuestruar 575 mijë copë filtra duhani të futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës.

Gjatë kontrollit shtesë, në një garazh dhe në një automjet tjetër janë gjetur mallra të fshehura, të cilat janë konfiskuar nga njësia doganore.

“Lidhur me rastin, më 15.12.2025 është arritur të ndalohet automjeti i ngarkuar me mallra, ndërsa në një garazhdën dhe automjet tjetër janë gjetur mallra të fshehura. Njësia doganore ka sekuestruar 575.000 copë filtër të duhanit”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Me vendim të prokurorit kompetent, dy të dyshuar meshkuj, shtetas të Kosovës, pas intervistimit janë liruar dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Lajmet

Sot mblidhen ministrat e BE-së në Bruksel: Serbisë i përcillet mesazh i qartë për sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Published

on

By

Ministrat për çështje evropiane të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sot në Bruksel do të diskutojnë, në kuadër të takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme (GAC), përfundimet mbi politikën e zgjerimit të BE-së.

Fokus i veçantë i diskutimeve do të jetë Serbia, së cilës i përcillet mesazhi i qartë se ritmi i afrimit me Bashkimin Evropian varet drejtpërdrejt nga përparimi në sundimin e ligjit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Në këtë takim pritet të miratohen përfundimet e përgatitura mbi bazën e raportit vjetor të Komisionit Evropian, i cili vlerëson progresin e secilit vend kandidat. Këto përfundime më pas do të konfirmohen zyrtarisht në Samitin e BE-së më 18 dhe 19 dhjetor.

Në draft-dokumentin, të cilin Radio Evropa e Lirë (RSE) e ka siguruar, vendet kandidate ftohen të shfrytëzojnë mundësinë dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar rrugën drejt BE-së. Theksohet se procesi i zgjerimit duhet të udhëhiqet nga kriteret e Kopenhagës, parimet e vendosura dhe metodologjia ekzistuese, ndërsa përparimi i vendeve do të vlerësohet sipas meritave individuale.

Këshilli pret që të gjitha vendet kandidate ta harmonizojnë plotësisht politikën e tyre me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë edhe masat kufizuese.

Nga Serbia kërkohet që të përshpejtojë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të zbatojë në mënyrë konsekuente ligjet për mediat dhe Listën e Unifikuar të Zgjedhësve. Komisioni Evropian ka vlerësuar se Serbia është teknikisht e gatshme për hapjen e klasterit negociues 3 për konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, por Këshilli i BE-së do t’i rikthehet kësaj çështjeje varësisht nga progresi i mëtejshëm i Serbisë, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Në draft-dokument, BE-ja bën thirrje për uljen e tensioneve dhe tejkalimin e polarizimit të thellë në shoqërinë serbe. Shprehet keqardhje për prapakthimin në lirinë e shprehjes dhe të mediave dhe kërkohen reforma konkrete dhe të prekshme në sundimin e ligjit. Nga Beogradi dhe Prishtina pritet zbatim i plotë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit nga Ohri i vitit 2023.

Këshilli shpreh shqetësim për përshpejtimin e lëshimit të pasaportave serbe për shtetas rusë, duke e vlerësuar këtë si një kërcënim potencial për sigurinë e BE-së. Megjithatë, BE-ja mirëpret faktin që integrimi evropian mbetet interes strategjik i Serbisë, por pret që kjo të dëshmohet përmes veprimeve konkrete dhe reformave reale.

Theksohet se liria e tubimit duhet të mbrohet, siguria e gazetarëve të garantohet dhe çdo dhunë apo përdorim i tepruar i forcës gjatë protestave të hetohet në mënyrë të plotë dhe të paanshme. Serbia ftohet të deeskalojë tensionet dhe të kapërcejë polarizimin përmes dialogut gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara, përfshirë shoqërinë civile.

Në dokument shprehet keqardhje për regresin në lirinë e mediave dhe nënvizohet rëndësia e mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pakicave. Edhe pse përshëndetet miratimi i ligjeve për media, theksohet nevoja për zbatim të plotë të tyre, përfshirë përfundimin e shpejtë të emërimit të anëtarëve të Këshillit të REM-it.

Këshilli vlerëson se në gjyqësor nuk është shënuar përparim i dukshëm, ndërsa në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është arritur progres i kufizuar. Serbia ftohet të përshpejtojë reformat dhe të arrijë rezultate konkrete, veçanërisht në kapitujt 23 dhe 24.

Sa i përket dialogut Beograd–Prishtinë, Këshilli i BE-së thekson se përparimi në integrimet evropiane varet nga zbatimi i plotë dhe pa vonesa i të gjitha obligimeve të marra. Serbia ftohet të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2023 dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, theksohet nevoja për reintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë gjyqësorin dhe policinë.

Në përfundim, Këshilli i BE-së shpreh shqetësim të thellë që Serbia nuk i ka përmbushur pritshmëritë lidhur me përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në shtator 2023, duke kërkuar reagim të plotë, hetim serioz dhe respektim të procedurave në kuadër të dialogut për drejtësinë.

Continue Reading

Lajmet

Granit Xhaka me postim emocionues pas fitores ndaj Newcastle

Published

on

Sunderlandi mbrëmë e mposhti Newcastlen në derbin e qytetit, ku “Macet e Zeza” fituan 1-0 ndaj “Laraskave”, me shifrat prej 1-0, me autogolin e shënuar nga Nick Woltemade.

Në fushë, për Sunderlandin ishte edhe futbollisti me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka, i cili është edhe kapiten i klubit.

Xhaka ishte një nga më të mirët në fushën e lojës, me Sunderlandin që i ka habitur të gjithë me rezultatet e arritura në pjesën e parë të sezonit.

Pas fitores së madhe në derbi, Xhaka ka reaguar me një postim të veçantë në rrjetin social “Instagram”.

“Kjo nuk është thjesht një fitore. Kjo është qyteti, stema, njerëzit, netët pa gjumë, besimi. Ne luftuam për çdo tifoz, çdo rrugë, çdo rrahje zemre. Derbi i fituar. Historia u ndje. Jeta u jetua”, shkruajti ai në “Instagram”./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara