Lajmet

ShBA-ja thotë se Rusia planifikon sulme në Ukrainë në prag të Ditës së Pavarësisë

Dita e Pavarësisë së Ukrainës është më 24 gusht.

Published

on

Ukraina tha se Rusia bombardoi rajonin e Zaporizhjas, shtëpia e centralit më të madh bërthamor në Evropë, ku luftimet e fundit kanë shkaktuar frikën e një incidenti katastrofik bërthamor, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan se Moska po planifikonte sulme në infrastrukturë dhe objekte qeveritare, që të përkojnë me ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Dita e Pavarësisë së Ukrainës është më 24 gusht. Nesër bëhen gjashtë muaj prej kur nisi pushtimi i paprovokuar rus, pra më 24 shkurt.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 23 gusht se forcat ruse vazhduan të lëshonin raketa dhe predha artilerie në qytetet ukrainase, duke goditur Nikopol, Krivyi Rih dhe Synelnykovsky, të gjitha afër uzinës bërthamore të Zaporizhjas.

Guvernatori rajonal, Valentyn Reznichenko, shkroi në Telegram se të paktën katër persona u plagosën në sulmet gjatë natës.

Në deklarata të ndara, ambasada e ShBA-së në Kiev dhe një zyrtar amerikan paralajmëruan për planet ruse për të goditur infrastrukturën civile dhe qeveritare ditët në vijim.

Një zyrtar amerikan ka paralajmëruar se Rusia po planifikon të nisë së shpejti sulme të reja kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës, pasi Kievi ndaloi festimet publike të Ditës së Pavarësisë këtë javë, duke përmendur një kërcënim të shtuar të sulmeve nga Moska.

“Ne kemi informacione se Rusia po shton përpjekjet për të nisur sulmet kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës në ditët në vijim”, citohet të ketë thënë zyrtari i paidentifikuar për Reuters.

“Duke pasur parasysh historikun e Rusisë në Ukrainë, ne jemi të shqetësuar për kërcënimin e vazhdueshëm që sulmet ruse paraqesin për civilët dhe infrastrukturën civile”, tha zyrtari, duke shtuar se deklarata e tij bazohej në disa informacione të inteligjencës së ShBA-së.

Paralajmërimi i tij erdhi pasi autoritetet ukrainase ndaluan festimet publike në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në shënimin e 31-vjetorit të pavarësisë nga sundimi sovjetik, duke përmendur një kërcënim të shtuar sulmi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia këtë javë mund të bëjë “diçka shumë të keqe, diçka shumë mizore”.

Shërbimi inteligjent i Ukrainës ka paralajmëruar për një rritje të mundshme të sulmeve të hakerëve në faqet ukrainase më 24 gusht.

Ndërkohë forcat ruse vazhduan të hidhnin raketa dhe predha artilerie mbi qytetet ukrainase, duke goditur Nikopol, Krivyi Rih dhe Synelnykovsky, të gjitha afër uzinës bërthamore të Zaporizhjas – centrali më i madh në Evropë – dhe plagosën të paktën katër persona gjatë natës, shkroi guvernatori rajonal Valentyn Reznichenko në Telegram.

Luftimet pranë Zaporizhjas kanë shkaktuar frikë për një aksident bërthamor.

Rusia ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mbajë mbledhje më 23 gusht për situatën në centralin bërthamor të Zaporizhjas. Kështu ka thënë zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse, RIA.

Pothuajse 9 mijë pjesëtarë të ushtrisë ukrainase janë vrarë gjatë luftës kundër Rusisë, tha më 22 gusht shefi i forcave të armatosura të Ukrainës. Këto janë shifra të prezantuara nga gjenerali ukrainas Valeriy Zaluzhnyi.

Të dyja palët në luftë kanë qenë jashtëzakonisht të kujdesshme në zbulimin e ndonjë shifra të viktimave që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Herën e fundit që zyrtarët ukrainas njoftuan humbje në forcat e armatosura ishte në prill, kur presidenti Volodymyr Zelensky tha se deri në 3 mijë ushtarë ukrainas ishin vrarë dhe 10 mijë u plagosën.

Moska, ndërkohë, i klasifikon vdekjet ushtarake si sekrete shtetërore dhe rrallë herë ka përditësuar shifrat e saj zyrtare të viktimave. Më 25 mars, hera e fundit që u dhanë shifrat zyrtare, tha se 1 mijë e 351 ushtarë rusë ishin vrarë.

Zyrtarët ukrainas kanë vlerësuar humbjet ruse në afro 45 mijë e 500 trupa./REL

Lajmet

Mbyllet përkohësisht rruga “Fehmi Agani” në Prishtinë për punime në ndriçim publik

Published

on

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër, nga ora 08:00 deri në 16:00, do të ketë mbyllje të përkohshme të qarkullimit në rrugën “Fehmi Agani”.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, mbyllja bëhet për shkak të punimeve në kuadër të projektit për instalimin e rrjetit të ri të ndriçimit publik.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik që gjatë kësaj periudhe të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e vendosur në terren.

“Lusim qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik që gjatë kësaj periudhe të shfrytëzojnë rrugë alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e vendosur në terren. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Izraeli: Vramë komandantin e inxhinierisë së Hezbollahut gjatë sulmeve në jug të Libanit

Published

on

Ushtria e Izraelit ka pretenduar se ka eliminuar një komandant të njësisë së inxhinierisë së Hezbollahut.

Në një postim në platformën “X”, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se javën e kaluar kanë goditur dhe kanë vrarë Abed Harb, të cilin e cilësojnë si pjesëtar të lartë të grupit.

Sipas IDF-së, Harb ka udhëhequr njësinë e inxhinierisë përgjegjëse për montimin dhe vendosjen e eksplozivëve, të cilët, sipas pretendimeve të ushtrisë izraelite, janë përdorur për të synuar ushtarët izraelitë në jug të Libanit.

“Harb ka qenë përgjegjës për disa sulme që nga viti 2006”, thuhet në deklaratën e IDF-së.

Po ashtu, ushtria izraelite ka njoftuar se Forcat Ajrore të saj kanë shkatërruar edhe një lëshues raketash që, sipas tyre, është përdorur nga Hezbollahu për sulme ndaj forcave izraelite që veprojnë në jug të Libanit.

Ngjarja vjen në një kohë kur raportimet ndërkombëtare bëjnë të ditur për tensione të vazhdueshme në rajon, ndërsa Hezbollahu së fundi ka refuzuar një propozim për armëpushim të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mes Libanit dhe Izraelit.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e UBT-së sjellin shfaqjen muzikale “DREAM” në kuadër të Javës së Dizajnit

Published

on

Studentët e Fakultetit të Muzikës Moderne në UBT kanë prezantuar me sukses shfaqjen muzikale “DREAM”, e cila u realizua në kuadër të aktiviteteve të Javës së Dizajnit në këtë institucion.

Performanca artistike u zhvillua si pjesë e lëndës “Performance në Skenë” dhe u interpretua nga studentët e grupit të Vokalit të vitit të parë dhe të dytë, nën mentorimin dhe udhëheqjen e profesoreshës Fatlume Bunjaku.

Shfaqja solli para publikut një program të pasur muzikor dhe artistik, ku studentët patën mundësinë të shfaqin talentin e tyre, kreativitetin dhe aftësitë skenike të fituara gjatë procesit të studimeve. Përmes interpretimit live, ata demonstruan jo vetëm përgatitjen akademike, por edhe zhvillimin e tyre artistik në skenë.

Në këtë aktivitet morën pjesë studentë, profesorë dhe dashamirës të artit, të cilët patën mundësi të ndjekin një performancë që ndërthurte muzikën, interpretimin vokal dhe shprehjen artistike, duke krijuar një atmosferë të veçantë kulturore në kuadër të Javës së Dizajnit.

Shfaqja “DREAM” shërbeu gjithashtu si një projekt përmbyllës për studentët e përfshirë, duke shënuar finalizimin e një etape të rëndësishme të vitit akademik dhe duke u ofruar atyre eksperiencën e drejtpërdrejtë të performancës para publikut.

Përmes këtij aktiviteti, studentët patën mundësinë të përjetojnë nga afër dinamikën e skenës profesionale, duke forcuar aftësitë e tyre artistike dhe vetëbesimin në interpretim.

UBT, përmes aktiviteteve të tilla, vazhdon të promovojë zhvillimin kreativ dhe profesional të studentëve, duke krijuar hapësira ku ata mund të shfaqin potencialin e tyre në fusha të ndryshme artistike dhe kulturore.

Continue Reading

Lajmet

Oda Ekonomike Amerikane: Gazi amerikan duhet të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

Published

on

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zhvillimin e infrastrukturës përkatëse ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar.

Sipas Odës, një orientim i tillë do të kontribuonte në forcimin e sigurisë energjetike të vendit, por edhe në thellimin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në.

Në reagim theksohet se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentralet me linjit dhe në importin e energjisë elektrike, çka sipas tyre paraqet barrë për ekonominë dhe rrit ndjeshmërinë ndaj luhatjeve të tregut.

Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i infrastrukturës së gazit dhe integrimi në rrjetet rajonale të LNG-së do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike, uljen e kostove të importit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës.

Po ashtu, theksohet se vendet e rajonit tashmë po pozicionohen në korridoret e reja energjetike, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë këtyre zhvillimeve nëse nuk vepron me kohë.

Në fund, Oda Amerikane i bën thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë drejt integrimit në infrastrukturën rajonale të gazit, duke paralajmëruar se mosveprimi mund të rrisë cenueshmërinë energjetike të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara