Lajmet

​SHBA gati të blejë aksione në kompanitë australiane të minierave

Published

on

Qeveria amerikane është gati të blejë aksione në kompanitë australiane të minierave si pjesë e një pakete për të financuar furnizimet me minerale dhe për të zvogëluar varësinë nga Kina, thanë udhëheqësit e biznesit australian pas një vizite në Uashington.

Oferta e qeverisë amerikane është pjesë e një plani për të krijuar zinxhirë furnizimi alternativë pas kufizimeve të eksportit të Kinës, raportojnë mediat amerikane.

Mineralet kryesore të teknologjisë përfshijnë litiumin, kobaltin dhe metalet e rralla të tokës, të nevojshme nga një gamë e gjerë industrish, duke përfshirë energjinë e pastër, gjysmëpërçuesit dhe armët.

Zyrtarët e qeverisë amerikane u kanë thënë kompanive të paraqesin oferta, duke vënë në dukje se kanë ndërmend të financojnë blerjen përmes kanaleve dhe programeve të ndryshme, tha Andrew Worland, drejtor ekzekutiv i International Graphite, e cila po ndërton një minierë dhe një fabrikë përpunimi në Australi.

Në shtator, përfaqësuesit e 15 kompanive australiane në sektorin kryesor të mineraleve, përfshirë Worland, vizituan Uashingtonin dhe Nju Jorkun për t’u takuar me zyrtarë amerikanë.

Ata u takuan gjithashtu me ish-drejtorin ekzekutiv të kompanisë minerare Newmont, David Copley, dhe Joshua Kroon, zëvendësndihmës sekretar për mineralet dhe metalet kryesore në Agjencinë e Tregtisë Ndërkombëtare të Departamentit të Tregtisë të SHBA-së.

Departamenti i Energjisë i SHBA-së bleu dje një aksion prej 5 për qind në Lithium Americas të Kanadasë dhe gjithashtu u bë pronar i një aksioni prej 5% në një minierë litiumi që kompania kanadeze po zhvillon në Nevada.

Australia është e gatshme t’u shesë aksione aleatëve, përfshirë Britaninë, aksione në rezervat e reja strategjike të mineraleve kryesore, për t’u lejuar atyre të zvogëlojnë varësinë e tyre nga Kina.

Qeveria australiane njoftoi krijimin e rezervave në fund të prillit, duke vënë në dukje se do të investojë 1.2 miliardë dollarë australianë (670 milionë euro) në këtë projekt me qëllim krijimin e një zinxhiri të ri furnizimi që mund të konkurrojë me Kinën dominuese.

Kina është prodhuesi kryesor në botë i 30 nga 50 mineralet e konsideruara si kryesore nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së. Australia, nga ana tjetër, ka depozita që janë ndër më të mëdhatë në botë.

Pritet që këto rezerva të jenë temë kryesore e negociatave midis kryeministrit australian Anthony Albanese dhe presidentit amerikan Donald Trump më 20 tetor në Uashington./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit për mosdeklarim të pasurisë

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë. Konkretisht, ai akuzohet se nuk ka deklaruar deponime në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

Prokuroria bën të ditur se shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600 eurosh.

Rasti i është përcjellë për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Continue Reading

Lajmet

30 të dënuar përfundojnë me sukses programet rehabilituese në burgun e Smrekonicës

Published

on

By

Në burgun e Smrekonicës, kanë përfunduar me sukses dy programe rehabilituese për të burgosurit. Programi “Menaxhimi i Zemërimit” është ndjekur nga 20 të burgosur, ndërsa programi “Vendimmarrja Sociale” nga 10 të burgosur.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, thotë se programet janë zbatuar në përputhje me politikat rehabilituese, planprogramin institucional dhe standardet profesionale të trajtimit.

Sipas njoftimi të ShKK-së, fokusi ka qenë zhvillimi i aftësive psikosociale, rritja e vetëkontrollit emocional, përmirësimi i sjelljes ndërpersonale dhe forcimi i aftësisë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe të ligjshme.

Me rastin e përfundimit të programeve është organizuar edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, derisa gjatë eventit u theksua rëndësia e programeve rehabilituese në përmirësimin e sjelljes së të burgosurve dhe në zvogëlimin e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.

Continue Reading

Lajmet

Prattipati takon kryetarët e komunave veriore, kërkon qeverisje transparente

Published

on

By

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar sot kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Përmes një postimim, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë tha se Prattipati nënvizoi pritshmëritë e Amerikës për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve.

“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua sot me katër kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq dhe përfaqësues të shoqërisë civile serbe kosovare në veri të Kosovës. Ajo nënvizoi pritshmëritë e SHBA-së për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Me ShBA-në diskutuam për rikthimin e dialogut strategjik

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, kanë diskutuar për rikthimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Osmani tha se me zëvendëssekretarin amerikan kanë trajtuar gjithashtu një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Presidentja u ndal edhe te nënshkrimi i një ligji nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përfshin edhe Republikën e Kosovës. Sipas saj, ligji parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, përjashton ndryshimet e kufijve dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.

Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik, si dhe për hapat dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në”, deklaroi Osmani pas takimit.

Ajo theksoi se në këtë takim është rikonfirmuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik.

Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me SHBA-në dhe shprehu besimin e saj të plotë në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar partneritetin me SHBA-në si shtyllë kyçe të politikës së jashtme të Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara