Lajmet

SHBA-ja kryen sulme të reja ndaj Huthëve

Një luftanije amerikane po ashtu ka rrëzuar një raketë që përdoret kundër anijeve, që u lëshua nga Huthët.

Published

on

Forcat amerikane kanë kryer sulme në Jemen ndaj dhjetë dronëve sulmues dhe një stacioni tokësor kontrolli që i përkisnin lëvizjes rebele jemenase, Huthi, bëri të ditur ushtria amerikane.

Një luftanije amerikane po ashtu ka rrëzuar një raketë që përdoret kundër anijeve, që u lëshua nga Huthët, dhe më pas rrëzoi edhe tre dronë iranianë, tha Qendra amerikane e Komandës.

Përderisa Shtetet e Bashkuara së fundi kanë kryer sulme ndaj Huthëve dhe grupeve të tjera në rajon që mbështeten nga Irani, si Uashingtoni po ashtu edhe Irani kanë tentuar të shmangin një konfrontim direkt, por rrëzimi i tre dronëve iranianë mund të rrisë tensionet.

Në orët e para të së enjtes, forcat amerikane thanë se kanë shënjestruar “një stacion tokësor të kontrollit të dronëve dhe dhjetë dronë” që sipas Qendrës amerikane të Komandës “paraqisnin kërcënim të menjëhershëm për anijet tregtare dhe anijet e marinës amerikane në rajon”.

Më herët, ushtria amerikane njoftoi se luftanija USS Carney rrëzoi një raketë balistike kundër anijeve që u gjuajt nga Huthët, dhe më pak se një orë më vonë rrëzoi edhe tre dronë iranianë.

Forcat amerikane po ashtu të mërkurën shkatërruan një raketë kundërajrore që paraqiste kërcënim të drejtpërdrejtë “për një avionë luftarakë amerikanë”. Megjithatë, ushtria nuk specifikoi se në çfarë lokacioni kreu këto sulme, por tha se ato u kryen “në zonat në Jemen të kontrolluara nga Huthët”.

Rebelët e Huthit nisën sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq në nëntorin e kaluar, duke thënë se sulmet shënjestrojnë anijet e lidhura me Izraelin, në mbështetje të palestinezëve në Gazë.

Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – po luftojnë që nga 7 tetori.

Forcat amerikane dhe britanike janë kundërpërgjigjur me sulme ndaj Huthëve dhe rebelët kanë deklaruar se interesat amerikane dhe britanike po ashtu do të konsiderohen nga ata si caqe legjitime.

SHBA-ja po ashtu ka ngritur një task-forcë detare shumëkombëshe për të mbrojtur anijet tregtare që kalojnë në Detin e Kuq, që është një rrugë kyçe tregtare ku kalin 12 për qind e tregtisë së botës.

Megjithatë, Huthët kanë vazhduar sulmet dhe të mërkurën thanë se kanë shënjestruar një anije amerikane të tregtisë që ishte nisur drejt Izraelit, duke pretenduar se “disa raketa e goditën direkt anijen”.

Firma e sigurimit të anijeve, Ambrey, tha se një anije komerciale raportohet se është shënjestruar me një raketë në jugperëndim të Gjirit të Adenit dhe se anija raportoi për një shpërthim. Megjithatë, kjo kompani nuk tregoi se nga ishte kjo anije.

Më herët, Huthët thanë se kanë sulmuar me disa raketa luftanijen amerikane USS Gravely, një pretendim që erdhi pasi ushtria amerikane tha se ka rrëzuar një raketë lundruese që ishte lëshuar “drejt Detit të Kuq nga zonat e kontrolluara nga Huthët në Jemen”./REL

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara