Lajmet

SHBA-ja e zgjeron praninë ushtarake në Lindjen e Mesme teksa armëpushimi me Iranin po lëkundet

Published

on

Derisa armëpushimi i saj me Iranin po dobësohet, Shtetet e Bashkuara po e zgjerojnë dukshëm praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, duke i dhënë vetes mundësinë për ta përshkallëzuar konfliktin dymujor.

Ushtria amerikane e dërgoi më 24 prill në rajon aeroplanmbajtësen e tretë sulmuese, së bashku me mijëra trupa elitare.

Ky është grumbullimi më i madh ushtarak amerikan në rajon që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.

Armëpushimi, pasi hyri në fuqi më 8 prill, e ndali një luftë të kushtueshme që ka tronditur tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ka përmbysur ekonominë globale.

Por, Uashingtoni dhe Teherani e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit, ndërsa përpjekjet për të arritur marrëveshje për përfundimin e luftës kanë ngecur.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur ndërprerjen e luftimeve për t’u “rifurnizuar” dhe paralajmëroi se ushtria amerikane është “e gatshme për të vepruar”, nëse përpjekjet për paqe dështojnë.

Trump më parë ka kërcënuar se do ta shkatërrojë infrastrukturën civile të Iranit, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Ekspertët thonë se zgjerimi i pranisë ushtarake amerikane ka dy qëllime: t’i dërgojë mesazh politik Teheranit dhe t’i japë Trumpit mundësi për ta zgjeruar shkallën e veprimeve ushtarake kundër republikës islamike.

“Synimi është të rritet besueshmëria e kërcënimeve amerikane dhe, rrjedhimisht, ndikimi i saj në bisedime”, tha Farzan Sabet, ekspert për Iranin në Institutin e Studimeve të Avancuara në Gjenevë.

“Gjithashtu, synimi është që SHBA-ja të jetë e pozicionuar më mirë, nëse rifillojnë luftimet, për ta dobësuar më tej Iranin dhe për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit”, tha ai.

Fushata e bombardimeve SHBA-Izrael, që nisi më 28 shkurt, e ka shkatërruar shumë ushtrinë iraniane, ka shfarosur një pjesë të madhe të udhëheqjes së Iranit dhe e ka rrënuar infrastrukturën jetike.

Megjithatë, Teherani ende beson se po e fiton luftën. Teokracia iraniane ka mbijetuar dhe ka fituar një kartë të re të fuqishme: kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, rrugës jetike për furnizimin global me naftë dhe gaz.

Në përgjigje të mbylljes efektive të Ngushticës së Hormuzit nga Irani, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një bllokadë detare ndaj porteve dhe anijeve të këtij vendi që nga 13 prilli.

Derisa ky vendim e ka rritur trysninë mbi ekonominë tashmë të goditur të Iranit, bllokada ende nuk e ka detyruar Teheranin ta pranojë një marrëveshje paqeje sipas kushteve amerikane.

“Shqetësimi i madh”

Duke bartur mbi 5.000 trupa elitare, aeroplanmbajtësja USS George H.W. Bush i rrit ndjeshëm kapacitetet ushtarake amerikane në rajon. E aftë të mbështesë mbi 80 avionë, kjo aeroplanmbajtëse furnizohet nga reaktorë bërthamorë.

Ajo u bashkohet dy aeroplanmbajtëseve të tjera: USS Abraham Lincoln, e vendosur në Detin Arabik në jug të Iranit që nga fillimi i luftës, dhe USS Gerald R. Ford, anija më e fuqishme transportuese e marinës amerikane.

Përveç dërgimit të aeroplanmbajtëses së tretë në Lindjen e Mesme, ushtria amerikane ka zhvendosur edhe mijëra trupa shtesë në rajon në javët e fundit.

Mijëra marinsa, parashutistë dhe marinarë të tjerë pritet të mbërrijnë deri në fund të muajit.

Zyrtarët iranianë nuk kanë komentuar publikisht për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane. Por, ekspertët thonë se Teherani beson se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për rifillimin e luftimeve.

“Regjimi iranian është shumë i shqetësuar me zhvendosjen e vazhdueshme ushtarake amerikane në rajon”, tha Farzin Nadimi, ekspert për mbrojtjen e Iranit në Institutin e Uashingtonit.

“Vetë fakti që iranianët u pajtuan për të zhvilluar bisedime me amerikanët, pavarësisht rritjes së pranisë ushtarake, tregon se sa të cenueshëm ndihen tani”, theksoi ai.

Ai shtoi se, megjithatë, Irani “po vazhdon të përgatitet për betejën e radhës dhe vështirë se do të befasohet” nëse Shtetet e Bashkuara e rifillojnë luftën.

Edhe Teherani ka lënë të kuptohet se mund të përdorë veprime ushtarake për t’i dhënë fund bllokadës detare amerikane, e cila ka ndërprerë eksportet jetike të Iranit.

Shtabi Qendror Khatam al-Anbiya, që shërben si komanda e përbashkët ushtarake e Iranit, më 25 prill paralajmëroi se do të përgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara e vazhdojnë bllokadën.

Marina amerikane ka kapur një anije mallrash iraniane dhe një cisternë të dyshuar për kontrabandë nafte iraniane në javët e fundit.

Më 22 prill, Teherani u përgjigj duke qëlluar mbi tri anije dhe duke kapur dy prej tyre në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon 20 për qind e naftës botërore.

Frenimi i huthëve

Nëse luftimet shpërthejnë sërish, rebelët huthi në Jemen mund të përpiqen ta mbyllin Ngushticën Bab al-Mandab, një tjetër rrugë thelbësore detare në Lindjen e Mesme.

Bab al-Mandab, nëpër të cilën kalon rreth 6 për qind e naftës botërore e transportuar me anije, është një kalim i ngushtë për anijet që hyjnë ose dalin nga Deti i Kuq.

Bregdeti jemenas i kësaj ngushtice kontrollohet kryesisht nga rebelët huthi, organizata e mbështetur nga Irani, të cilën SHBA-ja e ka shpallur terroriste.

Në një deklaratë më 18 prill, huthët kërcënuan se do ta mbyllin ngushticën dhe i kërkuan Trumpit të ndalojë “të gjitha praktikat dhe politikat që pengojnë paqen”.

Nëse huthët e mbyllin këtë ngushticë, ekspertët thonë se tregjet globale të energjisë do të përjetojnë tronditje edhe më të mëdha. Grupi militant hyri në luftë muajin e kaluar kur lëshoi raketa drejt Izraelit.

Sipas ekspertëve, zhvendosja e USS George H.W. Bush synon të mos i lejojë huthët ta mbyllin këtë rrugë strategjike ujore.

“Me ardhjen e aeroplanmbajtësit të tretë, SHBA-ja synon ta sigurojë transportin global detar ndërsa ruan një forcë me dy aeroplanmbajtëse të gatshme për t’u përballur me Iranin nëse është e nevojshme”, tha Sascha Bruchmann, analist i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.

Për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit, Arabia Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë, ka ridrejtuar miliona fuçi nafte nga Gjiri Persik drejt Detit të Kuq përmes tubacionit të saj Lindje-Perëndim.

Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër eksportues i madh, kanë transportuar naftë përmes portit të tyre Fujairah, i vendosur në Detin Arabik.

“USS George H.W. Bush duket e pozicionuar për të bërë të qartë se sulmet ndaj infrastrukturës së naftës në Arabinë Saudite perëndimore dhe mbyllja e Bab al-Mandab do të kenë pasoja”, shtoi Bruchmann./REL/

 

Continue Reading

lajme

Muriqi shënon për Kosovën dhe golin ia dedikon çlirimtarëve: “Drejtësi për çlirimtarët”

Published

on

By

Kosova ka shënuar më në fund golin e parë. Pas një gjuajtjeje të Ermal Krasniqit, topi u përplas fillimisht në traversë pas një devijimi, ndërsa Vedat Muriqi realizoi nga afërsia me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas golit, para shikuesve, sulmuesi i Kosovës ngriti fanellën me mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”, duke përcjellë mesazhin e tij në një moment emocionues për tifozët.

D.L

Continue Reading

Vendi

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Vendi

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara