Sport

Sfidat e basketbollit kosovar gjatë pandemisë

Published

on

Edhe basketbolli kosovar, ashtu sikurse të gjitha sportet tjera, u detyrua të marr një kahe tjetër të zhvillimeve për shkak të pandemisë Covid-19. Në fakt, paraqitja e këtij virusi solli deri te ndërprerja totale e zhvillimit të garave basketbollistike, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

Kryetari i rizgjedhur i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, thotë për KosovaPress se edhe pse viti filloi në mënyrën më të mirë të mundshme me ndeshje të mira dhe me salla të mbushura, në fund të prillit u detyruan t’i ndërpresin garat për shkak të pandemisë Covid-19.

“E kishim një vit që startuam jashtëzakonisht mirë edhe në kuptim të organizimit të brendshëm të garave në Kosovë, por edhe në kuptim të rezultateve të cila i arriti reprezentacioni i Kosovës gjatë muajit shkurt. I kishim sallat plot pothuajse të gjitha, e kishim një garë shumë të ngushtë ku secili-secilin e mundte që e bënë basketbollin të jetë atraktiv dhe e bënë basketbollin që të jetë ai që është, si sporti më të bukur dhe më dinamik. Por për fat të keq ndodhi ajo që ndodhi dhe më 14 mars u desh që t’i pezullojmë garat fillimisht, pastaj më 31 mars i ndërpremë përfundimisht garat për seniorë për Superligën, pastaj në fund të prillit u desh t’i ndërprejmë të gjitha garat sepse nuk kishte më kuptim që të përpiqemi që t’i vazhdojmë ato”, tha Fetahu.

Megjithatë, Fetahu duke folur për KosovaPress, shton se rifillimi i garave në muajit tetor po ecën shumë mirë, ekipet janë konsoliduar dhe se konkurrenca në të gjitha kategoritë, si te meshkujt ashtu edhe te femrat është shumë e ashpër.

“Stinori i ri në tetor të këtij viti filloi them më fuqishëm se sa që kam pritur. Në dalje prej pandemisë, klubet u mobilizuan jashtëzakonisht mirë. Shumica prej tyre arritën që të bëjnë ekipe konkurruese dhe filluam një garë menjëherë, një garë shumë të fortë të Superkupës së Republikës, e pastaj vazhduam me kampionatin, i cili siç po e shihni edhe tani në fund të këtij viti na ka sjellë shumë të papritura, shumë rezultate që ndoshta kanë qenë të paparashikueshme para dy-tre muajsh kur filloi kjo garë, por ia që kemi një tabelë shumë interesante në Superligën e Kosovës, kemi gjithashtu një garë të mirë edhe tek femrat”, deklaroi Fetahu.

Kryetari i FBK-së gjithashtu përmendi edhe lehtësirat që kjo federatë ua ofroi klubeve të basketbollit kosovar edhe pse ata nuk kishin mundësi që t’i ndihmonin financiarisht për shkak se FBK-ja nuk e ka këtë fuqi financiare.

“Ajo që ne si federatë kemi bërë është që i kemi liruar klubet prej te gjitha obligimeve të cilat i kanë pasur ndaj nesh, por nuk kemi arritur natyrisht që t’i ndihmojmë ato financiarisht sepse Federata e Basketbollit të Kosovës nuk e ka këtë fuqi financiare, është fatkeqe kjo, por do të thotë përveç besoj Federatës së Futbollit nuk ka ndonjë federatë tjetër e cila iu ka dalë në ndihmë me mjete financiare klubeve të veta sepse nuk e kemi këtë mundësi. Prej shtetit, ju e dini që shteti ka ndarë një shumë të caktuar parash për të ndihmuar t’iu gjitha klubeve. Ne i kemi marrë mjetet dhe jemi duke i kanalizuar shpërndarjen e tyre te klubet dhe në anën tjetër grumbullimin e dokumenteve dhe faturave të cilat e vërtetojnë krijimin e shpenzimeve nga klubet për t’i dërguar të gjitha në ministri. Secili klub i Superligës së Kosovës te meshkujt dhe te femrat është përkrahur me nga 5000 euro, secili klub i ligave të para për meshkuj dhe për femrat është përkrahur më nga 3000 euro dhe të gjitha klubet e ligës së dytë të meshkujve u përkrahën me nga 2000 euro”, theksoi Fetahu.

E sa i përket rikthimit të tifozëve në palestrat sportive, Fetahu ka thënë se nuk ka shenja pozitive në këtë drejtim dhe se ai nuk beson që brenda këtij stinori do të rikthehen tifozët nëpër salla.

“Do të doja të jem optimist për këtë, por duhet thënë qartë se nuk besoj që këtë stinor do të kemi mundësi që t’i kthejmë shikuesit nëpër salla. Nga ato diskutime dhe nga ato zhvillime të cilat unë i di, do të thotë sa i përket basketbollit, së paku nëpër salla do të jetë jashtëzakonisht e vështirë”, tha ai.

Në fund, Arben Fetahu ka uruar që vitit 2021 të sjellë shëndet për sportistët vendorë dhe për të gjithë popullin e Kosovës.

Sport

Mourinho largohet nga konferenca për shtyp pas pyetjes për Cristiano Ronaldon

Published

on

By

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka lënë konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Celta Vigos, pasi u pyet për Cristiano Ronaldon dhe të ardhmen e Përfaqësueses së Portugalisë pa yllin portugez.

Gazetarët e pyetën Mourinhon se si e sheh kombëtaren portugeze në periudhën pas Ronaldos, por trajneri portugez nuk deshi të komentonte më shumë për këtë temë.

“Jo, jo, jo, jo, jo. Si portugez, e vetmja gjë që them është se Portugalia duhet të fitojë gjithmonë. Për të tjerat nuk flas dhe nuk them asgjë. Faleminderit”, u shpreh Mourinho.

Pas kësaj përgjigjeje, ai u ngrit nga karrigia dhe u largua nga salla, duke mos lënë hapësirë për pyetje të tjera rreth kësaj çështjeje.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e konferencës ishte përqendruar te Vinicius Junior. Sulmuesi brazilian është rikthyer në skuadër pas një pezullimi prej katër ndeshjesh, ndërsa vjen pas një paraqitjeje mbresëlënëse me Përfaqësuesen e Brazilit, ku realizoi pesë gola në dy ndeshje miqësore ndaj Singaporit dhe Japonisë.

D.L

Continue Reading

Sport

Trepça – Bashkimi, derbi i madh i xhiros së dhjetë në Superligën e basketbollit

Published

on

By

Pas angazhimeve në garat evropiane, Trepça dhe Bashkimi rikthehen në parketin e Superligës së Kosovës në basketboll, ku këtë fundjavë i pret një përballje e drejtpërdrejtë për kreun e tabelës.

Kampioni dhe nënkampioni i Kosovës do të përballen të dielën, nga ora 17:00, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, në kuadër të xhiros së dhjetë të elitës së basketbollit kosovar.

Trepça vjen në këtë përballje pas fitores ndaj Splitit të Kroacisë në FIBA Europe Cup, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në Mitrovicë.

Në anën tjetër, Bashkimi pësoi humbje në shtëpi nga Manchesteri i Anglisë, duke e mbyllur rrugëtimin në garën evropiane.

Megjithatë, prizrenasit kanë aktualisht pozitën e parë në kampionat me 16 pikë, aq sa kanë edhe Trepça në vendin e dytë dhe Bora në të tretin. Bashkimi kryeson falë koshdallimit më të mirë.

Në përballjen e parë të këtij edicioni, të zhvilluar në Prizren në kuadër të xhiros së tretë, Bashkimi kishte triumfuar me rezultat 84:76.

Xhiroja e dhjetë nis të shtunën me dy ndeshje. Nga ora 17:00, në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Golden Eagle Ylli e pret Sigal Prishtinën. Ylli renditet i katërti me 14 pikë, ndërsa Prishtina zë vendin e pestë me 12 pikë.

Nga ora 19:30, Rahoveci 029 përballet me Borën e Prishtinës. Rahovecianët ndodhen në fund të tabelës me 11 pikë, aq sa kanë edhe Peja në pozitën e gjashtë dhe Vëllaznimi në të shtatën.

Xhiroja përmbyllet të dielën me duelin Vëllaznimi – Peja, që zhvillohet nga ora 19:30 në Gjakovë.

Peja synon t’i japë fund serisë prej shtatë humbjesh radhazi në kampionat, ndërsa Vëllaznimi kërkon të shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas.

Ndërkohë, te skuadra pejane ka pasur edhe zhvillime në përbërjen e ekipit. Klubi ka suspenduar basketbollistin Daquan Bracey, ndërsa ka zyrtarizuar transferimin e Kyan Andersonit.

D.L

Continue Reading

Sport

Duka kërkon ndryshime në projektligjin për sponsorizimet: Fondi për sportin të arrijë në 10 miliardë lekë

Published

on

By

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka kërkuar ndryshime të rëndësishme në projektligjin për donacionet dhe sponsorizimet, duke vlerësuar se nisma e qeverisë është një hap pozitiv për sportin, por ka nevojë për plotësime konkrete për të garantuar financim të qëndrueshëm.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare të FSHF-së, Duka ka përshëndetur diskutimet institucionale për këtë çështje, duke rikujtuar se komuniteti i futbollit prej më shumë se një dekade kërkon lehtësira dhe mekanizma më të mirë për nxitjen e sponsorizimeve.

Sipas tij, vetëm FSHF-ja dhe anëtarët e saj kanë paguar 342 milionë e 400 mijë e 806 lekë në tatime dhe kontribute gjatë vitit 2025.

Duke iu referuar studimit të UEFA-s GROË SROI, Duka ka theksuar edhe ndikimin ekonomik, social dhe shëndetësor të futbollit. Sipas të dhënave të vitit 2020, përfitimet nga pjesëmarrja në këtë sport vlerësoheshin në rreth 46 milionë euro në vit, ndërsa me rritjen e numrit të futbollistëve të regjistruar nga 18.587 në 25 mijë, kjo vlerë tashmë llogaritet në rreth 70 milionë euro në vit.

Për këtë arsye, kreu i FSHF-së kërkon që një pjesë e këtij kontributi ekonomik të rikthehet në sport, përmes mbështetjes për fëmijët, akademitë, klubet dhe infrastrukturën sportive.

Ndër propozimet kryesore të Dukës është që sponsorizimi të njihet si pagesë alternative e tatimit mbi fitimin, brenda kufirit prej 30 për qind dhe kushteve të përcaktuara me ligj.

Ai kërkon gjithashtu që fondi i përgjithshëm vjetor për sponsorizimet të rritet në së paku 10 miliardë lekë, nga dy miliardë sa parashihet në projektligjin aktual për artin, kulturën dhe sportin. Sipas tij, ky fond duhet të rritet çdo vit në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe të ardhurat tatimore.

Një tjetër kërkesë është përcaktimi i një kuote të garantuar për futbollin, me ndarje transparente të mjeteve për federatën, klubet e kategorive të ndryshme dhe akademitë, në mënyrë që përkrahja të mos përqendrohet vetëm te klubet e mëdha.

Duka ka kërkuar edhe heqjen e miratimeve paraprake për secilën kontratë sponsorizimi, duke propozuar që kriteret të përcaktohen qartë me ligj, ndërsa kontrolli të realizohet përmes dokumentimit dhe mbikëqyrjes financiare e ligjore.

Në fokus të propozimeve është edhe ndarja e një pjese të fondeve për ndërtimin dhe përmirësimin e fushave sportive dhe hapësirave stërvitore.

Sipas Dukës, vetëm përmes një fondi më të madh dhe rregullave të qarta mund të krijohen kushte më të mira për zhvillimin e sportit, rritjen e numrit të fëmijëve që merren me aktivitete sportive dhe qëndrueshmërinë financiare të klubeve në të gjithë Shqipërinë.

Në fund, FSHF-ja ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë, Kuvendin dhe institucionet e tjera, me synimin që projektligji të sjellë përfitime konkrete për sportin shqiptar.

D.L

Continue Reading

Sport

Real Madridi rinovon me Thibaut Courtois deri në vitin 2028

Published

on

By

Real Madridi ka zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me portierin belg Thibaut Courtois, i cili ka nënshkruar kontratë të re me klubin madrilen deri në vitin 2028.

Marrëveshja e mëparshme e 34-vjeçarit skadonte në fund të këtij sezoni, por palët kanë arritur dakordim për ta vazhduar bashkëpunimin edhe për dy vjet të tjera.

Courtois vazhdon të jetë një prej figurave kryesore të skuadrës së drejtuar nga Real Madridi, duke ruajtur statusin e portierit të parë dhe një rëndësi të veçantë në formacion.

Gardiani belg ka pasur paraqitje të mira edhe këtë sezon, duke qenë një prej lojtarëve kyç në serinë prej tetë fitoreve radhazi që madrilenët kanë regjistruar në të gjitha garat.

Që nga transferimi në “Santiago Bernabeu”, Courtois ka zhvilluar gjithsej 348 ndeshje me fanellën e Real Madridit dhe ka fituar 14 trofe.

Me këtë rinovim, gjiganti spanjoll siguron vazhdimësinë e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa synon të rikthehet te trofetë dhe të jetë protagonist në garat vendore dhe evropiane.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara